Letra Drejtuar Filipianëve – Studimi 5

Categories: Letra Drejtuar Filipianëve

Predikimi i Krishtit
 
“Tani, vëllezër dua ta dini, se gjërat që më kanë ndodhur ndihmuan më shumë për përhapjen e ungjillit, aq sa gjithë pretoriumi dhe të tjerët mbarë e dinë se unë jam në vargonj për Krishtin; dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotin, të inkurajuar nga vargonjtë e mia, kanë marrë me shumë guxim në shpalljen e fjalës së Perëndisë pa frikë. Disa me të vërtetë predikojnë Krishtin edhe për smirë dhe për grindje, por disa të tjerë me vullnet të mirë. Këta e predikojnë Krishtin për grindje, me qëllime jo të pastra, duke menduar që t’u shtojnë pikëllimin vargonjve të mia. kurse ata e bëjnë nga dashuria, duke ditur se unë jam vënë për mbrojtjen e ungjillit. Ç’rëndësi ka? Sido që të jetë, me shtirje o sinqerisht, Krishti shpallet; dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem. E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe me ndihmën e Frymës së Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:12-19).
 
Parathënie 
Palin nuk e kishin futur në burg, ngaqë kishte kryer ndonjë krim. Përkundrazi, ai thjesht kishte predikuar ungjillin e Krishtit. Për më tepër, situata e tij ishte keqësuar edhe më shumë, ngaqë prokurorët e judenjve nuk kishin dashur të shkonin vetë në Romë, për ta akuzuar për krime, që nuk i kishte kryer aspak. Kështu, pra, Pali kaloi dy vjet në burg, por ka të ngjarë që gjatë kësaj kohe, ai të ketë patur herë pas here edhe vizitorë në qelinë e tij.
 
Vargonjtë
Ndoshta kisha e filipianëve pati frikë se mos burgimi i Palit do t’i bëhej pengesë shpërhapjes së ungjillit. Por ai i siguron ata se kjo nuk kishte për të ndodhur kurrë. Vërtet që qelia romake në të cilën ndodhej ai, i lidhur me pranga, mund të mos dukej si një qendër e mirë, prej së cilës të mund predikohej e vërteta. E megjithatë, Pali e përdori situatën, jo për t’iu ankuar, apo për t’iu qarë të tjerëve, por për t’iu folur atyre rreth Krishtit. Pretoriumi ishte vendi, ku banonte elita ushtarake e vetë Perandorit romak, një elitë e përbërë prej 10.000 vetësh. Kjo ndërtesë ka të ngjarë të ketë qenë e përqëndruar brenda mureve të pallatit perandorik. Burgu e kishte bërë Palin akoma edhe më të vendosur për ta përhapur fjalën e Perëndisë me çfarëdo lloj mënyre, që t’i vinte në dorë. Prandaj edhe me siguri që ai ishte mëse i lumtur, që t’ia paraqiste ungjillin kombit më të famshëm në atë kohë në botë. E konsideronte veten si një ambasador në shërbim të Krishtit. “Për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë” (Efesianëve 6:20). Ka të ngjarë që ai t’i kishte bërë për vete rojet e burgut nëpërmjet ungjillit. Ata e kishin lejuar që t’iu shkruante letra kishave të ndryshme, mesazhi i të cilave është edhe sot e kësaj dite bekim për lexuesit. Pali do ta kishte quajtur këtë si “fat i ardhur nga fatkeqësia”. “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28). Asgjë nuk duhet lejuar që ta pengojë përparimin e fjalës së Perëndisë. “Për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga” (2 Timoteut 2:9). Edhe ne duhet t’i vëmë si pikësynim vetes, që të jemi dëshmitarë besnikë, pavarësisht nga vështirësitë që mund të na sjellë jeta, apo armiqtë e Perëndisë.
 
Guximi
Besimtarët e hershëm, në vend që të kishin frikë se mos i arrestonin dhe i futnin në burg, vazhdonin të predikonin dhe t’i mësonin me guxim të tjerët rreth Krishtit. Thuhet se fortunat e përndjekjeve e të persekutimit shpesh iu fryjnë flakëve të ringjalljes, duke ndezur kështu zjarrin e besimit dhe të rilindjes. Sa herë që autoritetet zyrtare mundoheshin ta shkatërronin kishën, Zoti përgatiste ushtarë të rinj, gati për betejë. Vini re përdorimin e shprehjes “pjesa më e madhe”. Kjo na tregon se jo të gjithë besimtarët ishin të lumtur, për ta predikuar ungjillin. Persekutimi është diçka e frikshme, por, nëse i besojmë Zotit, atëherë Ai na forcon dhe na bën të guximshëm. “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12).
 
