Kursi i famshëm “Alfa”: A po i çon ai njerëzit në rrugë të gabuar?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 18.06.2007

Kursi “Alfa”, si një kurs prezantues i besimit të krishterë, nëpërmjet bisedave, vidiove, diskutimeve në grupe dhe një fund-jave të veçantë, iu ka lënë shumë njerëzve kaq përshtypje, saqë shumë kisha po e përdorin këtë kurs si metodë ungjillizimi.

“Alfa” është konsideruar si sukses i befasishëm dhe fama e saj është përhapur edhe më larg vendit të origjinës së saj, kishës së Trinitetit të Shenjtë të Bromptonit, në Londër të Anglisë. “Alfa” tani po gjen miq në kontinente të ndryshme. Ajo është bërë më e përshtatshme për t’u përdorur nga të rinjtë, madje edhe nga të burgosurit, fëmijët e shkollave dhe punëtorët.

A mund të jetë “Alfa” një gjë e mirë, në një shoqëri të sotme të dhënë pas materializmit dhe ateizmit? Do të donim që përgjigja ndaj kësaj pyetjeje të ishte një “Po” kategorike. Por një kontroll më i hollësishëm i kursit “Alfa” na pengon që ta quajmë atë të dobishme.  

Perëndia i “Alfës” nuk është Perëndia i Biblës

“Alfa” citon shumë nga Bibla. E megjithatë, ky kurs nuk na prezanton me Perëndinë, që Vetveten e ka shfaqur në Bibël. Ai është Krijues i universit dhe Ai që e mban dhe e ruan atë. Ai është Mbret i madh dhe Sovran mbi gjithçka që ka bërë.

“Me kë kërkoni, pra, të më ngjasoni, që të jem baras me të?,” thotë i Shenjti. Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon” (Isaia 40:25-26).

Perëndia është i shenjtë. Ai banon në Qiell dhe është i gjithë-lavdishëm. Asgjë mëkatare nuk mund të jetojë në praninë e Tij. Ata, që janë të privuar nga lavdia dhe përsosmëria e Tij, i pret vetëm ndëshkimi (Romakëve 6:23).Duhet të gërrmosh thellë e për një kohë të gjatë për ta gjetur një Perëndi të tillë në “Alfa”. Nuk thuhet asgjë për Të si Krijues, apo si Mbret i madh. “Alfa” i merr me mend këto veti të Perëndisë, por nuk i përmend dhe nuk i përshkruan ato fare. Bibla na thotë se “Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë” (Hebrenjve 10:31). Por këtë nuk do ta mësojmë, po ta ndjekim kursin “Alfa”.

Gjendja në të cilën ndodhet njeriu, sipas “Alfës”, nuk është aq serioze, sa përshkruhet në Bibël

Njeriu nuk është i lumtur, po qe se nuk ka gjetur paqe në Perëndinë. Psalmi 7:11 na thotë se Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe “një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit”. Këtë e bën të qartë edhe Ungjilli sipas Gjonit: “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:36). Pa Perëndinë, njeriu është nën zemërimin e Perëndisë. Nuk janë vetëm fajet dhe gabimet e rastësishme, që e bëjnë njeriun të papëlqyer para Perëndisë; ai ashtu është vetë nga natyra: mëkatar.

Apostulli Pal na thotë se jemi “prej natyre bij të zemërimit” (Efesianëve 2:3). Kemi mëkatuar kundër Perëndisë dhe e kemi thyer ligjin e Tij të shenjtë. Jemi mëkatarë në sytë e Tij dhe meritojmë ndëshkimin.

“Alfa”, përkundrazi, nuk përdor shprehje kaq të fuqishme, por na lë disi në errësirë lidhur me gjendjen e njeriut. Sipas argumentave të saj, mëkati vihet re më shumë në mënyrën se si e kemi shkatërruar jetën tonë. Një përshkrim i tillë i gjendjes së njeriut përqëndrohet më shumë në ato që ndjen njeriu (si p.sh. frikë, hidhërim, mungesë lumturie, etj).

Pa dyshim, jeta e mëkatarit është e mbushur me ndjenja të tilla. Është jetë e mjeruar. Por, “Alfa” e përqëndron vëmendjen në pasojat e mëkatit, jo në vetë mëkatin. “Alfa” nuk na tregon se, mbi të gjitha, kemi mëkatuar kundër Perëndisë dhe, me të drejtë, meritojmë gjykimin e Tij. Jemi njerëz “…pa … shpresë dhe … pa Perëndi në botë” (Efesianëve 2:12). “Alfa” kurrë nuk na lejon të ndihemi keq në vetvete. Kurrë nuk na lejon ta shohim veten ashtu si jemi: mëkatarë në sytë e Perëndisë. Ky është një gabim i madh.

