Miqësi jo e shenjtë
“Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin? Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin? Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: “Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im”
(2 Korintasve 6:14-16)
Parathënie
Në një studim të kohëve të fundit, diskutuam aleancën që bëri mbreti Josafat me mbretin e keq Ashazia. Bibla na jep shumë shembuj të miqësive të tilla, që nuk janë të shenjta dhe po të mos ndalohen, ato sjellin shkatërrim në jetët e njerëzve të mirë. Ndoshta ne kemi hyrë në aleancë me botën dhe me ata që e urrejnë Zotin. A e kemi harruar se Bibla na mëson se duhet të heqim “dorë nga çdo dukje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22)?
Mënjanohu veprimeve jo të shenjta
“O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë” (Jakobi 4:4).
Shkelja e kurorës është një veprim mëkatar i atij (ose asaj) që e shkel kurorën. S’ka dyshim që në mendje Jakobi kishte mëkatin e shkeljes së kurorës, kur përdori këtë fjalë për të përshkruar ata që zënë miqësi me botën, me veprimet dhe standartin e paperëndishëm të jetesës së saj. Është e pamundur që të jesh në të njëjtën kohë edhe mik i botës, edhe mik i Perëndisë. Në çfarëdo lloj forme që të jenë veprimet jo të shenjta, ato më në fund ia zënë vendin Perëndisë në jetën tonë.
Mënjanohu kënaqësive jo të shenjta
“Hiqni, pra, majanë e vjetër, që të jeni një brumë i ri, siç jeni pa maja; sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne.” (1 Korintasve 5:7).
“Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari” (Kolosianëve 3:5).
Kënaqësitë jo të shenjta dhe jo të shëndetshme duhet të vdesin. Ajo gjë që fillon si një ‘kënaqësi’, shpejt kthehet në një ‘zakon’ dhe fjala që përdor bota për ‘zakonin’ është: ‘tutelë’ ose ‘skllavëri’. Këtu përfshihen të gjitha llojet e dëshirave të liga. A ka nevojë i krishteri, për shembull, për ‘kënaqësitë’ e ashtu-quajtura të pijes, të drogës apo të alkolit, në mënyrë që të jetë i lumtur? A nuk i bëjnë këto kënaqësi njerëzit që më në fund ta humbasin lumturinë dhe shëndetin?
Mënjanohu profetëve jo të shenjtë
“Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin?” (2 Korintasve 6:15). “Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët” (Filipianëve 3:2).
Si besimtarë, ne duhet ta deklarojmë Biblën si fjalën e Perëndisë, që ka autoritet për besimin dhe jetën tonë. Kjo do të thotë që ne s’duhet t’ua përkushtojmë aspak vëmendjen heretikëve, feve të rreme, apo ideve të marra. Nuk kemi nevojë që të ndjekim ‘mësuesit’ apo ‘ profetët’ e brezit tonë. Duhet t’u mënjanohemi atyre që flasin kundër Frymës së Shenjtë dhe shenjtërimit. Kisha e sotme është më e prirur që t’u besojë predikuesve në televizor, sesa fjalës së shkruar të Perëndisë.
Mënjanohu njerëzve jo të shenjtë
“Por tani ju shkrova të mos përziheni me atë, të ashtuquajturin vëlla, që është kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpi-fës, o pijanec ose cub; me një të tillë bile as të mos hani bashkë” (1 Korintasve 5:11). “Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh” (2 Thesalonikasve 3:6).
Është e pamundur t’i mënjanohesh kontaktit me njerëz jo të shenjtë. Pali në këtë pasazh na mëson se duhet t’u largohemi atyre që thonë se janë të krishterë, por që kryejnë veprime jo të shenjta. S’duhet të kemi miqësi me këta lloj njerëzish. Lista që na ofrohet në vargun 1 Korintasve 5:11, është listë e gjatë, dhe fakti që të trishton më shumë është se këto gjëra janë të zakonshme në kishë. Nuk kemi punë me ata që nuk duan të qëndrojnë në të vërtetën biblike, sepse “Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira” (1 Korintasve 15:33).
Mënjanohu vendeve jo të shenjta
“Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: “Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im” (2 Korintasve 6:16).
Ne jetojmë në një periudhë kohe, ku ka shumë besime, dhe ku inkurajohet bashkimi i të gjitha feve në një të vetme. Për atë që beson tek Bibla, nuk duhet të ketë asnjë lloj marrëveshje apo bashkimi me fetë e rreme. Ata që mendojnë se mund ta adhurojnë Perëndinë së bashku me anëtarët e feve të tjera, e mashtrojnë (ose e gënjejnë) vetveten. Në vendet jo të shenjta përfshihen: klubet, kinemaja, etj.
Përfundim
“Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm” (2 Korintasve 6:17-18).
Ne jetojmë në një botë mëkatare dhe e dimë që është e pamundur t’i mënjanohemi kontaktit me gjërat që përmendëm në këtë studim, apo që të izolohemi plotësisht prej tyre. Apostulli Pal e vuri re se nuk mund të jetojmë të izoluar: “Ju kam shkruar në letër, të mos përziheni me kurvarë, dhe aspak me kurvarët e kësaj bote, ose me lakmuesit ose me cubat, ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni nga bota” (1 Korintasve 5:9-10). Na duhet të jetojmë në këtë botë mëkatare, por nuk na duhet të bëhemi pjesë e saj, apo të jemi prej saj: “Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës. Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu. Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota. Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta. Sikurse ti më ke dërguar mua në botë, po ashtu unë i kam dërguar ata në botë. Dhe unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë” (Gjoni 17:14-19). Është detyra jonë që t’ua mësojmë dhe t’ua predikojmë ungjillin atyre që janë të humbur në mëkat. Ashtu si Jezusi, ne mund të bëhemi “mik i mëkatarëve” (Luka 7:34), por nuk duhet të mëkatojmë bashkë me ta. “E kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz” (1 Korintasve 9:22).
Nga Pastor Gary J. Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