Ndërluftimi
Kishte nga ata besimtarë, që nuk ishin dakort me mesazhin e Palit, ndaj edhe e ulnin poshtë dhe e nënvlerësonin atë. Ndoshta kujtonin se, duke vepruar kështu, do t’i shpëtonin persekutimit. Besimtarët besnikë, të vajosur me Frymën e Shenjtë, e shpallnin hapur ungjillin, kurse të tjerët debatonin me njëri-tjetrin se cila ishte rruga më e mirë për të predikuar, pa u futur në burg. Fjala “grindje” ka kuptimin “ambicjon egoist” dhe i përngjan shprehjes së sotshme “fushatë elektorale”. Ndoshta këta vëllezër fallco kujtonin se iu ishte dhënë mundësia, për ta ulur poshtë komplet Palin dhe shërbesën e tij. Këtë punë bën edhe rrogëtari që nuk është bari e që nuk ka dashuri fare për delet. Ka të ngjarë gjithashtu që disa besimtarë të kenë patur pak frikë prej përkushtimit të Palit ndaj Perëndisë. Mos, vallë, ishin xhelozë? Kjo na tregon, pra, se ka nga ata që mund ta predikojnë mirë fjalën e Perëndisë, por veprojnë kështu thjesht me forcat e tyre, jo me Frymën e Perëndisë. Pali nuk ishte i tillë. Atyre iu pëlqente pozita që kishin, kurse ai donte më shumë Zotin se gjithçka tjetër. Ka mundësi gjithashtu që këta besimtarë të kujtonin se fakti që Pali ishte në burg, vërtetonte se Perëndia nuk ishte me të. “Të gjithë ata që duan të duken të mirë në mish, ju shtrëngojnë që të rrethpriteni vetëm që të mos përndiqeni për kryqin e Krishtit” (Galatasve 6:12). E megjithatë, e marrim me mend se sa të rënda do t’i jenë dukur Palit vargonjtë, sa herë që merrte vesh se ç’po bënin e ç’po thonin njerëz të tillë kundra tij. Një pasues i pjekur i Krishtit nuk duhet ta lejojë veten, që të bëhet xheloz ndaj besimtarëve të tjerë, apo që ta pengojë sadopak punën e Perëndisë. 
 
Beteja
Perëndia i kishte ngarkuar Palit detyrën më të rëndësishme: mbrojtjen e ungjillit të Krishtit. Të gjithë besimtarët, që janë vërtet të shpëtuar, kanë po të njëjtën përgjegjësi, d.m.th. ta kundërshtojnë këdo, që mundohet ta shtrembërojë të vërtetën. “Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar” (Galatasve 1:9). Një përkushtim i tillë ndaj ungjillit iu duket si gjë e çuditshme atyre, të cilët e duan botën dhe nuk i binden Krishtit.
Pali ishte i vendosur, që të luftonte deri në fund. “Lufto luftën e drejtë të besimit” (1 Timoteut 6:12). Ai nuk ishte si të tjerët, që e kishin holluar të vërtetën, duke u kompromentuar kështu me botën, me qëllim që të mos persekutoheshin prej autoriteteve zyrtare. Besimtarët janë thirrur, që t’i qëndrojnë besnikë fjalës së Perëndisë. “Të luftoni për besimin, që u qe trasmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë” (Judës 1:3). Palit i ishte mbushur mendja: në vend që të zhdekurajohej, do të gëzohej dhe do ta falenderonte Perëndinë, ngaqë fjala e Tij po predikohej madje edhe prej atyre, që e kishin inat. “Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty” (Psalmi 76:10).
 
Besimi
Fjala “shpëtim” tek vargu 19-të ka të bëjë me besimin, që kishte Pali se do të lirohej një ditë nga burgu. Disa komentatorë të Biblës thonë se Pali besonte se do të çlirohej prej kritikave të njerëzve apo prej opozitës. Mos, vallë, ai shkroi në këtë mënyrë, ngaqë iu kujtua Jobi 13:16, që thotë: “Ai do të jetë edhe shpëtimi im”? Sidoqë të jetë e vërteta, për një gjë jemi të sigurtë se apostulli Pal e kishte besimin e tij të fiksuar mirë në Krishtin. “Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë” (2 Timoteut 1:12). Ai kishte besim se Zoti do t’iu përgjigjej anëtarëve të kishës së filipianëve, të cilët luteshin si për lirimin e tij nga burgu, ashtu edhe për përhapjen e së vërtetës. Edhe shenjtori më i dobët është i fuqishëm kur lutet, ngaqë ka ndikim të madh në të ardhmen e njerëzve për të cilët lutet. “Me ndihmën tuaj me anë të lutjeve për ne, që shumë njerëz të falënderojnë për dhuntinë e hirit që do të na jepet me anë të lutjeve të shumë njerëzve” (2 Korintasve 1:11).  “Fryma e Jezus Krishtit” është e njëjtë me Frymën e Shenjtë. “Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij” (Romakëve 8:9)… “Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!” (Galatasve 4:6). Pali kishte besim se Fryma e Shenjtë do t’ia plotësonte të gjitha nevojat, që kishte, me qëllim që t’iu bënte ballë rrethanave në të cilat ndodhej. Këtë detyrë ka edhe Fryma e Shenjtë. “Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju” (Gjoni 14:16)… “Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të” (Romakëve 8:16-17). 
              
Përfundim   
Ungjilli nuk do të përhapej dot në mbarë botën, nëse atyre, të cilëve iu ishte ngarkuar detyra për ta predikuar, iu hyri frika dhe nuk shkuan në ato vende, ku i kishte thirrur Zoti. Nuk janë të dobëtit ata, që janë inkurajim për të tjerët, por të fortët në Zotin. Le të mos harrojmë për ta falenderuar Perëndinë për pastorët, misjonarët dhe ungjillizuesit guximtarë, shumica e të cilëve dhanë jetën për shkak të besimit të tyre. Pa ata, ne ndoshta mund të mos e gëzonim këtë liri, që kemi sot, për ta përhapur në mbarë botën të njëjtin ungjill, që përhapën dikur edhe ata vetë. Për ne ata janë shembull, sidomos kur ballafaqohemi me vuajtje dhe probleme. “Forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij” (Efesianëve 6:10).
         
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
Author: magda.maylam

Leave a Reply