Mëso fëmijën tënd të lutet



nga: niko.sejati, botuar me: 22.10.2008

Mëso fëmijën tënd të lutet!!

“Është koha për të fjetur dhe duhet të lutesh” ose “Zoti është i mirë, falenderoje Atë për ushqimin që të dha”, janë disa nga shprehjet më të zakonshme të prindërve drejtuar fëmijëve të tyre.

Për fat të keq në shumë raste vërejmë vështirësi tek fëmijët, për të thënë lutjet e tyre fëminore. Për këtë arsye ndjehemi të dëshpëruar dhe të shqetësuar sepse megjithëse shumë herë u kemi mësuar fëmijëve tanë të luten, rezultati nuk është i kënaqshëm. Kjo ndodh, sepse prindërit dhe më të mëdhenjtë, gjyshet dhe gjyshërit, harrojnë një të vërtetë të madhe. Fëmijët imitojnë dhe mësojnë nga ato që shohin tek më të mëdhenjtë. Si mund tu kërkojmë fëmijëve tanë të luten, kur ata nuk na kanë parë kurrë të lutemi? Si do mësojnë ata të falenderojnë Perëndinë për ushqimin ose shëndetin, nëse më parë nuk na shikojnë ne të gjunjëzuar, duke falënderuar Krijuesin për ditën që kaloi, për ushqimin që siguroi, për shëndetin tonë, për mbrojtjen e Tij, për drejtimin që Ai jep.

Më poshtë, po japim 7 këshilla të thjeshta, që mund të ndihmojnë fëmijët të kuptojnë rëndësinë e lutjes:

1. Lërini fëmijët tuaj t’ju shohin. Fëmijët mësojnë nga shembulli. Fëmijët dhe nipërit tanë duhet të shohin nënën në lutje dhe në studimin e Biblës. Bëhu shembull për fëmijët e tu nëpërmjet jetës tënde.

2. Ndani (diskutoni) problemin me ta. Në shumicën e rasteve kur shfaqet një problem në familje, prindërit i luten Perëndisë të japë zgjidhje, pa marrë pjesë në lutje edhe fëmijët e tyre. Lutuni bashkë me fëmijët dhe u jepni atyre mundësinë ta paraqesin problemin e familjes sipas mënyrës së tyre. Lutja për ndihmë duhet të ketë më shumë kohë sesa një lutje para ngrënies.

3. Shoqëroni fëmijët tuaj me një lutje. Çdo ditë kemi mundësinë t’u mësojmë lutjen fëmijëve tanë, me një mënyrë të thjeshtë dhe të shkurtër. Lutuni bashkë me ta para se ata të shkojnë në shkollë ose ekskursion, duke kërkuar mbrojtje dhe udhëheqje për ta nga Perëndia. Kërkoni nga fëmijët që të bëjnë të njëjtën gjë. Shumë herë, fjalët e lutjes vijnë që tu kujtojnë atyre atë për të cilën u lutën gjatë kohës në shkollë, dhe të kenë një sjellje të hijshme dhe të krishterë në çdo kohë.

4.Bëni një listë me lutje. Shkruani të gjithë emrat e të afërmve dhe miqve dhe formoni një listë me njerëz që kanë nevojë për lutjen tuaj. U jepni mundësinë fëmijëve të kenë edhe ata listën e tyre me personat e tyre të dashur nga familja, të afërmit, miqtë dhe shokët e tyre të klasës, por edhe për nevojat që ata shohin dhe dinë. Caktoni një kohë për lutje me ta. Mirë do ishte që lutjet tuaja të jenë të shkurtra, dhe të përmbledhura, në mënyrë që fëmijët tuaj të mos lodhen, por edhe për t’u dhënë mundësinë atyre të luten me më shumë dëshirë.

5. Falenderoni Zotin për çdo përfundim pozitiv. Nuk janë të pakta rastet kur, ndërsa kemi kërkuar nga Perëndia të veprojë dhe zgjidhja e një problemi ka ardhur me mënyrën më të mirë, harrojmë ta falenderojmë për rezultatin. Falenderojeni Perëndinë për çdo rast të tillë, duke u lutur bashkë me fëmijët tuaj. Kështu ata do mësojnë, jo vetëm të kërkojnë por edhe të falenderojnë.

6. Bëni një listë falënderimesh. Kur lutjet plotësohen në çështje që kishin lidhje me fëmijët tuaj, mësojini të falenderojnë Perëndinë për këtë. Do ishte mirë, që një herë në javë, të lutemi për rezultatet pozitive që morëm gjatë javës.

7. Këshilloni dhe në të njëjtën kohë lutuni. Kur fëmija ynë vjen për të na treguar një problem, p.sh. në lidhje me një shok të shkollës, këshillojeni dhe në të njëjtën kohë lutuni me të, për një rezultat pozitiv të problemit që e shqetëson. Këshilloni dhe lutuni në të njëjtën kohë. Kurrë mos bëni vetëm njërën ose vetëm tjetrën.

Duhet të mbajmë mend se fëmijët dhe nipërit tanë nuk do bëhen “luftëtarë lutjeje”, të cilët do të luten gjatë gjithë natës. Por, duam të mësojnë që lutja mund të bëhet pjesë e rëndësishme e jetës së tyre. Mbi të gjitha, lutjuni Perëndisë, në mënyrë që Ai, t’ju drejtojë dhe t’ju këshillojë se me çfarë lloj mënyre do punoni me ta. Dhe mos harroni se mësimi më i mirë është shembulli që ju u jepni.

Jeta juaj frymore do të bëhet bekim për ju, për fëmijët tuaj dhe për të gjithë ata që ju rrethojnë!


per autorin: