Libri: Ata qe thane Jo



nga: udhetimi.com, botuar me: 02.08.2010

Doli ne qarkullim libri i Spiros I. Portinos me titull “Ata qe thane jo, dhe shkruajten historine”, pjese e serise “Tema Biblike”.
Per ta porositur direkt nga interneti mund te lidheni me www.shtepiaelibrit.com

Parathenie

E lexova dhe padashur m’u kujtua Sunioja dhe atmosfera e tij frymore, studimi i Fjalës dhe thjeshtësia e etja e shpirtrave, veçanërisht e “atyre nga provinca”.
Dhe pashë se sa e lidhur ishte me truallin dhe mjedisin ku mbiu dhe ku lulëzoi kjo buqetë biblike. I vetëdijshëm për këtë duket të ketë qenë edhe shkrimtari, i cili pikërisht për këtë arsye, ofon edhe këto mendime të thjeshta si “një kujtim të bekuar edhe për shpirtrat që e ndoqën këtë seri studimesh”.
Madje në një çast kur po lexoja dhe esenë e fundit, mendova të shkoj e t’i kaloj fletët një nga një në vendin që përshkruanin. Dhe shkova. U ula mbi një stol të thjeshtë. Hapa “Filemonin”. Vizitova “ata që thanë Jo” dhe shkruan histori. Dhe lexova për ata që Shkrimi thotë “Lum… “. E të gjitha këto ishin prej së njëjtës Bibël; prej asaj që shfletuan dhe “punëtorët e kishave në provincë”, dhe sa e sa të tjerë.
U ktheva me mendimin që këtë propozim t’ua bëja të gjithë atyre që do ta kishin në dorë këtë vepër. Domethënë të bënin të njëjtën gjë që bëra dhe unë: të shkonin, po të kishin mundësi, në Sunion mikpritës, dhe në një kohë përsiatjesh, të lexonin “Filemonin”, të njihnin ata që thanë “Jo!”, të hulumtonin ata për të cilët Zoti thotë “Lum… “, dhe ta bënin këtë “me thjeshtësi zemre”, si edhe me ndihmën e “këtij koleksioni të vogël” të Spiro Portinosit. Dobia frymore do të ishte e madhe.

A. Milatos

- – -

Gjatë pesëmbëdhjetëditëshit të familjarëve, nga 4/9 deri 19/9 i vitit 1965, në Sunio, çdo mëngjes, pasi merrnim shumë kohë në lutje, studionim me thjeshtësi zemre Letrën e apostullit Pal drejtuar Filemonit. Për pesëmbëdhjetë ditë një letër aq të shkurtër? E pra, u desh që disa herë të nxitojmë e kësisoj të kapërcejmë pjesë e fraza të tëra, ngandonjëherë të bënim ndërprerje, e kështu që studimi të mos zgjerohej e të thellohej në masën që e kërkonte!
Disa, ndoshta pak vetë, që u bekuan nga Zoti prej studimit të kësaj letre, kërkuan që ato mendime të thjeshta që dëgjuan dhe ato tablo që Fryma e Shenjtë u fali, t’i shikonin të shkruara, që të kujtonin përbashkësinë e dashurisë sonë, e të rijetonin çaste të mbushura nga Zoti, që sikurse rrëfyen në përgjithësi, ishte aty (Jezekieli 48:35).
Urimi ynë është që kjo ofertë e vogël të çmohet me bekimet e Perëndisë e për lavdinë e Krishtit të bëhet një gur i vogël në ndërtesën e shpëtimit të ndonjë shpirti e të shenjtërimit të ndonjë tjetri (Efesianëve 1:6).