Jezus Krishti i “Alfës” nuk është Jezus Krishti i Biblës

“Alfa”, në fakt, flet shumë rreth Jezus Krishtit. Na tregon se çfarë bëri Ai, çfarë tha rreth Vetvetes, etj. “Alfa” gjithashtu tregon se ringjallja e Krishtit qe një ngjarje e vërtetë historike. Por, edhe pse një pjesë e kursit “Alfa” titullohet “Pse vdiq Jezusi?”, prapëseprapë, kësaj pyetjeje nuk i jepet një përgjigje e duhur.

Krishti vdiq, sepse ishte drejtësia e shenjtë e Perëndisë që e kërkonte vdekjen e Tij. Ne ishim mëkatarë dhe të pa shpresë. Krishtit i duhej të vdiste në vend të mëkatarëve, të cilët me të vërtetë meritonin të merrnin ndëshkimin për mëkatet e tyre. Vdekja e Krishtit shleu mëkatet tona dhe largoi prej nesh zemërimin e Perëndisë (Romakëve 3:25, 1 Gjonit 2:2). “Alfa” nuk na e ka përshkruar Perëndinë ashtu siç duhet, prandaj edhe në të nuk bëhet fjalë për zemërimin e Perëndisë. Në “Alfa”, vdekja e Krishtit thjesht përmbush një ide abstrakte të drejtësisë dhe është disi e distancuar nga vetë Perëndia.

Ilustrimet dhe shembujt që jep “Alfa”, për ta përshkruar vdekjen e Krishtit, nuk na e sqarojnë siç duhet çështjen. Vdekja e Krishtit mbi kryq është vërtet një vepër dashurie, por sipas “Alfës”, ajo nuk ka lidhje me realitetin e gjykimit dhe të zemërimit të Perëndisë. “Alfa” na lë të nënkuptojmë se Krishti sakrifikoi Veten për të na shpëtuar nga pasojat e mëkatit, sepse një gjë e tillë kërkohej prej një sistemi drejtësie, që ishte formal e disi arbitrar. Kështu, vdekja e Krishtit në “Alfa” është një gjë pak a shumë e mistershme. Por ky nuk është Krishti i Biblës.

Dashuria e Perëndisë në “Alfa” nuk është dashuria e Perëndisë në Bibël

Bibla na thotë qartë se “Perëndia është dashuri” (1 Gjonit 4:8). Edhe “Alfa” na e thotë këtë, por me një ndryshim. Perëndia tek “Alfa” është vetëm dashuri dhe kaq. Ai nuk është gjë tjetër, sepse kursi i “Alfës” nuk flet rreth aspekteve të tjera të karakterit të Tij të madh, të cilat kanë të bëjnë me shenjtërinë dhe lavdinë e Tij.

Perëndia i Biblës është dashuri, por dashuri, që shihet në gatishmërinë e Tij për të shpëtuar mëkatarët. Na thuhet: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).

Pse erdhi Zoti? Për të shpëtuar mëkatarët. Çfarë e motivoi Perëndinë të vepronte kështu? Dashuria e Tij. Prandaj edhe dashuria e Tij është kaq e veçantë dhe kaq e mrekullueshme. Një Perëndi i shenjtë e i lavdishëm vjen për të shpëtuar mëkatarët! Kjo bëhet e qartë edhe tek Romakëve 5:8, “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”. Këtu shohim lavdinë e dashurisë së Perëndisë. Ndaj edhe dashuria e Perëndisë nuk është kuptimplote për ne, nëse nuk e shohim atë në kontekstin e shenjtërisë dhe të përsosmërisë së Tij absolute. Pa këto dy aspektet e fundit, Perëndia kthehet thjesht në një qënie emocionale me një dashuri të pakufizuar, të ndarë prej çdo lloj të kuptuari të natyrës dhe qënies së vërtetë të Tij. Perëndia i “Alfës” do të na bëjë me krahë, do të na bëjë të ndihemi të veçantë. Perëndia i Biblës do të na japë jetë të përjetshme. Mes dy Perëndish të tilla, ka një dallim të madh.

Fryma e Shenjtë e “Alfës” nuk është Fryma e Shenjtë e Biblës

Në “Alfa”, Frymës së Shenjtë i kushtohet më shumë vend sesa vetë Zotit Jezus. Kjo është për t’u habitur, duke e ditur atë që thotë Bibla rreth Frymës së Shenjtë (Gjoni 16:13-14). Pse vepron kështu “Alfa”? Arsyeja është kjo: “Fryma e Shenjtë” e “Alfës” është shkaku, që iu jep njerëzve një “eksperiencë”, e cila iua bën realitet atyre Perëndinë.

