Me të bindur apo me forcë?

Categories: Predikime

“Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit” (Gjoni 6:44).
 
Parathënie
Ç’është ungjillizimi biblik? A është ungjillizimi, që praktikohet sot i njëjtë me atë që praktikohej prej kishës së parë? Kishat e sotshme kanë hequr dorë së përdoruri metodat e caktuara prej Perëndisë lidhur me shumë aktivitete të ndryshme. I kanë zëvendësuar këto metoda me ato, që përdoren prej botës. Këto të fundit mund të duken më efikase, por gjendja e mjeruar shpirtërore e shumicës së kishave të sotshme na tregon se këto metoda të botës nuk janë ato, për të cilat ka nevojë kisha.
 
Metoda
Në vargun në hyrje të këtij studimi na thuhet se shpëtimi i mëkatarëve është vepër e Perëndisë dhe metoda që përdor Ai, është predikimi i ungjillit. Gjon Uesli shkruan kështu: “Jo me forcë, por me hirin e ëmbël hyjnor”. Pa dyshim që është shpirti, të cilit i predikohet ungjilli, ai që merr vendimin përfundimtar, për ta pranuar apo jo Krishtin. “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun” (Romakëve 1:16)… “Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën” (Gjoni 5:40). Kisha e parë nuk u përpoq, që t’i bënte njerëzit për ta pranuar Krishtin me zor. Përkundrazi, anëtarët e saj thjesht predikuan të vërtetën, duke e lejuar Frymën e Shenjtë të bëjë punën e Tij. “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni 16:8).
Perëndia e tërheq mëkatarin drejt vetes, nëpërmjet predikimit të fjalës së Tij, si edhe me anë të fuqisë bindëse të Frymës së Shenjtë. Bibla na e shpjegon qartë tmerrin, që do të përjetohet prej atyre, që e hedhin poshtë ungjillin e shpëtimit nëpërmjet Krishtit. Vetë Jezusi me gojën e Tij tha se Ferri do t’i presë të gjithë ata, që e mohojnë Atë. “Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi i dhëmbëve” (Mateu 8:12, 22:13, 24:51, 25:30, Luka 13:28). Njerëzit përfundojnë në Ferr, ngaqë janë “të vdekur në faje dhe në mëkate” dhe nuk pranojnë të pendohen (Efesianëve 2:1). E hedhin poshtë çdo thirrje për t’i besuar Atij, i Cili është e vetmja rrugë, e vërteta dhe jeta (Gjoni 14:6). Shumica e njerëzve duan të shpëtohen me forcat e tyre, në bazë të talenteve e aftësive që zotërojnë, por Pali na thotë: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianëve 2:8-9). Siç e ka thënë dikush: “Shpëtimi nuk fitohet me para, por është paguar me gjak”. Njeriu që është vërtet i shpëtuar, përmbush këto tre kritere: 1) Është thirrur prej Perëndisë, 2) Është bindur se është mëkatar, 3) Është penduar për mëkatin dhe i ka kërkuar falje Perëndisë.
 
Problemi
Kishat e sotshme nuk i kryejnë më aktivitetet e tyre sipas rregullave të Perëndisë. Disa kanë adoptuar metodat e botës, me qëllim që ta mbushin kishën plot (p.sh. nëpërmjet shfaqjeve muzikore, vallëzimeve, lojrave të ndryshme, etj.). Metoda të tilla janë mëkatare dhe të neveritshme në sytë e Perëndisë. Ka të tjerë, të cilët duke e parë se sa e nevojshme është që njerëzit të shpëtohen, iua futin atyre frikën, me qëllim që të bëhen të krishterë, p.sh. duke iu thënë njerëzve: “Zoti do të kthehet sonte, ndaj po nuk u pendove, do të përfundosh përgjithmonë në Ferr”. Kjo metodë mund të duket biblike, por nuk e ka predikuesi për detyrë të kryejë punën e Frymës së Shenjtë. Perëndia nuk i shpëton njerëzit me zor, apo me forcë, apo me detyrim!
Ata që dëgjojnë predikime të tilla frikë-prurëse, edhe mund të shpëtohen, por shpëtimi i tyre ka ardhur si rezultat i frikës që kanë ndaj Ferrit e jo prej dashurisë që kanë për Krishtin. Predikuesit duhet ta lejojnë Frymën e Perëndisë, që t’i bindë mëkatarët për gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhen. “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim. Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua; për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më; për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar” (Gjoni 16:8-11). Po nuk u bindën njerëzit se janë mëkatarë, atëherë kot që pendohen! Nuk na duhen njerëz, që të vijnë në kishë e të ngrohin karrigen! Na duhen njerëz që vërtet janë pajtuar me Perëndinë (Romakëve 5:10).
 
