Letra Drejtuar Filipianëve – Studimi 6

Categories: Letra Drejtuar Filipianëve

Pritja me padurim
 
“Sipas të priturit tim me padurim dhe me shpresë, se unë nuk do të turpërohem në asnjë gjë, por me çdo guxim, tani si gjithmonë, Krishti do të madhërohet në trupin tim, ose me jetën ose me vdekjen. Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Por nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them çfarë duhej të zgjedh, sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë, por të qëndruarit në mish është më i nevojshëm për ju. Këtë e di me siguri, që do të rri dhe qëndroj me ju të gjithë për përparimin tuaj dhe për gëzimin e besimit tuaj, që mburrja tuaj për mua të teprojë në Jezu Krishtin, për praninë time sërish midis jush” (Filipianëve 1:20-26).
 
Parathënie
Deri tani, e kemi parë se apostulli Pal është në burg dhe pret që ta ndëshkojnë me vdekje për krime që s’i kishte kryer. Por, në vend që të zhdekurajohej nga presioni i madh nën të cilin ndodhej, ai na tregon se është i fortë, me fuqinë që i ka dhënë Perëndia. Ishte në gjendje, pra, ta përqëndronte vëmendjen jo tek problemet e tij personale, por tek gjëja më e rëndësishme: tek madhështia e Krishtit në çdo situatë të jetës. Ndoshta Palit do t’i duhej të dilte përpara fronit të perandorit Nero, por e dinte se një ditë do të shfaqej përpara një Mbreti më të madh sesa perandori romak. “Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit” (2 Korintasve 5:10). Në këtë “pritje me padurim” të tijën përfshihej edhe shpëtimi/çlirimi i trupit në fund të epokave. “Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë, sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi, me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim. Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë” (Romakëve 8:19-23).
 
Pritja
Filipianët po luteshin me zell të madh për çlirimin e Palit nga burgu, ndërkohë që ai vetë dëshironte që t’i shërbente Zotit me gjithë zemër, pavarësishte se ç’mund t’i ndodhte në të ardhmen. Shprehja “të priturit me padurim” do të thotë “ta shikosh të ardhmen me shpresë”, ose siç përkthehet edhe në greqisht: “të presësh me kokën dhe me qafën të ngritura lart”. “Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër” (Luka 21:28)… “Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë” (Romakëve 8:19). As persekucjoni, as burgu, as mundësia e vdekjes nuk ia dobësoi Palit besimin tek Perëndia. Ai vazhdonte ta lavdëronte Atë, duke shpresuar dhe duke u lutur për çlirimin e tij nga burgu, edhe pse nuk e dinte akoma nëse vullneti i Perëndisë ishte që ai të vdiste apo jo në burg. “Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë” (1 Korintasve 6:20). Folja “turpërohem” i referohet faktit se Pali nuk kishte turp se po punonte për Zotin. “Ashtu siç është shkruar: “Ja, unë po vë në Sion një gur pengese dhe një shkëmb skandali, dhe kushdo që i beson atij nuk do të turpërohet” (Romakëve 9:33). Guximi që kishte, ishte e kundërta e turpit dhe e ofendimit.
Për Palin, si jeta, ashtu edhe vdekja ishin të lidhura ngushtë me Krishtin dhe, sidoqë të ndodhte, ai e dinte se nuk mund të ndahej dot prej Zotit, ngaqë i përkiste Atij. “Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:38-39). Filozofia e jetës së Palit përmblidhej me pak fjalë në këtë fjali: “Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim”. Një moto të tillë duhet ta kenë të gjithë besimtarët, sepse Perëndia mund të madhërohet e të përlëvdohet nëpërmjet jetës sonë, pavarësisht se në ç’situata të vështira mund ta gjejmë veten. “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20). Shprehja “të vdekurit fitim” nuk ka të bëjë thjesht me vdekjen e trupit, por, ashtu siç thuhet edhe në greqisht, ka të bëjë me gjendjen e menjëhershme të egzistencës pas vdekjes.
 
