Letra Drejtuar Filipianëve – Studimi 8

Categories: Letra Drejtuar Filipianëve

Dhembshuria e krishterë

“Pra, në qoftë se ka ndonjë ngushëllim në Krisht, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës, ndonjë mallëngjim e dhembshuri, atëherë e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njejtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme” (Filipianëve 2:1-2).

Parathënie
Kisha e filipianëve ishte e fortë, me një vizjon për ta përhapur ungjillin, pavarësisht nga vështirësitë dhe problemet, që mund ta shkatërronin. Por edhe pse anëtarët e saj kishin shumë virtyte të mira, prapëseprapë ata nuk binin gjithmonë dakort me njëri-tjetrin, por manifestonin grindje e debate. Pali, në këtë pjesë të letrës së tij, e diagnostikon shkakun e kësaj grindjeje dhe jep udhëzime për shërimin e saj.

Ngushëllimi
Së pari, vëmë re përdorimin e lidhëzës “në qoftë se”. Këtu Pali na thotë se grindja dhe debati nuk duhet të jenë fare të pranishëm, sepse gjërat që i bashkojnë besimtarët janë më të shumta në numër sesa ato që i ndajnë. Kështu pra, në vend që t’i pyeste filipianët nëse i kishin ato virtyte që iu duheshin, ai në fakt iu thotë atyre se duhet t’i  përdornin virtytet e tyre për t’i mposhtur dallimet që mund të vinin re mes njëri-tjetrit.
“Ngushëllim” – kjo fjalë ka kuptime të ndryshme në Bibël, por këtu ajo do të thotë “inkurajim” dhe “nxitje”. Fjala greke është “paraklesis”, e cila përdoret edhe për fjalën “Ngushëlluesi”, d.m.th. Fryma e Shenjtë dhe ngushëllimi që sjell Ai. Një ngushëllim i tillë jo vetëm që na inkurajon, kur ballafaqohemi me dilema të ndryshme personale, por edhe sjell unitet mes besimtarëve. “Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet! Është si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij. Është si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi” (Psalmi 133). Ashtu si Davidi, edhe ne mund ta gjejmë tek Zoti gjithë inkurajimin, që na nevojitet. “Davidi u forcua tek Zoti, Perëndia i tij” (1 Samuelit 30:6).

Dhembshuria
“Ngushëllim dashurie” është dashuria që e mbron dhe e begaton kishën. Kjo është pikërisht baza e unitetit biblik. Në greqisht kjo fjalë është “agape” dhe i referohet llojit të dashurisë, e cila nga natyra i ngjason dashurisë së Krishtit, d.m.th. një dashuri sakrifikuese dhe vetëmohuese. Vini re se tek vargu 2 kjo dashuri duhet të jetë një dashuri e një “unanimiteti” të vetëm. “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34-35)… “Dashuria le të mos jetë me hipokrizi” (Romakëve 12:9)… “Dhe Zoti shtoftë dhe teproftë në dashurinë për njeri tjetrin” (1 Thesalonikasve 3:12)… “Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës me anë të Frymës, për të pasur një dashuri vëllazërore pa hipokrizi, të doni fort njeri tjetrin me zemër të pastër” (1 Pjetrit 1:22).
E shohim, pra, se fjala “dhembshuri” do të thotë “të kesh butësi të madhe”. Dashuria e përsosur që Perëndia ka ndaj nesh, na frymëzon e na bën që ta ndajmë atë hapur me të tjerët, jo në mënyrë egoiste, por si me fjalë, ashtu edhe me vepra.

Pjesëmarrja në Frymë
Uniteti i kishës egziston vetëm atëherë, kur anëtarët e saj janë pjesëmarrës të Frymës së Shenjtë. “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14). Nëse me të vërtetë udhëhiqemi nga Fryma e Shenjtë, atëherë do ta shpërndajmë kudo dashurinë e Perëndisë. “Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakëve 5:5).
Prania e dashurisë në zemrën tonë vërteton se Fryma e Shenjtë është brenda nesh. “Por fryti i Frymës është: dashuria…” (Galatasve 5:22). Një dashuri e tillë duhet të jetë e pranishme si tek besimtari, ashtu edhe tek kisha. Perëndia krijon unitet mes besimtarëve dhe i bën ata që t’i ngjasojnë edhe më shumë Krishtit. Një bashkim i tillë sjell si rezultat bekimin e kishës. Çdo lloj grindjeje apo debati shumë shpejt shuhet, kur besimtarët janë të një mendjeje e të një zemre (Filipianëve 2:2). Fjala “unanimitet” ka të bëjë me domosdoshmërinë për harmoni të përsosur mes besimtarëve, sepse kur dishepujt u mblodhën së bashku me një mendje të vetme, Fryma e Shenjtë u derdh mbi ta. “Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend” (Veprat e Apostujve 2:1). Në greqisht, fjala “unanimitet” do të thotë “bashkim i shpirtrave në një shpirt të vetëm”. Shprehja “një mendje e vetme” do të thotë “të mendosh të njëjtën gjë” lidhur me qëllimin dhe planin e kishës. Ata që jetojnë në Mbretërinë e Perëndisë, duhet të pijnë nga i njëjti burim.

Mallëngjimi
Me këtë fjalë nënkuptohet dashuria e madhe që çdo anëtar i Trupit të Krishtit (d.m.th. i kishës) duhet të ketë për njëri-tjetrin. A e imagjinojmë dot se sa njerëz kanë për t’i besuar Krishtit dhe se sa shenjtorë të dobët kanë për t’u bërë fitimtarë, nëse kisha shfaq një dashuri të tillë të madhe? Një dashuri e tillë ka dëshirë t’i shohë njerëzit të shpëtuar dhe kishën të rritur në numër. “Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës” (1 Pjetrit 3:8). Një dashuri e tillë vëllazërore është pjesë e pandarë e jetës së krishterë. Secili prej nesh duhet të interesohet për mirëqënien fizike dhe shpirtërore të anëtarëve të tjerë të kishës.

Përfundim
Pali pa dyshim që ishte i kënaqur me kishën e filipianëve, por ai donte që të gëzohej edhe më shumë, po ta merrte vesh se ata iu kishin dhënë fund grindjeve dhe debateve me një dashuri të vërtetë të krishterë. Donte që ajo kishë të mbijetonte, duke i shërbyer besnikërisht Zotit dhe duke qëndruar të bashkuar me njëri-tjetrin. Gëzimi shpirtëror nuk mund të egzistojë në boshllëk, pa dashuri, apo aty ku triumfon mëria, smira dhe kritikimi. “Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet” (1 Korintasve 1:10).

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip http://fjalaegjalle.2truth.com/

Author: magda maylam

Leave a Reply