Përgjigja
Të njëjtat metoda frikë-prurëse përdorin edhe fetë e rreme, me qëllim që të mos iu largohen adhuruesit. Frika është një emocjon i fuqishëm njerëzor, por nuk duhet t’ia zërë vendin punës bindëse të Frymës së Shenjtë, kur bëhet fjalë për shpëtimin e njerëzve. Apostulli Pal tha: “Duke e njohur frikën e Zotit, ne bindim njerëzit” (2 Korintasve 5:11). Ai iu drejtua besimtarëve, jo atyre që nuk besonin. Ai e dinte se ç’thoshte Bibla për gjykimin, që i pret ata që nuk pendohen, ndaj edhe iu predikonte të humburve ungjillin. E njëjta ide shprehet edhe tek 1 Korintasve 9:16, “Mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!” Askund në Bibël nuk na thuhet se apostujt përdorën metoda jobiblike për t’i shpëtuar njerëzit.
Zoti Jezus na e dha Vetë metodën, që duhet të përdorim dhe fjalët e Tij janë po aq të vlefshme sot, saç ishin edhe më shumë se 2 mijë vjet më parë: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:19-20). Njerëzit nuk shpëtohen vërtet, duke patur frikë nga Ferri, por siç e tha edhe Jezusi: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3).                  
      
Përfundim
Në Bibël nuk na thuhet që t’iua futim frikën njerëzve, me qëllim që ta pranojnë Krishtin si Shpëtimtar, sepse, në më të shumtën e rasteve, një metodë e tillë në vend që t’i afrojë njerëzit në kishë, i largon ata prej saj. Ata duhet të vijnë tek Krishti nga dashuria që kanë për Të, jo nga frika e Ferrit. “Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri” (1 Gjonit 4:18). Njerëzit që vijnë në kishë nga frika, e kanë shkelur urdhërimin e parë të Perëndisë, që thotë: “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde” (Ligji i Përtërirë 6:5). Në të njëjtën kohë, nuk duhet të predikojmë të ashtu-quajturin “Ungjillin e Dashurisë”, d.m.th. thjesht t’iu themi njerëzve se Krishti i do, ndaj edhe duhet t’i besojnë Atij. Me pak fjalë, pra, duhet t’i prezantojmë botës fjalën e Perëndisë dhe ta thërrasim atë të vijë tek Krishti. Kjo do të thotë që duhet t’iu mësojmë njerëzve të gjithë ungjillin, duke përfshirë këtu edhe pasojat, që do të vijnë, po qe se ata e hedhin poshtë Krishtin. Nuk duhet t’i zëmë vendin Frymës së Shenjtë, duke u përpjekur për t’i detyruar njerëzit të shpëtohen me zor. Nuk ia vlen të veprosh në këtë mënyrë. Le të tregohemi të mençur, me mençurinë e Biblës, kur vjen puna për t’iua paraqitur ungjillin mëkatarëve. “Fryti i të drejtit është një dru i jetës, dhe ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë” (Fjalët e Urta 11:30).   
    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
Author: magda maylam

Leave a Reply