Misteri i vullnetit të Perëndisë

Categories: Predikime

“Në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurivë së hirit të tij, të cilin e bëri të teprojë ndaj nesh me gjithë urtësinë dhe mençurinë, duke bërë të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij, që, kur të plotësoheshin kohërat, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe” (Efesianëve 1:7-10).
 
Parathënie
Me përjashtim të letrës së drejtuar Romakëve, letra e drejtuar Efesianëve është ndoshta një nga veprat e Palit, që citohet më shumë nga të gjitha. Ndoshta kjo ka të bëjë me natyrën doktrinale (ose mësimore) të kësaj letre, ngaqë ajo e paraqet të vërtetën e krishterë në një mënyrë shumë praktike. Në këtë letër Pali, jo vetëm që i këshillon besimtarët që të ecin në rrugën e shenjtërisë dhe të drejtësisë, por ai gjithashtu i armatos ata me njohurinë se si t’i rezistojnë mësuesve të rremë. Ai përpiqet që t’i inkurajojë lexuesit, duke iu shkruar atyre rreth punës së lavdishme të Perëndisë, nëpërmjet Zotit tonë, Jezus Krisht.
 
Plani i Perëndisë
Kjo temë na prezantohet që në hyrje të kësaj letre: “Pali, apostulli i Jezu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë” (Efesianëve 1:1). Ky “vullnet” është i lidhur drejtpërsëdrejti me shpëtimin nëpërmjet hirit. “Në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurivë së hirit të tij” (Efesianëve 1:7). Ky hir na jepet, me qëllim që ta dimë “misterin e vullnetit të Tij” (Efesianëve 1:9). Të gjithë kemi dëshirë t’i dimë misteret e kësaj bote, por Perëndia na ka treguar Vetë një mister me anë të Frymës së Tij të Shenjtë.
Të paktë ishin ata, që e kuptuan misterin e planit të Perëndisë për shpëtimin e njerëzimit. Profetët e Dhiatës së Vjetër, p.sh. i dinin mirë ca detaje lidhur me këtë plan, por nuk arrinin ta kuptonin dot se si do të vihej ai një ditë në praktikë. “Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua” (Gjoni 8:56). Dhiata e Re na e shfaq hapur arsyen, mënyrën dhe kohën e përmbushjes së planit të shpëtimit. “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun. Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: “I drejti do të jetojë me anë të besimit”. Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Romakëve 1:16-18). Ky shpëtim do të vinte prej një njeriu, Birit të Perëndisë, që është “rruga, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6).
Perëndia “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9), prandaj edhe hedhja poshtë apo shtrembërimi i të vërtetës së shpëtimit meriton ndëshkimin më të madh. Jezus Krishtit i takon fjala e fundit në lidhje me çështjen e shpengimit. Ta mohosh Atë, do të thotë të mohosh vullnetin e Perëndisë. “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë” (Hebrenjve 1:1-2). Tek Hebrenjve 10:28-29 na thuhet: “Kushdo që shkel ligjin e Moisiut vritet pa mëshirë me deponimet e dy ose tre dëshmitarëve. Ç’dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit?” (Hebrenjve 10:28-29). Fatkeqësisht, shumica e njerëzve në botë, dhe sidomos ata, që i përkasin kulteve të ndryshme, e mohojnë atë që thotë Perëndia lidhur me shpëtimin dhe Shpëtimtarin. Ky vullnet i Perëndisë ishte aq i rëndësishëm, saqë Perëndia nuk e la përmbushjen e tij as në dorë të ëngjëjve, as të profetëve, por vetëm të Birit të Tij. Prandaj kjo fjalë përfundimtare duhet pranuar prej të gjithë atyre, që kanë nevojë të shpëtohen. Atyre që iu jepet shumë, atyre ka për t’iu kërkuar edhe më shumë.
 
Qëllimi i Perëndisë
Perëndia, në një mënyrë të mrekullueshme, pati si qëllim që ne, të krishterët e sotshëm, ta kuptojmë misterin e vullnetit të Tij më mirë, sesa ç’e kuptuan profetët, autorët e psalmeve apo priftërinjtë e Dhiatës së Vjetër. Një zbulim i tillë nuk na jepet, që të mburremi, por që të mund të jetojmë një jetë të shenjtë, një jetë, e cila i sjell lavdi Perëndisë. Jezusi e ofroi Veten si sakrificë zëvendësuese mbi kryq, jo vetëm që të na shpëtonte prej Ferrit, por gjithashtu për të na shpëtuar prej mëkatit dhe tutelës së tij. “Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25). Sa njerëz janë vërtet të shpëtuar?
Pali e quajti ‘mister’ këtë pjesë të vullnetit të Perëndisë. Për ata që nuk besojnë dhe për besimtarin liberal, ky është vërtet një mister. “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14). Ky është një mister, që nuk është më i tillë për atë, që i beson Krishtit, sepse Perëndia e ka shfaqur atë hapur tek Krishti dhe tek fjala e Tij. “Dhe atij që mund t’ju forcojë juve sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së misterit, të mbajtur fshehur prej kohësh të pasosur, por tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t’i sjellë në dëgjesën e besimit” (Romakëve 16:25-26).
Një nga aspektet e vullnetit të shfaqur të Perëndisë ishte shpëtimi i johebrenjve, një koncept ky, që ishte i paimagjinueshëm prej judenjve. Këtë shpëtim e vëmë re në Dhiatën e Vjetër, por judenjtë nuk e kuptonin dot rëndësinë e tij. “Që johebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit” (Efesianëve 3:6). Ndoshta nuk duhet t’i kritikojmë judenjtë për faktin se janë të verbuar, ngaqë ishte vetë Perëndia Ai, që iua fshehu atyre këtë të vërtetë, me qëllim që t’i bënte realitet qëllimet e Tij. “Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit, dhe për t’u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit” (Efesianëve 3:8-9)… “Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj” (Gjoni 12:40).
 
Përfundim 
Jemi të bekuar mrekullisht dhe të privilegjuar, që e njohim Krishtin si Shpëtimtar. Një njohuri e tillë nuk vjen, ngaqë jemi më shumë fetarë sesa të tjerët, apo kemi më shumë shkollë, apo arsim. Përkundrazi, na është dhënë vetëm nëpërmjet hirit të Perëndisë. Mrekullia e shpëtimit qëndron tek fakti se ne vetë nuk paguam asnjë lekë për t’u shpëtuar, sepse Çlirimtari ynë pagoi gjithçka. Ai na e bleu shpëtimin me gjakun e Tij. Plani dhe qëllimet e Perëndisë ishin përgatitur që para se të egzistonte bota. Kur kësaj epoke t’i vijë fundi, të vetmit njerëz që do të jenë bashkë me Krishtin, do të jenë ata, të cilët e pranuan Atë si të vetmin Mesi dhe Zot. Të paktë janë ata, që arrijnë ta kuptojnë vullnetin e mistershëm të Perëndisë në lidhje me shpëtimin. Kjo vjen ngaqë shumica nuk duan ta kuptojnë një vullnet të tillë. Perëndia nuk mund ta sqarojë dot më qartë planin e Vet sesa kaq! 
     
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
Author: magda maylam

Leave a Reply