Llustrimi i viçave prej ari



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 21.10.2011

“Pastaj Jeroboami ndërtoi Sikemin në zonën malore të Efraimit dhe u vendos aty; pastaj doli që andej dhe ndërtoi Penuelin. Jeroboami tha në zemër të vet: “Tani mbretëria do t’i kthehet me sa duket shtëpisë së Davidit. Në rast se ky popull shkon në Jeruzalem për të ofruar flijime në shtëpinë e Zotit, zemra e këtij populli do të kthehet përsëri nga zotëria e tij, nga Roboami, mbret i Judës; kështu do të më vrasin dhe do të kthehen nga Roboami, mbret i Judës”. Mbasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: “Është shumë për ju të shkoni deri në Jeruzalem! O Izrael, ja ku janë perënditë e tua që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!”. Pastaj vendosi njerin prej tyre në Bethel dhe tjetrin në Dan. Ky ishte shkaku i mëkatit, sepse populli shkonte deri në Dan për të rënë përmbys përpara një viçi.” (1 Mbretërve 12:25-30).
 
Parathënie
Idhujtaria, e cila ishte bërë si diçka e zakonshme në historinë së Izraelit, kishte ardhur pjesërisht si rezultat i mosbindjes së Salomonit ndaj fjalës së Perëndisë. Ai, jo vetëm që mori për nuse bijat e mbretërve paganë, por edhe praktikoi ritet e tyre fetare. “Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij” (1 Mbretërve 11:4). Këtë e kishte parashikuar edhe Zoti tek Ligji i Përtërirë 7:3. “Nuk do të lidhësh martesë me ta. Nuk do t’u japësh bijat e tua bijve të tyre dhe nuk do të marrësh bijat e tyre për bijtë e tu, sepse do t’i largonin bijtë e tu nga unë për t’u shërbyer perëndive të tjera” Ndaj edhe Perëndisë s’i mbeti gjë tjetër, veçse ta derdhte zemërimin e Tij mbi Salomonin: “Dhe zemërimi i Zotit do të ndizej kundër jush dhe do t’ju shkatërronte menjëherë” (Ligji i Përtërirë 7:4)… “Prandaj Zoti i tha Salomonit: “Me qenë se kë bërë këtë gjë dhe nuk ke respektuar besëlidhjen time dhe statutet e mia që të kisha urdhëruar, unë do të ta heq mbretërinë nga dora dhe do t’ja jap shërbëtorit tënd” (1 Mbretërve 11:11).
 
Feja në epokën para erës sonë (para Krishtit)
Dhjetë fiset e Izraelit iu dhanë Jeroboamit. Përsa kohë që ai do t’i bindej Zotit, mbretërinë do ta kishte të siguruar. “Kështu do të të marr ty dhe ti do të mbretërosh mbi gjithçka dëshiron zemra jote, dhe do të jesh mbret i Izraelit. Në rast se dëgjon me kujdes të gjitha ato që po të urdhëroj dhe ecën në rrugët e mia, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e mi, duke respektuar statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu siç veproi Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme, ashtu si ja ndërtova Davidit, dhe do të të jap Izraelin” (1 Mbretërve 11:37-38). Fatkeqësisht, Jeroboami nuk i qëndroi besnik Perëndisë, por themeloi një mbretëri sipas rregullave të veta, ashtu siç e shohim edhe në hyrje të këtij studimi.
Mund të na vijë çudi që Izraeli u mashtrua aq shpejt dhe filloi të adhurojë viçat prej ari, sidomos kur marrim parasysh faktin se nuk ishte hera e parë që izraelitët ishin ballafaquar me një situatë të tillë. Në fakt, Jeroboami përdori të njëjtat fjalë si edhe Aaroni, për t’i inkurajuar izraelitët, që t’i pranonin idhujt si perënditë e tyre. “”O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!”” (Eksodi 32:4). Njëri viç u vendos në veri të vendit, kurse tjetri në jug, me qëllim që njerëzit ta kishin të lehtë për të shkuar në vendin e adhurimit. Jeroboami u mundua që t’i ndalonte njerëzit që të shkonin në Jeruzalem, për të adhuruar Perëndinë e vërtetë. E shohim, pra, se si izraelitët nuk e patën të vështirë për ta pranuar këtë lloj idhujtarie, ngaqë kishte qenë Salomoni ai, që iua kishte hapur rrugën. Shumë shpejt, Izraeli e shkëmbeu lavdinë e Jeruzalemit me idhujt e Danit dhe të Bethelit. Jeroboami iua mbushi mendjen izraelitëve se nuk po adhuronin perëndi të rreme, por po nderonin Zotin në një mënyrë të re. Sipas mendimit të tij, viçat prej ari simbolizonin Jehovain. Por Jeroboami nuk u kënaq vetëm me kaq. Ai donte t’iua hiqte njerëzve nga mendja çdo lloj njohurie, që mund të kishin lidhur me Perëndinë, duke iu dhënë atyre festa të tjera, në vend të atyre që kishte urdhëruar Zoti. “Jeroboami caktoi një festë në muajin e tetë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, të njëllojtë me festën që kremtohej në Judë dhe ofroi flijime mbi altarin. Kështu veproi në Bethel për të flijuar viçat që ai kishte bërë; dhe në Bethel vendosi priftërinjtë e vendeve të larta që kishte ngritur. Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, muaj i zgjedhur nga ai vetë, Jeroboami u ngjit në altarin që kishte ndërtuar në Bethel; caktoi një festë për bijtë e Izraelit dhe u ngjit në altar për të djegur temjan” (1 Mbretërve 12:32-33). E shohim, pra, se si feja e re e Jeroboamit ishte, në fakt, një ringjallje e fesë së vjetër. Jeroboami nuk e pati të vështirë ta themelonte një fe të tillë, sepse njerëzit ishin mëkatarë. Kjo fe iu dha atyre një perëndi, të cilin mund ta shikonin e mund ta preknin. Këta perëndi nuk kërkonin që izraelitët të zbatonin një listë të gjatë rregullash e ligjesh. Ata thjesht donin që të adhuroheshin prej tyre.
 
