Kush i bën më shumë përshtypje Perëndisë?
“Ai tha edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët. “Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës. Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: “O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam”. Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: “O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit”. Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet” (Luka 18:9-14).
Parathënie
Kush i bën më shumë përshtypje Perëndisë? Në fakt, kujt kërkojmë t’i bëjmë përshtypje? Zoti Jezus e tregoi këtë shëmbëlltyrë, me qëllim që ne t’i shihnim gjërat, ashtu siç i sheh vetë Perëndia, jo siç i shohin sytë tanë. Fariseu, në vend që ta krahasonte veten me standartet e përsosura të Perëndisë, vuri në dukje arritjet e tij fetare e morale, duke e krahasuar kështu veten me ata, që sipas tij, nuk ia vlente të shpëtoheshin.
Fariseu mendjemadh
Fariseu e dinte mirë se ç’thoshin Shkrimet e Shenjta. Ishte i dhënë pas fesë, por, fatkeqësisht, feja e tij ishte zemërgur.
Fariseu mburrej me fenë e tij. Kur ngrihej për t’u lutur, donte që të gjithë ta shikonin e ta dëgjonin. Gjithkush habitej me agjërimin e tij 104 herë në vit. Ligji i Moisiut thoshte që agjërimi të bëhej vetëm në Ditën e Shlyerjes së Mëkatit, në Ditën e Festës së Purimit dhe në Ditën e Përkujtimit të rënies së Jerusalemit. Fariseu, pra, duhet të ketë qenë fetar jashtë mase. Perëndinë e vinte në plan të parë, kur vinte puna tek dhënia e ofertës: “Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat” (Mateu 23:23).
Fariseu kujtonte se ishte aq i mirë e aq i shenjtë, saqë Perëndia nuk bënte dot pa të. Kujtonte se ishte në rregull me Perëndinë, ngaqë i bindej Ligjit, e, madje, bënte më shumë sesa ç’kërkonte Ligji. Mburrej me faktin se ishte njeri i fesë.
Edhe ne mund ta kemi shpirtin e fariseut. Është kollaj ta lavdërojmë veten për faktin se lutemi, se japim të dhjetën në kishë, se bëjmë vepra bamirësie, apo se shkojmë në kishë çdo të dielë. Por, asnjëra nga këto gjëra nuk na bëjnë të drejtë para Perëndisë. Fariseu iu kishte bërë përshtypje njerëzve, që e rrethonin, por jo Perëndisë.
Pesë herë me rradhë, fariseu përdori përemrin “unë”, për ta lavdëruar veten para të tjerëve. Ashtu si edhe Satanai, ai ishte egoist dhe egoizmi ia kishte errësuar sytë. Edhe djalli e përdori përemrin “unë” pesë herë, për ta ngritur lart veten: “Ti thoshnje në zemrën tënde: “Unë do të ngjitem në qiell, (unë) do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; (unë) do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut; (unë) do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, (unë) do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin” (Isaia 14:13-14).
I mbushur plot e përplot me krenari, fariseu i shikonte të tjerët me përbuzje. Do të habitej, po t’i thoshte dikush se, në fakt, ai vetë ishte mëkatar si të tjerët. Në librin e Perëndisë, nuk thuhet se njëri është mëkatar i madh, e tjetri është mëkatar i vogël, sepse “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Fariseu “u lut në vetvete”; Perëndia nuk ia vuri veshin fare! E la Tempullin, pa marrë hirin e Perëndisë. Të vetmit njerëz, që largohen duarbosh prej pranisë së Perëndisë, janë ata, që janë të mbushur plot e përplot me veten e tyre.
Tagrambledhësi i mjerë
Askush nuk do ta kishte zgjedhur tagrambledhësin si njeriun e lavdëruar prej Perëndisë. Sipas judenjve, ai ishte llumi i shoqërisë. Të gjithë e dinin se ai ishte mashtrues e gënjeshtar. Por, në fakt, tagrambledhësi e dinte vetë se ishte i tillë. E dinte se nuk kishte vlerë në sytë e Perëndisë. Nuk e krahasonte veten me mëkatarë më të mëdhenj se vetja, por e shihte se nuk i meritonte as edhe mëshirat më të vogla të Perëndisë. Perëndia e dëgjoi lutjen e tagrambledhësit, ngaqë ai e rrëfeu mëkatin e vet. Ky njeri nuk i ngrinte sytë nga qielli, por, përkundrazi, e shihte veten të humbur në mëkat. Fariseu ishte aq mendjemadh, saqë nuk i ulte dot sytë poshtë, kurse tagrambledhësit i vinte aq turp, saqë nuk i ngrinte dot sytë lart. Tagrambledhësi rrihte kraharorin e tij mëkatar, duke i kërkuar mëshirë e falje Perëndisë. Ja, pra, ky ishte një njeri komplet i kundërt me fariseun.
Përulja
Bota mund të kujtojë se njerëzit e ashtu-quajtur “të shenjtë”, me ritet e tyre, me mënyrën e të veshurit, si edhe me respektin që kanë në shoqëri, janë afër Perëndisë. Por Zoti Jezus Krisht nuk është i këtij mendimi: “Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar” (Luka 18:14). Autori i Psalmit 34 shkruan kështu: “Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar” (vargu 18). Perëndia kënaqet, kur e ngre lart të përulurin dhe e ul poshtë mendjemadhin: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve” (Jakobit 4:6)… “Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet” (Mateu 23:12). Gjëja më e keqe është, jo vetëm të jesh mëkatar, por të jesh mëkatar mendjemadh e të mos e pranosh një fakt të tillë.
Përfundim
Ajo që tha Jezusi, i habiti të gjithë ata, që e rrethonin. Patjetër që Perëndia dëshiron të ketë njerëz të shenjtë në parajsë! Por fakti qëndron këtu: Parajsa është e mbushur plot e përplot me mëkatarë, që e kanë pranuar përpara Perëndisë se kanë nevojë për Krishtin si Shpëtimtar: “Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen” (Luka 15:7). Fariseu do t’i kishte fituar të gjitha votat në një konkurs bukurie. Por e vetmja votë, që ka vlerë, është vota e Perëndisë. Fariseu e bazoi teologjinë e tij mbi një sistem meritash, duke bërë kështu që Perëndia t’i ishte borxhli njeriut. Kurse tagrambledhësi e dinte se Perëndia ishte i mëshirshëm dhe i drejtë.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



