Libri: Sekreti i Drejtimit
Doli ne qarkullim libri i F. B. Meyer me titull “Sekreti i Drejtimit”.
Per ta porositur direkt nga interneti mund te lidheni me www.shtepiaelibrit.com
_Pjese nga libri:
Shumë bij të Perëndisë janë kaq thellë të përfshirë në çështjen e drejtimit, saqë do ishte e udhës të jepja disa sugjerime përsa i përket njohjes së rrugës nëpër të cilën Ati ynë na kërkon të ecim, si dhe në punën që Ai do të dëshironte të bëjmë. Rëndësia e kësaj çështjeje nuk mund të quhet e ekzagjeruar; sepse fuqia dhe paqja jonë varen kaq shumë nga njohja e faktit se ku do të dëshironte Perëndia që ne të ishim, si dhe në të qenurit pikërisht atje.
Mana bie vetëm atje ku kolona e resë shfaqet; por është e sigurt se gjendet po ashtu në rërën, e cila disa orë më parë shkëlqente nën dritën flakëritëse të zjarrit qiellor por që tani është mbuluar nga hije resh si shtëllungë. Nëse gjendemi pikërisht atje ku Ati qiellor do të donte të ishim, ne jemi krejt të sigurt se Ai do sigurojë ushqimin, veshjen dhe gjithçka tjetër. Kur Ai i dërgon shërbëtorët e Tij në Kerith, Ai do të mundësojë që t’u çojnë ushqim madje edhe korbat.
Sa shumë nga puna jonë e krishterë ka dështuar, sepse kemi këmbëngulur që ta fillonim atë për vetveten, në vend që të siguroheshim se çfarë Perëndia po bënte dhe se ku donte Ai që ne të ishim! Ne shohim ëndrra të shndritshme suksesi. Ne përpiqemi t’i bëjmë ato të ndodhin e thërrasim në ndihmë gjithëfarësoj mjetesh të volitshme, të diskutueshme apo jo. Më në fund kthehemi pas, të shkurajuar dhe të turpëruar, si fëmijë të çjerrë dhe të gërrvishtur nëpër shkurre dhe të baltosur në moçale. Asgjë e tillë s’do të kishte ndodhur nëse do kishim qenë që në fillim, nën drejtimin e pagabueshëm të Perëndisë. Ai mund të na sprovonte, por nuk do të na lejonte të gabonim.
Natyrisht, fëmija i Perëndisë që dëshiron me gjithë zemër të njohë vullnetin e Atit, i drejtohet Librit të Shenjtë dhe e rifreskon sigurinë e tij duke vënë re se si ndër shekuj Zoti i ka drejtuar ata që guxuan t’i besoheshin Atij plotësisht, por që në atë kohë kanë qenë po aq në mëdyshje sa edhe ne jemi shpesh ne tani.
E dimë se si Abrahami la farefisin dhe vendin e tij dhe u nis, pa udhërrëfim tjetër përveç Perëndisë, përmes shkretëtirës së pashkelur drejt një toke të panjohur për të. E dimë se si për dyzet vjet izraelitët u drejtuan përmes gadishullit Sinai, me labirintet e tij të gurëve të kuq ranorë dhe humbëtirave të rërës. E dimë se si Jozueu, teksa hyri në Tokën e Premtuar, mundi t’ia dilte mbanë vështirësive të një vendi të panjohur dhe të dilte fitimtar ndaj kombeve të mëdha dhe luftëtare, sepse ai e mbajti vështrimin drejt Komandantit të ushtrive të Zotit, i cili të çon drejt fitores.
E dimë se si në Kishën e parë, apostujve iu dha mundësia të çanin rrugën përmes vështirësive më të mëdha dhe të zgjidhnin problemet e tyre më të ngatërruara, duke themeluar parime të cilat do ta drejtojnë Kishën deri në fund të kohërave; dhe kjo për shkak se atyre iu zbulua se çfarë duhet të bënin dhe çfarë të thoshin, nga vetë Fryma e Shenjtë.



