Mënyra e Shenjtërimit (Pjesa 4)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 26.06.2007

Perëndia e bën (punën e shenjtërimit) nëpërmjet Premtimeve

“Duke i patur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë… Me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë.”
(2 Korintasve 7:1 dhe 2 Pjetrit 1:4)

Parathënie
Bibla na ofron një përkufizim të katërfishtë të natyrës së Perëndisë:
1. “Perëndia është Frymë” (Gjoni 4:24) - Natyra e Tij është frymore (shpirtërore), dhe kur ne bëhemi pjestarë të saj, ne bëhemi gjithashtu shpirtërore. Ai do të largojë natyrën mëkatare (të mishit).
2. “Perëndia është dritë” (1 Gjonit 1:5) - Perëndia do ta largojë errësirën dhe do t’i sigurojë shpirtrat tanë për këtë gjë në mënyrë të ëmbël dhe të qartë.
3. “Perëndia është dashuri” (1 Gjonit 4:8, 16) - Ai do të na mbushë me dashurinë e Tij. Ai do të largojë çdo ndjenjë urrejtjeje.
4. “Perëndia është një zjarr që konsumon” (Hebrenjve 12:29) - Ai do ta shkatërrojë të gjithë ndryshkun e egoizmit dhe të mëkatit.

Bekimi i transmetuar
Perëndia e realizon punën e shenjtërimit nëpërmjet premtimeve. Asgjë nuk është marrë ndonjëherë nga Perëndia pa pranuar premtimet e Tij. Duhet të lexojmë dhe të studiojmë premtimet e fjalës së Perëndisë, t’i mbështesim dhe t’i deklarojmë ato, t’i lutemi Perëndisë duke u bazuar në to. Nëse veprojmë kështu, do të shohim se besimi shpejt do të shpërthejë në zemrat tona dhe do të jemi në gjendje të besojmë në përfundimin e punës së shenjtërimit.

Fjala e shkruar ka vlerë dhe fuqi
Fjala e Perëndisë, Shkrimi Biblik (Bibla), është e fuqishme ndaj të gjitha veprave të djallit. Jezusi, gjatë tundimit të Tij në shkretëtirë, citoi vargje prej Shkrimit, dhe në këtë mënyrë, Ai i mposhti përpjekjet e Satanit për ta ndaluar misionin e Tij. Jezusi mori fuqi dhe inkurajim nga fjala e Perëndisë. A nuk duhet të bëjmë edhe ne kështu? Sepse, n.q.s. vendosim të ndjekim rrugën e shenjtërimit, armiku i shpirtrave tanë do të bëjë të pamundurën të na kthejë mbrapsht. Do t’ia prishim atij planet, nëse përdorim Shpatën e Shpirtit (Efesianëve 6:12-18).

Përfundim
Një pjesë e punës së Perëndise në shpirtrat tanë ka të bëjë me shenjtërimin (pastrimin) tonë nëpërmjet premtimeve të Tij. Ai na thërret dhe na tërheq drejt Vetes me dashuri. Ai na ndreq dhe na qorton, por Perëndia gjithashtu na ofron premtimet e Tij të mëdha dhe të çmueshme. Le t’i marrim (kapim) ato me gjithë fuqinë tonë. Le të besojmë se Ai na ka premtuar bekimin e shenjtërimit.

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net