Vëmendje të madhe i kushtohet “fundjavës së Frymës së Shenjtë”. Atyre që regjistrohen në “Alfa”, iu thuhet të presin që t’iu ndodhin gjëra nga më të ndryshmet. Sipas “Alfës”, nganjëherë, kur pjesëmarrësit mbushen me Frymën e Shenjtë, ata dridhen siç dridhet gjethja e pemës nga era. Të tjerë marrin frymë thellë, për të ilustruar thithjen e Frymës brenda trupit të tyre. Por jo vetëm kaq. Gumbëll, autori i “Alfës”, shkruan:

Nganjëherë, të mbushurit me Frymën shoqërohet me nxehtësi fizike. Njerëzit ndiejnë nxehtësi në duar, ose në pjesë të tjera të trupit. Njëri e përshkroi këtë ekperiencë si një “ndjenjë ngrohtësie nga të gjitha anët”. Dikush tjetër tha se përjetoi një “nxehtësi të lëngët”. Kurse një tjetër ndjeu “nxehtësi në krahë, edhe pse mjedisi ku ndodhej, nuk ishte i ngrohtë”.

Të gjitha këto fenomene janë interesante, por ato nuk kanë të bëjnë fare me Frymën e Shenjtë, të njohur në faqet e Biblës. “Fryma” e “Alfës” duket sikur vepron jashtë kufijve të Biblës. Ai, me të cilin prezantohen pjesëmarrësit e “Alfës” në “fundjavën e Frymës së Shenjtë”, nuk është Fryma e Shenjtë. Ky mysafir i mistershëm iu bën vizita edhe feve e kulteve të tjera jo të krishtera.

Në “Alfa”, kthimi i njerëzve tek Krishti nuk është i njëjtë me atë që përshkruhet në Bibël

Në Ditën e Pentikostit, ata që dëgjuan Pjetrin tek predikonte, “u pikëlluan në zemër” (Veprat e Apostujve 2:37). Rojtari filipian i burgut pyeti me urgjencë të madhe: “Zotërinj, ç’duhet të bëj unë që të shpëtohem?” (Veprat e Apostujve 16:30). Këta njerëz e kuptuan se ishin mëkatarë. E kuptuan se kishin nevojë për mëshirë. Për ta, ashtu si edhe për besimtarët në Thesaloniki, ungjilli ishte “…me të vërtetë, si fjalë Perëndie” (1 Thesalonikasve 2:13).

Në “Alfa” nuk ndodh kështu. Në më të shumtën e rasteve, kthimi në besim tek Krishti është një eksperiencë emocionale, që ka të bëjë me dashurinë e Perëndisë, por pa e kuptuar as shenjtërinë e Tij, as nevojën për t’u shpëtuar prej mëkatit, as nevojën për t’u penduar e për t’u kthyer tek Perëndia, si çështje jete a vdekjeje. Njerëzit ndihen të falur, por duket sikur nuk e kuptojnë thellësinë e mëkateve të tyre, apo pendimin për mëkatet. Ndihen të pastruar, por pa besuar tek Krishti në mënyrë të ndërgjegjshme. Shpesh, ata marrin vendim për të besuar në Krishtin, gjatë një momenti kur janë në një formë ekstaze. Këtë lloj besimi nuk e gjejmë në Bibël.

Përfundim

“Alfa” nuk na ndihmon për ta njohur Perëndinë, edhe pse mundohet për ta bërë këtë. Nuk na përshkruan Perëndinë e gjallë e të vërtetë. Nuk e diagnostikon mjaftueshëm e me saktësi gjendjen e njeriut. Nuk jep arsyet e duhura lidhur me vdekjen e Krishtit dhe e sheh dashurinë e Perëndisë dhe Frymën e Shenjtë nga një pikëpamje jo-biblike. Nuk na thotë dot “lajmin e keq” rreth vetes sonë, e si pasojë, nuk arrin të na japë as “lajmin e mirë”.

Shpirtrat tanë kanë nevojë për të vërtetat e pallustruara  e të pa-sheqerosura të Biblës, për ato të vërteta, të cilat janë jetë-shpëtuese, më të çmuara e më të rëndësishme sesa ato të “Alfës”. Me anë të “Alfës”, thjesht do të arrijmë t’i mbushim kishat me njerëz, që kurrë nuk janë kthyer me të vërtetë tek Krishti. Një gjë e tillë nuk do t’i ndihmojë dot as ata, as kishat tona.

S’ka perspektivë më të keqe për një njeri, kur kujton se është vërtet i shpëtuar, kur, në fakt, nuk është i tillë. “Alfa” përdor metoda të tilla mashtruese, të cilat janë “të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë” së Perëndisë (2 Timoteut 3:5). Ne nuk duhet të biem në të njëjtin kurth. Përndryshe, do të paguajmë një çmim shumë të lartë.

Redaktuar nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com