Ku janë të krishterët?

Categories: Predikime

“Për të parën herë në Antioki, dishepujt u quajtën të Krishterë” (Efesianëve 1:7-10).
 
Parathënie
E quajmë veten të krishterë, ngaqë i përkasim Zotit Jezus Krisht dhe e konsiderojmë veten të denjë për t’u thirrur sipas emrit të Tij. Fatkeqësisht sot, fjala “i krishterë” e ka humbur kuptimin e saj të vërtetë, ngaqë njerëz të kishave të ndryshme, apo thjesht ata që janë fetarë, por që nuk shkojnë në kishë, i vënë vetes këtë titull. Shumica e njerëzve kujtojnë se janë të krishterë, ngaqë u pagëzuan, kur ishin foshnjë, apo thjesht ngaqë jetojnë në një vend të ashtu-quajtur ‘të krishterë’. Të shumtë janë ata, që janë gati ta quajnë veten ‘të krishterë’, por as nuk i pranojnë, as nuk i vënë në praktikë mësimet e Zotit Jezus Krisht.
 
Të quajturit ‘i krishterë’
Në vargun biblik në hyrje të këtij studimi na thuhet se “dishepujt u quajtën të krishterë”, d.m.th. ata nuk e quajtën veten të tillë, por ky emër iu dha atyre si nofkë prej banorëve të Antiokit. Ky titull ka mundësi të ketë qenë ofendues, si formë talljeje ndaj atyre, që ia kishin përkushtuar jetën Krishtit. Por, pavarësisht se për ç’arsye u vu një emër i tillë, një gjë është e sigurtë: besimtarët nuk hoqën dorë së shpalluri hapur të besimit të tyre tek Zoti.
Vëmë re gjithashtu se në shekullin e parë, shprehja “kishë e krishterë” as që nuk njihej fare, sepse nuk ishte kisha ajo, por besimtarët individualë, që u quajtën të krishterë. Banorët e Antiokit i quajtën vetëm “dishepujt” me këtë emër, por jo të gjithë të tjerët, që mund të shkonin në kishën e parë. Prandaj, pra, vetëm pasuesit e vërtetë të Krishtit kanë të drejtën të quhen të krishterë. Në Bibël shohim se të shumtë janë ata, që thonë se kanë besim tek Krishti, por që nuk e kanë atë përkushtim, që duhet të kenë dishepujt e Tij. Kjo gjë vihet re edhe në kishat e sotshme. Besimtarë të tillë thjesht janë bërë anëtarë të një organizate kishtare, pa u menduar mirë se ç’do të thotë të jesh pasues i Krishtit. A janë, pra, ata të aftë për të qenë të krishterë?
 
Të deklaruarit ‘i krishterë’
“Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet. Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët” (Luka 9:1-2). Këtu shohim thirrjen e vërtetë të krishterë, sepse Jezusi, jo vetëm që na thërret, por edhe na dërgon në mbarë botën, për t’i shërbyer Atij. Ishte pikërisht një bindje e tillë ndaj Krishtit, që i bënte dishepujt e Antiokit të veçantë prej të tjerëve. Luka na thotë se të dymbëdhjetë dishepujt patën sukses të madh në shërbesën e tyre, por, kur u kthyen, Jezusi “i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë” (Luka 9:10) dhe i pyeti: “Kush thoni se jam unë?” – një pyetje, të cilës Pjetri iu përgjigj: “Krishti i Perëndisë” (Luka 9:20). Një deklarim i tillë konsiderohet si një nga karakteristikat e një të krishteri të sotshëm, por a duhet të konsiderohet si e tillë? Mos, vallë, thjesht të deklaruarit prej dikujt se Jezusi është Zot, e vërteton se ai njeri është dishepull i Krishtit? Jezusi thotë: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka 9:23).
 
I krishteri i përkushtuar
E shohim, pra, se që të jesh i krishterë, nuk do të thotë që thjesht ta quash veten me atë emër, apo që thjesht të deklarosh se e njeh mirë Zotin. I krishteri i vërtetë e mohon veten dhe i bindet Perëndisë. Një njeri i tillë ka marrë vendimin, që ta ndjekë Krishtin, kudo që ta drejtojë Ai. Një vendim i tillë nuk është marrë vetëm atëherë, kur i krishteri ka dëgjuar një predikim shumë emocjonues në kishë. Jo, një vendim i tillë është një dëshirë e zjarrtë, që del nga zemra, për t’i qëndruar besnik Zotit në çdo aspek të jetës. Ta ndjekësh Atë, do të thotë ta duash Atë aq shumë, saqë dashuria që ke për të tjerët mund të duket si urrejtje, në krahasim me përkushtimin tënd ndaj Tij. “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im. Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im” (Luka 14:26-7).
Ta mbartësh kryqin, do të thotë t’ia përkushtosh jetën Krishtit, për të qenë një dishepull i vërtetë i Tij dhe për të qenë gati për t’ia dorëzuar jetën tënde plotësisht Atij (2 Korintasve 8:5). Të mbarturit e kryqit është një vendim, që merret njëherë në jetë, por që duhet vënë në praktikë gjatë gjithë jetës. Jemi thirrur, që ta analizojmë veten çdo ditë, në mënyrë që ta eliminojmë gjithçka, që mund të na i bëhet pengesë përkushtimit tonë ndaj Krishtit. “Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë” (Hebrenjve 12:1-2)… “Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari” (Kolosianëve 3:5)… “Sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni. Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:13-14).        
 
Përfundim 
A e quajmë veten të krishterë, ngaqë e kemi deklaruar dikur se besojmë në Krishtin? Ka nga ata, që citojnë Romakëve 10:9, që thotë: “Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh”. Por Pali me këtë varg na thekson se besimi i vërtetë është i rrënjosur në zemrin e atij, që e deklaron me gojë Krishtin, ndaj edhe ky njeri është i shpëtuar. “Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim” (Romakëve 10:10). Po s’pate besim në zemër, kot që e deklaron atë me gojë! Le të mos e harrojmë gjithashtu edhe atë, që tha vetë Jezusi lidhur me këtë çështje: “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej” (Mateu 7:21). Një i krishterë i përkushtuar ndaj Zotit vazhdimisht e analizon gjendjen e tij shpirtërore, duke i korrigjuar ato aspekte të jetës së tij, që janë ofenduese ndaj Krishtit. “Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar” (2 Korintasve 13:5). Kështu, pra, ku janë sot të krishterët?
     
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
Author: magda maylam

Leave a Reply