Mbajtja e qëndrimit ndaj armikut

Categories: Predikime

“Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë?” (1 Samuelit 17:26).
 
Parathënie 
Davidi e pa se si ushtria e Izraelit ishte e frikësuar madje edhe nga hija e gjigandit Goliath. Asnjëri prej ushtarëve me përvojë nuk kishte pikë besimi, edhe pse Goliathi e kishte poshtëruar ushtrinë e Zotit. Edhe sot, ushtarët e Perëndisë së Gjallë nëpër kisha mund të krahasohen me frikacakët e hershëm. Themi se i besojmë Zotit, por, në të njëjtën kohë, i kemi lejuar gjigandët e kësaj bote të na pengojnë. Ka gjithashtu nga ata besimtarë, të cilët kanë nënshkruar pakte paqeje me armiqtë, që guxojnë ta sfidojnë Zotin.
 
Frikacakët e mundur
Gjatë këtyre pesë dekadave të fundit, të krishterët nuk kanë mbajtur qëndrim kundra mëkatit, mësimeve të rreme, apo të ashtu-quajturës ‘shkencë’, por i kanë lejuar këto gjëra që të përparojnë gjithnjë e më shumë. Le të marrim në konsideratë, për shembull, çështjen e abortit. Të paktë janë ata njerëz sot, që e konsiderojnë abortin si diçka të ligë, ndërkohë që të shumtë janë ata që janë gati për ta burgosur cilindo, që vjedh vezë zogu! Shoqëria është kthyer përmbys dhe jeta e njeriut ka shumë pak vlerë në sytë e shumicës. Të shumtë janë ata të krishterë, që gjejnë justifikime nga më të ndryshmet për faktin se nuk mbajnë qëndrim ndaj abortit, duke e konsideruar atë madje në disa raste edhe si një proçedurë të ligjshme mjekësore. A nuk na tregon kjo se njerëz të tillë kanë frikë nga Goliathi?
Po homoseksualiteti? Një sjellje e tillë mëkatare dikur konsiderohej krim, kurse sot homoseksualët mburren para të tjerëve dhe madje disa prej tyre e quajnë veten edhe të krishterë! Ka nga ata drejtues fetarë, të cilët janë dakort që homoseksualët të martohen në kishë, sepse, sipas tyre, homoseksualiteti nuk është mëkat, kur dy burra apo dy gra e duan njëri-tjetrin, apo njëra-tjetrën! Ky brez i ri gradualisht po e pranon këtë lloj mënyre jetese si diçka normale.
Ka edhe shumë e shumë Goliathë të tjerë, që e poshtërojnë Zotin dhe fjalën e Tij. Secilit prej tyre i është lejuar, që ta frikësojë popullin e Perëndisë e t’ia mbyllë atij gojën. Krishti vërtet që nuk na dha urdhër që të protestojmë kundra çdo lloj të lige shoqërore, por, në të njëjtën kohë, Ai na ngarkoi detyrën e dhënies së ilaçit për shërimin e shoqërisë. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20). Nuk na duhet të jemi profesjonista, që ta bëjmë një punë të tillë, por thjesht, si Davidi, le t’i dalim në mbrojtje së vërtetës. “Unë po të dal në emër të Zotit të ushtërive” (1 Samuelit 17:45).
 
