Kush është Ai, që unë të besoj në Të?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 12.02.2008

Teksti: Gjoni 9:1-41

Parathënie

Në këtë tekst shohim një nga mrekullitë më të mëdha të të gjitha kohërave: një burrë i lindur i verbër shërohet prej “një njeriu, që quhet Jezus” (vargu 11). Farisenjtë e kishin dëbuar të verbrin prej sinagogës, por, kur Jezusi e mori vesh se ç’kishte ndodhur, e gjeti të verbrin dhe i bëri atij një pyetje: “A beson ti në Birin e Perëndisë?” (vargu 35). Burri iu përgjigj: “Kush është, Zot, që unë të besoj në të?” (vargu 36).

Njeriu më i famshëm, që ka jetuar ndonjëherë, u lind në një grazhd në Bethlehem. Por Ai e filloi shërbesën e Tij vetëm në moshën 30-vjeçare, kur u pagëzua prej Gjonit: “Dhe Jezusi ishte rreth tridhjetë vjeç” (Luka 3:23). 33 vjet e gjysëm pas lindjes, Ai u dënua me vdekje si blasfemues (sharës i Zotit) dhe, më pas, u kryqëzua. E tërë shërbesa e Tij tokësore zgjati vetëm 3 vjet e gjysëm dhe u zhvillua në një vend të vogël në Lindjen e Mesme. Por, Ai la kaq shumë mbresa, saqë edhe pas 2000 vjetëve, emri i Tij njihet si prej pasuesve të Tij, ashtu edhe prej paganëve dhe ateistave. Lindja dhe vdekja e Tij ishin në kundërshtim me ligjet e natyrës. Ai nuk kishte nën zotërim as fusha gruri, as ferma të rritjes së peshkut. E megjithatë, Ai mundi që të shtronte një gosti për më shumë se 5000 vetë, duke bërë të tepronte bukë e peshq. Kurrë nuk shkeli mbi tapete të mrekullueshëm, apo mbi qilima të mahnitshëm, e megjithatë Ai mundi të ecë mbi Detin Galile.

Me kë mund ta krahasojmë Atë?

“Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?” (Psalmi 89:6).

Ai vetë kurrë nuk shkroi libër, e megjithatë për Të janë shkruar me miliona volume librash. Fjalët e Tij, të ndodhura në Ungjijtë, janë përkthyer gati në të gjitha gjuhët e botës: “Unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte librat që do të mund të shkruheshin” (Gjoni 21:25).

Ai nuk kompozoi ndonjë këngë; nuk shkroi ndonjë poezi. E megjithatë, miliona këngë e lartësojnë Atë si Zotin Perëndi dhe si Shpëtimtar. Ai nuk ndërtoi ndonjë godinë fetare, e megjithatë me miliona kisha janë ndërtuar, që pasuesit e Tij të mund ta adhurojnë. Nuk e dimë nëse Jezusi kreu ndonjë shkollë të madhe, e megjithatë shumë prej institucioneve të famshme të ditëve të sotme, si ato mjekësore, ashtu edhe ato arsimore, u themeluan prej atyre, që besonin në emrin e Tij. Ç’njeri tjetër i famshëm mund të krahasohet me Jezusin? Ta krahasosh dikë tjetër me Jezusin është njësoj sikur ta krahasosh dritën e qiririt me shkëlqimin flakërues të diellit.

Kush mund ta mundë Atë?

“Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty?” (Psalmi 71:19).

Bota nuk e kupton dot Atë: “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14).

Ushtritë e botës nuk e mundin dot Atë: “Dhe mbi rrobën e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE…Dhe pashë bishën, dhe mbretërit e dheut, dhe ushtritë e tyre të mbledhura që të bënin luftë kundër atij që kalëronte kalin dhe kundër ushtrisë së tij…Që të dy i hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur” (Zbulesa 19:16, 19, 20). Ai ka autoritet dhe fuqi absolute mbi gjithçka: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mateu 28:18).

Ç’është Ai për të Tijët

Ai është streha jonë në kohë fatkeqësie: “Sepse ditën e fatkeqësisë ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së tij, do të më lartojë mbi një shkëmb” (Psalmi 27:5), sepse Ai ka premtuar: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5).

Ai është drita jonë në kohë errësire: “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?” (Psalmi 27:1)… “Po të them: “Me siguri terri do të më fshehë,” madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje: terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty” (Psalmi 139:11-12).

Ai është mburoja jonë në mes të betejës: “Zoti është forca ime dhe mburoja ime” (Psalmi 28:7)… “Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore. Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën, as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë. Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde, por aty nuk do të të afrohet. Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e ty dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve. Duke qenë se ke thënë: “O Zot, ti je streha ime, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde, nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t’i afrohet çadrës sate” (Psalmi 91:4-10).

Ai është forca jonë, kur jemi të dobët: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 Korintasve 12:9)… “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).

Ai është Furnizuesi ynë në rast nevoje: “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht” (Filipianëve 4:19)… “Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë” (Psalmi 23:1). 

Përfundim

Ai është Qengji i Perëndisë, që u dërgua për të na shpenguar; Biri i dashur, që u dërgua për të na dashur; Kështjella e fortë, që u dërgua për të na mbrojtur; Burimi i Jetës, që u dërgua për të na ringjallur; Buka e Jetës, që u dërgua për të na ngopur dhe Fjala e vërtetë, që u dërgua për të na udhëhequr (Gjoni 1:29; Gjoni 3:16; Psalmi 61:3; Gjoni 6:35; Gjoni 1:1-5). Vetëm Jezusi është Zëvendësi ynë, Shpengimi ynë, Themeli ynë, Pajtimi ynë, Justifikimi ynë dhe Shenjtërimi ynë (2 Korintasve 5:21; Hebrenjve 9:12; 1 Pjetrit 2:6; Hebrenjve 2:17; Romakëve 4:25; 1 Korintasve 1:30).

Kush është Ai, që të besojmë në Të? Krishti, i cili shfaqet në Bibël, është i Vetmi Ai, tek i cili jemi thirrur për të besuar.  

 


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com