Qëllimi
Duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi asaj, që kërkon të na mësojë Pali këtu me këto vargje. Për të, të jetuarit kishte kuptimin e të përkushtuarit plotësisht të jetës së tij, si një flijim të gjallë për Perëndinë. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur” (Romakëve 12:1). Për Palin, jeta nuk ishte nënshtrim ndaj mëkatit. “As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë” (Romakëve 6:13). Çdo moment të jetës së tij, ai ia kishte përkushtuar shërbesës së Krishtit dhe ishte i vendosur që ta shpërndante kudo ungjillin e shpëtimit. Me pak fjalë, pra, Pali e kishte një qëllim në jetë dhe, për këtë arsye, pikëpamja e tij ndaj vdekjes ishte po aq e lavdishme. “Sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi” (Romakëve 14:8). Nuk kishte frikë prej vdekjes fizike, sepse e dinte se nëpërmjet saj, ai do të shihte Shpëtimtarin. “O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?” (1 Korintasve 15:55).
Jeta pa Krishtin nuk ka kuptim. Për më tepër, jeta jonë është e pavlefshme, nëse nuk e ndjekim Jezusin ashtu siç duhet, sidomos kur marrim parasysh faktin se është Fryma e Shenjtë Ai, që iu jep mundësinë besimtarëve për t’iu dalë mbanë vështirësive dhe problemeve të jetës. “Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi” (Romakëve 8:37). Po vdekja? Ajo është thjesht dera, përmes së cilës hyjmë në praninë e Perëndisë, prandaj edhe “të vdekurit është fitim” për të krishterin, që jeton sipas vullnetit të Perëndisë. Edhe ne, ashtu si Pali, mund t’i dalim ballë një të ardhmjeje të pasigurtë me kurajon, që na jep vetëm Krishti. “Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë” (2 Korintasve 12:9).
 
Dilema
Pali e kishte marrë me kohë vendimin se, po t’i lejohej të jetonte, ai do të vazhdonte ta predikonte ungjillin. Nuk do t’i kalonte ditët, duke u merakosur rreth gjyqit, që e priste. Përkundrazi, ishte mëse i vendosur për ta lavdëruar me gjithë shpirt Zotin. Ka nga ata mësues Bible që thonë se Pali nuk dinte se ç’të zgjidhte. Por ai e dinte mirë se të qënit në praninë e Krishtit ishte fitim, ndaj edhe ishte i bindur se kjo ishte zgjedhja më e mirë. Folja “iki” do të thotë “të zgjidhesh prej litarëve të dhimbjes apo kufizimeve të trupit”. Ndoshta këtë ide donte ta shprehte Pali edhe tek 2 Timoteut 4:6, ku thuhet: “Sa për mua, po derdhem si ofertë pije, dhe koha e nisjes sime arriti”. Në të dyja këto vargje, folja “iki” dhe “nisem” ka kuptimin “ta ngresh spirancën e anijes”, “të lundrosh”. Pali na thotë, pra, se ai nuk e dinte akoma vullnetin e Perëndisë lidhur me këtë çështje, ndaj edhe po ia linte vendimin Atij në dorë. Dëshira e tij ishte që të ndodhej bashkë me Krishtin dhe kjo ishte “gjëja më e mirë”. Vdekja do të ishte si një çlirim i ëmbël prej të gjitha dhimbjeve dhe vuajtjeve. Vini re gjithashtu se Pali nuk i besonte doktrinës së ‘gjumit të shpirtit’, sepse si mund të ishte gjumi gjëja më e mirë për shpirtin? Trupi është thjesht banesa e përkohshme për shpirtin. “Ne, pra, kemi gjithnjë siguri besimi dhe e dimë se gjersa banojmë në trup, jemi larg Zotit, sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit. Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin” (2 Korintasve 5:6-8)… “Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: “O Zoti Jezus, pranoje frymën time!” (Veprat e Apostujve 7:59). Po të na duhej të zgjidhnim sot mes të shkuarit në Qiellit, apo të qëndruarit në tokë, kë do të zgjidhnim? Përsa kohë që jetojmë, le të jetojmë sipas vullnetit të Perëndisë. “Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë” (Jakobi 4:15).
Thellë në zemër, Pali e dinte se për kishën ishte më mirë që ai të mbetej gjallë edhe për pak kohë. E dinte se ç’kishte për të ndodhur në kishë, sapo të vdiste. “Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën” (Veprat e Apostujve 20:29). Edhe pas lirimit të tij nga burgu, “Pali ndenji plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira dhe priste të gjithë ata që vinin tek ai, duke predikuar mbretërinë e Perëndisë dhe duke mësuar gjërat e Zotit Jezu Krisht me shumë liri dhe pa ndalim” (Veprat e Apostujve 28:30-31). Ai vazhdoi ta shpërndante lajmin e mirë, deri sa vdiq.
  
Përfundim   
Shërbesa sakrifikuese dhe karakteri vetëmohues i Palit na lënë përshtypje të mëdha. Ai ishte gati t’i nënvlerësonte problemet e tij për shkak të Krishtit dhe të kishës së Tij. Pa dyshim, pra, që ai ishte i pari, që e hapi shtegun për Krishtin. Fatkeqësisht, të paktë janë ata besimtarë sot, të cilët i afrohen qoftë edhe sadopak jetës së Palit. Mos, vallë, Perëndia donte që një besnikëri e tillë të vdiste së bashku me apostullin Pal?
  
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip http://fjalaegjalle.2truth.com/
  
 
           
   
Author: magda.maylam

Leave a Reply