Kthimi i shpatës



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 13.02.2010

“Atë ditë ndodhej aty një nga shërbëtorët e Saulit, që qëndronte para Zotit; quhej Doeg, Edomiti, kryebariu i Saulit. Davidi i tha Ahimelekut: “Mos ke rastësisht për kollaj ndonjë shtizë a një shpatë? Mbasi unë nuk kam marrë me vete as shpatën, as armët e mia, sepse detyra e ngarkuar nga mbreti ishte urgjente”. Prifti u përgjegj: “Është shpata e Goliathit, Filisteut, që ti vrave në luginën e Terebintos; është aty prapa efodit, e mbështjellë me një pëlhurë; në rast se e do, merre, sepse këtu nuk kemi tjetër veç kësaj”. Davidi tha: “Asnjë nuk ia kalon asaj; nëma!”. Atë ditë Davidi u ngrit dhe iku nga prania e Saulit; ai shkoi në Akish, te mbreti i Gathit” (1 Samuelit 21:7-10).
Parathënie
Që prej këtij momenti, historia e Davidit fillon e bëhet tani edhe më e ndërthurur se më parë. Frika, që ka patur në të shkuarën, do të bëhet edhe më e madhe, ndërkohë që durimi dhe besimi i tij do të vihen tmerrësisht në provë. Ngjarjet në vijim nuk do të kishin ndodhur kurrë, po qe se ai nuk do të kishte shkuar atë ditë tek prifti e nuk do ta kishte gënjyer atë. Veprimet tona sjellin gjithmonë pasoja, si për mirë, ashtu edhe për keq. Davidit iu desh ta fshihte gënjeshtrën e parë me gënjeshtra të tjera shtesë, në mënyrë që ta bindte priftin. Mëkati po e çonte Davidin në të tatëpjetën e frikës dhe terrorit.
Problem në horizont
Për fat të keq atë ditë, një nga shërbëtorët besnikë e të devotshëm të Saulit, Edomiti Doeg po kryente detyrat e tij fetare në tabernakull. “Bagëtia përbënte pjesën kryesore të pasurisë së Saulit, ndaj edhe kryebariu i tij ishte njeri me rëndësi shumë të madhe” (citat nga autori R.P.Smith). Doegu ishte pasardhës i Esaut. “Esau, ati i Edomitëve” (Zanafilla 36:9). Disa komentatorë besojnë se Doegu ndodhej në tabernakull atë ditë, ngaqë donte ta pastronte veten, për t’u kthyer në fenë e judenjve. Ndoshta ai po ndërronte fe për arsye politike, apo për ta avancuar edhe më shumë karierën e tij në pallatin mbretëror të Saulit.
Doegu e dëgjoi bisedën mes Davidit dhe Ahimelekut. Zemërimi i mbretit do të derdhej mbi priftërinjtë dhe mbi Davidin, sapo ta merrte vesh Sauli këtë lajm. Doegu, pra, kishte gjetur një mjet akoma më të mirë, me anë të së cilit patjetër që ai vetë shumë shpejt do të ngrihej në pozitë prej Saulit.
Shpata e Goliathit
E dimë se shpata e Goliathit ishte e madhe dhe shumë e rëndë. Por, ngaqë priftërinjtë s’kishin armatime të tjera, Davidi iu kërkoi atyre që t’i jepnin pikërisht këtë shpatë. Këto vargje na tregojnë se si Davidi vazhdon të gënjejë akoma, me qëllim që t’ia arrijë qëllimit të vet. Ahimeleku nuk po e dallonte dot të vërtetën prej gënjeshtrës. Po ta kishte vrarë sadopak mendjen, do ta kishte kuptuar se sa absurde ishin shpjegimet, që po i jepte Davidi. Davidi e dinte mirë se priftërinjtë s’ishin të armatosur, ndaj edhe ky veprim i tij duhet konsideruar si mashtrim, për të marrë medoemos shpatën e Goliathit, e cila ruhej si kujtim në tabernakull. Davidi filloi t’i zinte besë të njëjtës gjë, në të cilën kishte besuar edhe gjigandi. Por shpata s’e shpëtoi dot Goliathin. Mos vallë, Davidi po thurte plane për ta kthyer shpatën përsëri në Gath, për ta shitur atë atje dhe për t’i përdorur paratë për t’iu blerë armatime njerëzve të tij? S’ka dyshim se filistenjtë do të donin me gjithë qejf, që t’iu kthehej shpata e Goliathit. Por, pasi Doegu i raportoi Saulit, duke i thënë se e kishte parë Davidin me shpatën e gjigandit (shiko 1 Samuelit 22:10), kjo shpatë nuk përmendet më në Bibël.
Drejt Gathit
Ndoshta Davidi e pa Doegun, sepse na thuhet se ai “u ngrit dhe iku nga prania e Saulit”. Mori vendim që të shkonte në Gath, për të qenë më i sigurtë atje. Kështu pra, Davidin e shohim duke shkuar me shpatë në dorë, drejt vendit, ku kishte lindur Goliathi. Ç’ide e mirë!
Përfundim
Ashtu si edhe Davidi, të shumtë janë ata të krishterë, që i zënë besë fuqisë së mishit dhe fuqisë së botës, me qëllim që të korrin fitore ndaj armiqve të tyre. Ata, që e ndjekin me të vërtetë Krishtin, e gjejnë veten të ndodhur në të njëjtën situatë si ajo e priftërinjve në këtë studim. Ata nuk kanë asnjë armë tjetër, përveç shpatës. “Shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë” (Efesianëve 6:17)… “Sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat” (2 Korintasve 10:4). Ashtu si edhe Davidi, të shumtë janë ata të krishterë, që kënaqen me gjërat e mrekullueshme, që ofron bota dhe që përpiqen t’i përdoren metodat e botës për shërbesën e Perëndisë. Kurse ata, që e ndjekin me të vërtetë Krishtin, e përqëndrojnë vëmendjen tek fakti se adhurojnë një Perëndi të gjithëfuqishëm, i cili bëri mrekullira, para se të shpikeshin filmat, DVD-ja, apo kompjuteri. Davidi gënjeu, për të marrë shpatën e Goliathit, edhe pse nuk kishte nevojë farë për të. Gjithçka që i duhej, ishte i njëjti besim, që kishte patur atëherë, kur ishte ballafaquar me gjigandin. Më në fund, Davidi e humbi shpatën e Goliathit, por jo besimin e tij. Një ditë, ai do të kthehej përsëri tek Perëndia.          
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip:
http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com