Mbreti dhe Puthja



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 24.11.2007

Parathënie
Në këtë pasazh të Ungjillit sipas Markut, do të shohim metodën, me anë të së cilës Juda Iskarioti e tradhtoi Zotin Jezus Krisht në duart e armiqve të Tij.

Shpata
“Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë. Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: “Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt”. Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: “Rabbi, Rabbi!”; dhe e puthi përzemërsisht! Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan. Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: “Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub? E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët” (Marku 14:43-49a).
Armiqtë e Krishtit nuk arritën dot ta kuptonin se mbretëria e Tij nuk ishte e kësaj bote. Ata kujtonin se armët ishin të domosdoshme për ta kapur Krishtin me forcë. Ndoshta besonin se pasuesit e Tij do t’i dilnin në mbrojtje, por, në fakt, të gjithë dishepujt e braktisën Jezusin, edhe pse Pjetri u përpoq për ta mbrojtur (shiko më poshtë). “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej” (Gjoni 18:36). Juda e tradhtoi Mbretin e Mbretërve me një puthje tradhtari, sepse ai nuk besonte në Mbretërinë e Perëndisë. Ç’mendime i vinin në mendje, vallë, tradhtarit, kur e pyeti Zoti: “Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?” (Luka 22:48).
“Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij. Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij. Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë. Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, doli dhe i pyeti: “Kë kërkoni?”. Ata iu përgjigjën: “Jezusin Nazareas”. Jezusi u tha atyre: “Unë jam!”. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta. Sapo ai u tha atyre: “Unë jam”, ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe. Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: “Kë kërkoni?”. Ata thanë: “Jezusin Nazareas”. Jezusi u përgjigj: “Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë”; që të përmbushej fjala që kishte thënë: “Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë”. Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk” (Gjoni 18:1-10). Këtu e shohim se si madje edhe vetë dishepujt e Jezusit kujtonin se Mbretëria ishte e kësaj bote. Jezusit i mjaftonte që të fliste vetëm një fjalë dhe të gjithë armiqtë e Tij do të shkatërroheshin. Por Ai vendosi që të mos fliste, sepse ishte vullneti i Atit të Tij që Ai të ishte Shpëtimtari i botës: “A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?” (Mateu 26:53).
Çdo lloj feje që përdor armë për të mbrojtur kauzën e saj, e vërteton se është prej mishit (prej njeriut), jo prej Perëndisë. Arsenali i besimtarit nuk përbëhet prej bombash, pistoletash, apo thikash: “Sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi” (2 Korintasve 10:4)… “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time,” thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6). Ungjilli i vërtetë mbrohet me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe rritet e zë rrënjë në zemrën dhe ndërgjegjen e njeriut vetëm nëpërmjet ndikimit me anë të kësaj Fryme. Ata që përdorin dhunë për të propaganduar teoritë e fesë së tyre, kanë për të humbur: “Sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin” (Mateu 26:52).

Shkrimet e Shenjta (Bibla)
“Por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!” (Marku 14:49b).
Çdo njeri i pranishëm në kopësht atë natë, pavarësisht nga qëllimet e veta, po luante rolin e tij në përmbushjen e profecisë. Fjalët e Psalmit 22 dhe të profetit Isaia u përmbushën pikë për pikë nga Gjetsemania e deri në Kalvar. Plani dhe qëllimi i Perëndisë për të dërguar në botë Birin e Tij të Vetëmlindurin ishte paratreguar me kohë në Bibël. Ajo që ndodhi, ishte rezultat i planit të madh të Perëndisë për të siguruar mënyrën e shpëtimit për një botë të humbur në mëkat.
Nganjëherë, na duket sikur bota rreth e rrotull nesh është në kaos e në rrëmujë të plotë. Por le të jemi të sigurtë se Perëndia i Gjithëpushtetshëm është nën kontroll të plotë të gjithçkaje dhe është në gjendje t’i hedhë poshtë planet e njerëzve: “Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë” (Psalmi 47:8). Pavarësisht se mund të na duket se gjërat nuk po na shkojnë për së mbari, “ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28). Qeveritë e kësaj bote mund të thurin kompllote së bashku kundër Zotit dhe popullit të Tij, por Perëndia është ende i ulur në fron: “Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij, duke thënë: “Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre”. Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta” (Psalmi 2:2-4). Gjithçka do të kryhet sipas vullnetit të Perëndisë.

Shpërndarja
“Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë. Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellur me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën. Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre” (Marku 14:50-52).
Sapo u arrestua Zoti, të njëmbëdhjetë dishepujt ikën me vrap për të shpëtuar jetën e tyre. Sapo u ballafaquan me rrezikun, ata i harruan tërë deklaratat e besimit, që kishin bërë më parë. Duhet të nxjerrim mësim prej këtij incidenti, me qëllim që të mos mburremi kurrë për forcën që kemi. Salomoni pati të drejtë kur shkroi: “Frika e njeriut përbën një lak” (Fjalët e Urta 29:25).
 
Përfundim
Gjithçka u përmbush në përputhje me profecitë e Dhiatës së Vjetër dhe në përputhje me vetë fjalët e Jezusit, lidhur me mënyrën me të cilën u tradhtua Ai. Dishepujt nuk kishin, pra, pse të habiteshin. U habitën, ngaqë nuk e kishin dëgjuar me vëmendje Zotin, kur iu fliste. Edhe ne sot kemi Biblën në dorë, por a e dëgjojmë zërin e Frymës së Shenjtë, tek i lexojmë dhe i studiojmë faqet e saj?    


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net