Tetor 1965
Spiros I. Portinos

- – -
Pjese nga libri…

JOZEFI
Kur ndërgjegjja lakohet, lulëzojnë fuqishëm dhe pallogaritshëm rezultatet e kompromisit që bëjmë __

Biri më i dashur i të atit; i përndjekuri nga vëllezërit, i cili përfundimisht u shpëtoi jetën atyre; i shituri tek të huajt dhe i burgosuroi në burgjet e Nilit. Tablo të mbushura me fuqi, simbole frymore. Por kjo ishte një shprehje tjetër e jetës së Jozefit.

Nëse jeta e Moisiut është e mbushur me fuqi, jeta e Jozefit karakterizohet nga një mahnitje dhe madhështi e veçantë. Nëse Perëndia marshonte me të vërtetë ngjitur me Moisiun, në jetën e Jozefit mund të themi se Perëndia e mbajti fort për dore. I riu me rrobën shumëngjyrëshe e cila u bë shkas për urrejtje dhe armiqësi nga vëllezërit e tij, do të veshë rrobën e sundimtarit të Egjiptit, e të parit pas faraonit.
Ku qëndron e fshehta e madhe e të riut çifut? Në një njohje të drejtë të gjërave të Perëndisë, do të thotë dikush. Është e drejtë. S’ka dyshim se bëhet fjalë për një karakter të diamanttë. Një njeri durimi, bindjeje dhe respekti. Madje është e sigurt se bëhet fjalë për një person me një zgjuarsi të rrallë, me mundësi të marrë vazhdimisht elemente të reja, t’i përvetësojë dhe t’i shndërrojë në vendime, politikë dhe pozita të duhura.
Truri i Jozefit punonte si kompjuter. Jeta dhe karakteri i këtij të riu ngjason me një thes të vogël të mbushur me gurë të çmueshëm, ku ndërmjet të cilëve ekziston dhe një, guri më i çmueshëm. Vetëm një, por që duhet gjetur.
Sikurse edhe në jetën e Moisiut ashtu edhe në atë të Jozefit ekziston çasti historik nga i cili fillon gjithë ajo madhështi e mëvonshme. Është tashmë i njohur shtjellimi i kësaj historie të veçantë e tragjike e këtij të riu.
Jozefi gjendet në shtëpinë e Potifarit. Nuk do të vonojë dhe do të marrë në duart e tij të gjithë administrimin e pasurisë, e të mirave dhe ndërmarrjeve. Dhe të shtëpisë.
Do të përsëritet fije e për pe historia e burgut: skllavi shumë shpejt bëhet i besuari, administruesi, ekonomisti i pakontrolluar. Potifari nuk di më se sa ka dhe çfarë ka. I mjafton që e di Jozefi. Sepse ky i ri hebre nuk është vetëm një vegël e ndershme administrimi, por njëkohësisht edhe një burim misterioz bekimi.
Të mirat shtohen nën administrimin e zgjuar të Jozefit. Pasuritë çuditërisht shumohen nën shkopin e dirigjimit të këtij dirigjenti besnik. Të mirat materiale tashmë janë të tijat.
Liria mbeti vetëm një dëshirë e vogël e tij. Skllavi mund të ketë skllevër; i huaji drejton Egjiptin. Të gjitha rrugët janë të hapura për një karrierë të suksesshme. Ç’gjë më shumë do të ishte e mundur të ëndërronte, të dëshironte dhe të mos e kishte? I kishte të gjitha. Dhe ishte në dorën e tij që të fitonte edhe më shumë.
Kur, në rrugën e sheshtë dhe në shtjellimin e pa pengesa të planeve të Jozefit hyri madam Potifari. Djalli me madamën dhe madama me djallin. Jozefi u gjend në kryqëzimin e njohur. Do të mjaftonte një buzëqeshje dhe do të hapej plotësisht rruga për një pakt.