Feja në epokën pas erës sonë (pas Krishtit)
Është mëse e qartë se sot askush në kishat tona nuk adhuron viça të vërtetë prej ari, por, a nuk është e vërtetë se shumica e besimtarëve e nderojnë Perëndinë, ashtu siç iua thotë mendja dhe jo ashtu siç thotë fjala e Tij? Ta adhurosh Zotin në një mënyrë të ndryshme nga ajo, që na ka urdhëruar Ai, është njëlloj si të adhuruarit e Jeroboamit. Njëri nga viçave më të mëdhenj prej ari është tradita dhe zakonet, të trashëguara nga brezi në brez, të cilat nuk bazohen fare tek Bibla. Traditat dhe zakonet e tilla e verbojnë shpirtin. “Dhe ju përse shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?” (Mateu 15:3).
Një viç tjetër prej ari është të adhuruarit e numrave. Njerëzit sot duan që gjithçka në kishë të jetë e madhe, e zhurmshme, e ndritshme. Shpesh, kishat e vogla as që merren fare në konsideratë, por quhen të parëndësishme në punën që bëjnë për Zotin. Puna ka arritur deri aty, sa pastorët e kishave të tilla fillojnë e kërkojnë falje dhe bëhen me turp, kur i pyesin se sa anëtarë ka kisha e tyre. Ata që adhurojnë perëndinë e numrave, e kanë gabim. Kisha e hershme nuk u mundua që të kishte sa më shumë anëtarë. Përkundrazi, apostujt predikonin rreth Krishtit dhe ia linin gjithçka tjetër Perëndisë. “Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar” (Veprat e Apostujve 2:47). Dëshirojmë që t’i shohim anëtarët e kishës sonë të rriten “në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (2 Pjetrit 3:18). Por nuk duhet të mundohemi të bëjmë atë punë, që i takon vetëm Zotit. “Dhe, duke kaluar nëpër qytete, i urdhëronin ata të zbatojnë vendimet që ishin marrë nga apostujt dhe nga pleqtë në Jeruzalem. Kishat, pra, po forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër përditë” (Veprat e Apostujve 16:4-5). T’i ftosh njerëzit thjesht me qëllim për t’u argëtuar në kishë, me shpresën që të vijnë tek Krishti, është njëlloj si të llustruarit mirë të viçave prej ari të fesë së rreme.     
 
Përfundim   
Më në fund, viçat prej ari të Jeroboamit i sollën shkatërrimin fiseve të Izraelit verior. Idhujtaria merr forma nga më të ndryshmet. Ajo nuk është thjesht në formë statujash, apo ikonash, që gjenden në godinat e feve të rreme. Pali na thotë se edhe lakmia “është idhujtari” (Kolosianëve 3:5). Idhujtaria e çfarëdo lloj forme është rebelim i hapur kundra vullnetit dhe fjalës së Perëndisë. Qëkurse Kaini u mundua ta adhuronte Zotin sipas mendjes së vet, edhe sot e kësaj dite njeriu vazhdon ta ofendojë Perëndinë, duke e hedhur poshtë vullnetin e Tij (Zanafilla 4). Viçat prej ari, pra, i gjejmë kudo. S’është çudi që Gjoni na thotë: “Djema, ruani veten nga idhujt” (1 Gjonit 5:21).  
  
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com

Lidhje te tjera..

 

  • #
  • #
  • #
  • No related posts