Mënyra e Shenjtërimit (Pjesa 6)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 30.06.2007

Perëndia e bën (punën e shenjtërimit) nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë
“Të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, me anë të shenjtërimit të Frymës,
për t’u bindur dhe për t’u spërkatur me gjakun e Jezu Krishtit.”
(1 Pjetrit 1:2)

Parathënie
Ati Perëndi e bën punën e Tij (të shenjtërimit) nëpërmjet thirrjes, qortimit dhe dhembshurisë së Tij. Zoti Jezu Krisht na siguron mënyrën për të marrë bekimin (e shenjtërimit), përmes gjakut të Tij sakrifikues dhe faj-shlyes. Por, nuk është gabim të themi se, pa ndihmën e Frymës së Shenjtë, e gjithë kjo punë do ishte e kotë dhe pa rezultat.

Ngushëlluesi ka ardhur
“Megjithatë Unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që Unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, Unë do t’jua dërgoj” (Gjoni 16:7). N.q.s. Shpëtimtari do kish qëndruar në tokë, sa pak njerëz do e ndjenjin praninë e Tij! Trenat, anijet dhe avionët do ishin të mbushur plot e përplot me pelegrinë, që do të donin me ngulm t’i hidhnin qoftë edhe një vështrim fytyrës së Tij. Por ka ardhur Ngushëlluesi, Përfaqësuesi Hyjnor i Krishtit në tokë. Ai ka ardhur t’u zbulojë Krishtin njerëzve. Ai merr prej gjërave të Krishtit dhe na i tregon ato neve. “…Ai do të marrë prej Simes dhe do t’jua kumtojë” (Gjoni 16:15).

Gjaku ka akoma fuqi te lajë mëkatin
Si është e mundur që gjaku i Krishtit, i derdhur mbi Kryqin e Kalvarit më shumë se dymijë vjet më parë, të falë mëkatet akoma edhe sot? Si mund t’i ndikojë dhe t’i ndryshojë ai shpirtrat tanë sot? Si mundet që natyra jonë mëkatare të kryqëzohet me Krishtin, që u gozhdua në kryq kaq kohë më parë? Si është e mundur të shenjtërohemi nëpërmjet Atij që e lejoi t’i tejshpohej trupi i vet? Perëndia e ka përgjigjen ndaj pyetjeve të tilla. Përgjigja gjendet në faktin se Ngushëlluesi ka ardhur. Është Ngushëlluesi që e vendos gjakun e Krishtit mbi shpirtrat tanë të njollosur nga mëkati. Çarlls Ueslli ka shkruar:

Eja, Ti, Frymë e përjetshme,
Silli çdo mendjeje që falenderon Zotin
Gjithë meritën e vdekjes së Shpëtimtarit,
Gjithë vuajtjet e Tij për njerëzimin,

Arkivist i vërtetë i pasionit të Tij,
Jepi tani besim të gjallë
çdo zemre besnike,
Zbulo tani shpetimin e Tij të madh.

Eja, Ti, Dëshmitar i vdekjes së Tij,
Eja Kujtues hyjnor,
Lejo që ta ndjejmë Fuqinë Tënde të zbulojë
Krishtin në çdo zemër dhe në zemrën time.

Në vargjet më lart lexojmë detyrën e Frymës së Shenjtë. Ai është “Arkivisti i vërtetë i pasionit të Tij” (të Krishtit), “Dëshmitari i vdekjes së Tij” dhe “Kujtuesi hyjnor”.

Përfundim
Duhet të tregojmë kujdes që të mos përpiqemi të shenjtërohemi në asnjë lloj mënyre tjetër, por vetëm nëpërmjet asaj mënyre të rekomanduar nga Zoti. Është me rrezik shkatërrues për shpirtin, kur mundohemi të shenjtërohemi përmes betejave shpirtërore, hidhërimeve dhe vullnetit tonë. Vetëm Fryma e Shenjtë është në gjendje të na tregojë rrugën dhe vetëm Ai mund të na drejtojë në të. Perëndia thotë: “Kjo është rruga, ecni në të!” (Isaia 30:21) dhe “Aty do të jetë rruga kryesore, një rrugë që do të quhet “rruga e shenjtë”; asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të; ajo do të jetë vetëm për ata që e ndjekin; edhe mendjeshkurtërit nuk do të mund të humbasin” (Isaia 35:8). Le “të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit” (2 Korintasve 10:5).


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net