Kujt ia kemi dhënë besën?
Parathënie
Në momentin që e pranuam Krishtin si Shpëtimtar, i premtuam Atij se do ta ndiqnim, do t’i besonim dhe do t’i bindeshim me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me gjithë forcë. Për ne, nuk ka autoritet më të lartë sesa Zoti dhe kjo do të thotë se besnikëria jonë e plotë i takon Atij.
Jezusi, Shpëtimtari ynë
“Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim” (Romakëve 10:9-10)… “Ai që rrëfen se Jezusi është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë” (1 Gjonit 4:15).
Ishim të humbur në mëkat, para se të vinim tek Zoti. Por, kur i rrëfyem Atij besimin tonë tek Ai, atëherë Ai u bë Shpëtimtari ynë personal. Ai është i vetmi Shpengues, që njeh kisha e vërtetë e krishterë, sepse Ai është i vetmi që vdiq mbi kryq për mëkatet e botës dhe u ringjall pas tre ditësh. Asnjë fe tjetër nuk mund të mburret se ka një Zot dhe Shpëtimtar të ringjallur.
Ne besojmë se s’ka asnjë lloj rruge tjetër për në Qiell përveçse nëpërmjet Tij: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6), sepse “në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12). Gjëja më e mahnitshme, për të cilën duhet të jemi vazhdimisht mirënjohës, është se Jezu Krishti hyri në jetën tonë, që në momentin kur i besuam Ungjillit.
A nuk mund ta ndajmë këtë lajm të mirë me të tjerët, të cilët janë të humbur në mëkat dhe janë të destinuar për në Ferr? A nuk mund t’i drejtojmë ata tek Ai, i cili “mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë” (Hebrenjve 7:25)? Nëse ia kemi dhënë besën Atij, atëherë duhet t’iu tregojmë të tjerëve për Të.
Jezusi, Bariu ynë
“Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve…Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë…Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet” (Gjoni 10:7,9,11)… “Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë” (Psalmi 23:1).
Ashtu si një Bari i Mirë, Jezusi na udhëheq, na mbron dhe na do. Ai gjithmonë na drejton në përsosmëri dhe drejt përsosmërisë: “Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin. Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij” (Psalmi 23:2-3). Ai na ka dhënë fjalën e Tij, në mënyrë që të lexojmë rreth Autostradës Hyjnore, tek e cila po na drejton dhe që të çon në Qytetin Hyjnor. Tek Ai, ne gjejmë gjithçka që na nevojitet për jetën e krishterë. Gjithashtu, Ai na ka dhënë Frymën e Shenjtë që të banojë brenda nesh, të na udhëheqë, të na mësojë dhe të na ngushëllojë gjatë gjithë rrugës.
Ngaqë Jezusi është Bariu ynë, ne duhet ta dëgjojmë dhe t’i bindemi zërit të Tij: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin” (Gjoni 10:27). A e dëgjojmë Atë të na flasë, tek lexojmë, studiojmë dhe meditojmë duke u lutur mbi fjalën e Tij? Bariu ynë nuk na lë vetëm, kur afrohet rreziku (Gjoni 10:12), por na ka premtuar se kurrë nuk do të na lërë, kurrë nuk do të na braktisë (Hebrenjve 13:5).
Si mund t’i zëmë besë ndokujt tjetri, përveç Atij?
Jezusi, Shenjtëruesi ynë
“Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit, sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen… Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin…Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit…Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 2:17-18; 3:1; 4:14-16)… “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9).
Jezu Krishti është Kryeprifti ynë. Ai na ka shpëtuar përmes gjakut të Vet, por Ai na pastron gjithashtu, po qe se biem në mëkat. Gjaku i Tij bën akoma punë, sepse puna e shenjtërimit është një proçes i vazhdueshëm. Gjatë këtij proçesi, ne duhet të rritemi në hir e në njohuri të Krishtit: “Por rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (2 Pjetrit 3:18).
Jeta jonë e përjetshme është e sigurtë në Qiell, për shkak të veprës së Krishtit. Gjaku i Tij na mbulon mëkatet e së kaluarës, të së tashmes dhe të së ardhmes (kjo quhet ‘justifikim’). Por, ngaqë mëkatojmë, gjaku i Tij edhe na pastron (kjo quhet ‘shenjtërim’). Puna e shenjtërimit e bën besimtarin të drejtë para Perëndisë, nëse ai pendohet me të vërtetë dhe e rrëfen mëkatin e tij. Mund t’i afrohemi Kryepriftit tonë pa patur frikë se nuk do të na pranojë: “Prandaj edhe Jezusi, për të shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës (së qytetit)” (Hebrenjve 13:12).
A nuk e meriton Ai besnikërinë tonë të plotë?
Përfundim
Kujt ia kemi dhënë besën? Krishtit, apo dikujt tjetri në këtë botë? Besnikëria jonë duhet të fillojë dhe të mbarojë me Të, sepse Jezusi është “kreu dhe plotësonjësi i besimit” (Hebrenjve 12:2). Duhet ta ruajmë çdo ditë atë marrëdhënie personale, që kemi me Të. Jeta e shumë njerëzve është shembur, për shkak se ata kanë refuzuar ta vënë Krishtin në plan të parë.
Zoti Jezu Krisht është Shpëtimtari, Bariu dhe Shenjtëruesi ynë; besnikëria jonë i përket Atij.
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