Kur ndërgjegjja lakohet, lulëzojnë fuqishëm dhe pallogaritshëm rezultatet e kompromisit që bëjmë. Dhe Jozefi do të kishte edhe më pozitë, fitime, fuqi dhe autoritet dhe natyrisht zonjën e re të aristokracisë. Dhe një zonjë e tillë me lidhje, me ndikim dhe me të njohur në instancat më të larta të sferës së drejtimit egjiptian dhe pushtetit, duhej të dukej shumë e nevojshme për çifutin me bukurinë e mahnitshme.
Mos vallë oferta e cila bëhet kaq e qartë prej saj është shtegu që do ta çonte në ditë ende më të mira Jozefin? A mund ta përjashtojë kush? Nëse po, me ç’kriter bazë?
Është gabim që të shikojmë këtu ekskluzivisht tundimin. Këtu gjendet interesi që ndërsa hapet një portë e tillë, askush s’e di se ku çon. Llogaritë thonë “Po!”. Dhe mishi ofron një “Po!” të dytë. Në propozimin e kësaj bashkëshorteje të mrekullueshme duhet të dallojmë zotimin të nuk e di se kujt shpërblimi. Lirim? Pse jo?! Ngjitje në mekanizmin e Egjiptit? Ndoshta. Me të tilla veti si ato të Jozefit, çdo propozim dhe zotim për ngritje mbështetet mbi baza të forta.
Dhe madje kush mund ta përjashtojë forcën e një kërcënimi, që artistikisht la të zbulohej, kjo zonjë e zjarrtë?! Jozefi e njeh mirë karakterin e madam Potifarit, fuqinë e saj, dinamikën e saj të veçantë, dhe do të dijë ende më mirë, sesa ndikim ushtronte kjo grua mbi bashkëshortin e saj. Jozefi duhet të dinte edhe shumë incidente, në të cilat madam Potifari ia kishte arritur qëllimeve të saj, duke i plotësuar dëshirat e saj, cilatdo qofshin ato.
Jozefi nuk duhet t’i ketë llogaritur dhe as marrë para sysh mendimet e mësipërme. Nuk duhet t’i ketë lënë të bëheshin elemente krize për krahasim.
Jozefi nuk i vendoste në kandar gjërat. Nuk zuri vend aty ku dy anët e peshores gjejnë ekuilibrin. Duhet ta ketë parë me sytë e tij të zinj zonjën Potifar, të ketë tundur lehtë kokën, i skuqur, dhe t’i ketë thënë me zë të qetë, të vendosur:
- Jo!
Ajo do të këmbëngulë, do të mobilizojë dëshirat, do të lutet, do të kërcënojë, ndoshta do të qajë, do të premtojë shumë dhe do të tregojë se e ka fuqinë, për të gjitha ato sa premton, t’i realizojë. Jozefi e di mirë këtë. Koka e të riut hebre do të lëvizë përsëri mohueshëm, serioz dhe i vendosur:
- Jo!
E dinte se ç’do të thonte ajo “Jo!”. Dhe e dinte mirë sepse para pak kohësh kishte pasur përvojën e skllavit të shitur. E njihte mirë madam Potifarin. Dhe e njihte mirë karakterin e burrit të saj. Por kjo nuk e pengoi të thotë duke buzëqeshur, guximshëm:
- Jo.
Që nga këtu fillon rruga për humbjen e të gjitha sa kishte: rruga për në burg, varrosja e tij e gjallë, dhe ndoshta vdekja. Një skllav më pak… Veçse që nga këtu, pikërisht nga këtu fillon rruga drejt ngjitjes, madhështisë, lavdisë, pasurisë, pushtetit. Rrugët e Perëndisë përfundojnë përhere me triumf, pavarësisht se nga ku kalojnë.
Jozefi shpëton një popull; Jozefi ruan flakën e një shprese njerëzore që po dridhet. Nuk ekzistojnë kompromise, as llogari. Një sekondë i pozicionuar drejt, vlen aq sa një përjetësi.
Ky për Jozefin nuk ishte fundi, ishte, dhe do të jetë gjithmonë, fillimi i lavdisë që do të fillonte me një;
- Jo!


per autorin: