Mbreti duhet të mbretërojë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 24.03.2007

Parathënie

“Kështu ata që ishin mbledhur bashkë e pyetën, duke thënë: “Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?”. Por ai u tha atyre: “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet. Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:6-8). Dishepujt donin ta dinin se kur do të restaurohej Izraeli. Për ta, momenti më i përsosur ishte tani që Zoti Jezus Krisht ishte ngjallur fizikisht prej së vdekuri dhe mund të sundonte si Mbret. Fakti që pyetën, tregon se ata nuk e kuptonin arsyen se përse kjo gjë nuk mund të realizohej menjëherë. Jezusi tha se ata nuk duhej të shqetësoheshin lidhur me restaurimin e Izraelit, sepse nuk e kishin për detyrë që ta dinin se kur do të ndodhte kjo ngjarje. Kjo përgjigje e Jezusit vërteton se restaurimi i Izraelit do të ndodhte në të ardhmen, në një kohë kur dishepujt të kishin vdekur. Në vend që të merakoseshin për këtë ngjarje, dishepujt duhej ta përqëndronin vëmendjen tek predikimi i Ungjillit në mbarë botën. Teksti i mësipërm na jep ca njohuri rreth ngjarjeve, që do të ndodhin para Ardhjes së Dytë të Krishtit dhe para restaurimit të Izraelit nën dritën e lavdisë së Perëndisë.

Përhapja (Derdhja) e Frymës së Shenjtë

Jezusi  nuk do të kthehej para se të përhapej Fryma e Shenjtë. Dita e Pentikostit nuk ishte vetëm ditëlindja e Kishës, por edhe fillimi i ditëve të fundit: “Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: “Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë. Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi. Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit. Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet” (Veprat e Apostujve 2:16-21). Izraeli u vu mënjanë, përsa kohë që filloi të egzistojë Epoka e Kishës: “Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: rreptësinë mbi ata që u rrëzuan, dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh… Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur këtë të fshehtë që të mos mbaheni me të madh në veten tuaj se i ka ndodhur një ngurtësim një pjese të Izraelit deri sa të ketë hyrë tërësia e johebrenjve” (Romakëve 11:22, 25). “Tërësia e johebrenjve” nuk është njëlloj me “Epokën e Kishës”, por të dyja këto kohë egzistojnë paralel me njëra-tjetrën, derisa të kthehet Krishti e të themelojë Mbretërinë e Tij 1000-vjeçare.

Ungjilli duhet të predikohet në mbarë botën

Njohuria e shpëtimit me anë të Jezus Krishtit duhet të arrijë të predikohet edhe tek njerëzit më të izoluar në botë: “Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi” (Mateu 24:14).

Një ri-bashkim i popullit të shpërndarë

Para ditës së Pentikostit, dishepujt e dëgjuan Jezusin tek iu fliste, por nuk e kuptuan se Izraeli do të shkatërrohej dhe se një pjesë e popullit do të shpërndahej në të gjitha kombet e botës: “Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër. Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të. Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar. Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull. Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t’i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve” (Luka 21:20-24). Fakti i shpërndarjes së judenjve vërtetohet edhe nga Jakobi 1:1, “Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë: përshëndetje!”. Prandaj, para se të ketë restaurim, duhet të ketë shpërndarje. Ri-bashkimi i judenjve në 1948-tën bëri që të punojë përsëri ora profetike e Izraelit.

Duhet që t’i vijë fundi Epokës së Kishës

Apostulli Pal e qartëson mirë këtë çështje tek Romakëve 11:15, “Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç’do të jetë ripranimi i tyre, përveç se kalimi prej vdekjes në jetë?” Në mënyrë që Zoti t’i kthejë përsëri judenjtë tek Vetja, Kisha nuk duhet të egzistojë më në tokë. Prandaj, marrja e Kishës në Qiell duhet të ndodhë para se Zoti Jezus Krisht të mbretërojë për 1000 vjet në Jeruzalem.

Përfundim

Kjo do të ndodhë menjëherë kur këmbët e Jezusit të prekin përsëri token izraelite. Ai do të mbretërojë si Mbret i Izraelit dhe mbi çdo komb të botës: “Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë… Dhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij; dhe mbretërit e dheut do të sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të” (Zbulesa 17:14; 21:24). Izraeli do të bëhet kombi numër 1 i botës, kurse Jeruzalemi do të jetë kryeqyteti i saj. Kështu do të përmbushen premtimet e Perëndisë ndaj Abrahamit: “Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim… dhe do t’i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit; do t’u jap atyre tërë këto vende, dhe të gjitha kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu” (Zanafilla 22:18; 26:4), si edhe premtimet e Perëndisë ndaj Izraelit: “Të gjitha kombet do t’ju shpallin të lumtur, sepse ju do të jeni një vend kënaqësish, thotë Zoti i ushtrive” (Malakia 3:12). 

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com