Pasoja të qarta
Frika e ka një çmim dhe ky çmim vihet re mirë në jetën e sotshme. Njerëzve, e sidomos fëmijëve, nuk po iu mësohet se si të jenë të drejtë, të respektueshëm dhe të kujdesshëm. Cilësi të tilla janë të rrënjosura thellë në fjalën e Perëndisë, por populli nuk po e lexon Biblën, ndaj edhe nuk i di mirë pasojat e mëkatit. Njeriu i sotshëm e ka hedhur poshtë atë, që ai e quan pengesë ndaj lirisë së vet, por, duke vepruar kështu, ai është bërë skllav i mëkatit. Le të mos e harrojmë, pra, faktin se të gjithë jemi shërbëtorë të dikujt! “A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?” (Romakëve 6:16).
Fatkeqësisht, për shkak të frikës, shumica e të krishterëve e kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj asaj që ndodh sot nëpër kisha. Vargonjtë, me të cilët janë lidhur, po i çojnë drejt e në Ferr. “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (1 Korintasve 6:9-10). Pali na e bën të qartë se nuk duhet të mbajmë shoqëri me njerëz të tillë. “Por tani ju shkrova të mos përziheni me atë, të ashtuquajturin vëlla, që është kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpifës, o pijanec ose cub; me një të tillë bile as të mos hani bashkë. Sepse a më takon mua të gjykoj edhe ata që janë jashtë? A nuk i gjykoni ju të brendshmit? Por ata të jashtmit Perëndia i gjykon. Prandaj nxirreni të ligun nga vetja juaj” (1 Korintasve 5:11-13). Disa kisha nuk kanë pranuar ta zbatojnë urdhërimin e Zotit, lidhur me dishepullizimin e besimtarëve të rinj dhe pasojat e një veprimi të tillë janë mëse të dukshme. Mësimet e mira biblike janë zëvendësuar me argëtime dhe zbavitje. Nëse nuk luftojmë “për besimin, që u qe trasmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë” (Judës, vargu 3), atëherë kthehemi në “shërbëtorë të pavlefshëm” (Mateu 25:30) dhe i bëjmë besimtarët e rinj edhe “dy herë” më të këqinj se më parë! (Mateu 23:15).
 
Guximi i krishterë
Duhet të tregohemi të guximshëm për atë që besojmë. Pali na thotë që të forcohemi “në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij” (Efesianëve 6:10) dhe të luftojmë “luftën e drejtë të besimit” (1 Timoteut 6:12). Si ushtarë të krishterë që jemi, duhet të veshim “gjithë armatimin e Perëndisë”, që të mund të qëndrojmë “kundër kurtheve të djallit” (Efesianëve 6:11). Nëse nuk e zbatojmë urdhërin e Zotit, atëherë Atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta derdhë gjykimin e Tij mbi ne, sepse, kur “qiriri” ynë është i fshehur nën “babune”, atëherë “terri mbulon tokën dhe një errësirë e dëndur mbulon popujt” (Mateu 5:15, Isaia 60:2). Prandaj edhe vetë e kemi fajin.
Davidi kishte mundur luanin dhe ariun, ndaj edhe filistenjtë dhe gjigandi i tyre nuk ishin më të fortë sesa ai, që i besonte Zotit. Le të ikin të tjerët me vrap nga frika. Le të qëndrojmë të fortë në besim. Pavarësisht sesa të mëdhenj e të fuqishëm mund të jenë gjigandët, ata nuk krahasohen dot me praninë e Perëndisë brenda nesh. “Ju jeni prej Perëndisë, o djem të rinj, dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë” (1 Gjonit 4:4). Për më tepër, Jezusi na ka premtuar se “dyert e ferrit nuk do ta mundin” kishën e Perëndisë së Gjallë (Mateu 16:18). Është pikërisht një besim i tillë tek Zoti, që i hedh “poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit” (2 Korintasve 10:5).  
         
Përfundim 
Duhet të mbajmë qëndrim ndaj mëkatit, duke u treguar të bindshëm ndaj asaj që na thotë Zoti. Duhet ta deklarojmë hapur të vërtetën, e jo thjesht të protestojmë kundra gënjeshtrave. “Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t’ju dorëzojë në duart tona” (1 Samuelit 17:47). Nëse i besojmë Zotit ashtu siç i besoi edhe Davidi, atëherë do t’i mundim të gjithë Goliathët tanë. “Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju!” (Jakobi 4:7).
    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
magda.maylam
Author: magda.maylam

me teper per autorin Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

Leave a Reply