Kam një pyetje për të gjithë ju… A mund ta zini dot dritën? A mundeni ta përqëndroni në duart tuaja forcën e elektricitetit? Apo mos e keni lidhur ndonjëherë me litar forcën manjetike? A keni parasysh ndonjë njeri që të ketë futur në krahët e tij Përjetësinë dhe qiellin? . . . Ju e njihni Atë që krijoi të gjitha këto forca për të cilat folëm deri tani. Atë i Cili ekzistonte përpara se të bëheshin të gjitha këto forca… Jemi në kapitullin 14:53 nga Ungjilli i Markut..
«Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti dhe u mblodhën tek ai të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë dhe skribët».
Do t’ju lutesha shumë që të vini re këtu se Jezu Krishtin e lidhën. Ndoshta ne nuk mund ta kuptojmë dot se ç’do të thotë fjala “e sollën”. E kapën. Ndonjëherë duhet të shikojmë thellë sesa shumë u përul Jezu Krishti. Mbajmë mend se pati uri, pati etje, u lodh, fjeti, qau… Po nuk mund t’i përfytyrojmë dot, nuk mund t’i kuptojmë dot pra disa skena të tilla. S’mund të kuptojmë dot atë, kur Ai që kishte bërë me Duart e Tij të gjithë Përjetësinë ndodhej tashmë i lidhur. Përballë një njeriu.
Dua që të mësoheni të lutemi. Të bëhet në jetën tonë të paktën ajo thënie që u përmend në orën e darkës… Në atë çastin kur ua lau këmbët… Në momentin kur ua fshiu këmbët.., u tha atyre: “Ky ishte një shembull, ashtu sikurse Unë bëra tek ju, të bëni edhe ju midis njëri-tjetrit dhe gjithashtu tek të tjerët”.
Nuk e di nëse do të na zinin ndonjëherë, e nëse do të na lidhnin ndonjëherë dhe të na çonin të na gjykonte më i vogli që ndodhet midis jush, tani ç’do të bënim? Do të thonim: – epo mirë, le të na zënë. Tani do të fillojmë të flasim për veten tonë. Si do të ndjeheni ju njeriu i madh kur të gjykoheni përballë një të vogli?
Do të doja edhe një herë të flisja për Kryqin e Krishtit. Është pika më e lartë e përulësisë. Sa herë që diçka nuk ju duket në rregull, ose keqkuptoheni për diçka, trishtoheni për diçka dhe pa dyshim mund të keni edhe të drejtë. Është diçka kjo që e mendoj edhe për veten time. Mbaj mend një mësues i cili duke na mësuar përpara shumë vitesh na thoshte: Tjetër gjë është ta njohësh Kryqin, tjetër gjë është të ngjitesh në Kryq, dhe tjetër gjë është t’i shërbesh Kryqit dhe shumë, shumë e ndryshme është të qëndrosh në Kryq. Mendoj se kjo është nevoja jonë më e madhe. Pra qëllimi është të mbetemi në mënyrën e jetesës që na ofron Kryqi.
Besoj se e dini dhe mund ta keni provuar të gjithë se nëse një ditë njëri prej jush do të vendosë syze blu, të gjitha gjërat që e rrethojnë do t’i duken blu. Në qoftë se do të vendosni syze jeshile, të gjitha sendet dhe njerëzit do t’i shikoni dhe do t’ju duken ngjyrë jeshile. Po ju pyes juve: – çfarë syzesh duhet të vëmë që ta shikojmë botën ashtu siç është, në përmasën e saj reale?
Tani së fundmi në Amerikë kanë filluar të prodhojnë disa filma të veçantë. Po për të hyrë aty brenda për të parë një film, duhet të blesh disa syze të posaçme. Dhe ndërsa ti je duke parë filmin gjendesh brenda tri dimensioneve. Pra nuk shikon dikë vetëm duke ngarë makinën por je edhe ti në sediljen përbri, brenda në makinë. Je edhe ti duke ngarë makinën. Janë pra këta filmat e famshëm tri dimensional…
Më ndihmoni me lutjet tuaja që të vë syzet e Kryqit. Sa herë që të keqkuptojnë. Sa herë që nuk ia gjej dot anën e mirë të njerëzve. Sa herë që shkaktoni ose ju shkaktojnë probleme të tjerët, mos thoni kurrë se e kanë fajin të tjerët. Ne e kemi fajin se kemi zbritur nga Kryqi. Të vdekurit a keqkuptohen?! Të vdekurit a kanë zili? Një njeri i vdekur a mund të thotë fjalë të këqija? Një njeri i vdekur a mund të urrejë?… Ne jemi të vdekur për këtë botë. Dhe ndonjëherë që jam gjendur mes problemeve dhe rri si i hutuar në mes tyre pa ditur ç’të bëj, më vjen ndër mend ai mësuesi që më mësonte duke më thënë: Zbrite nga Kryqi?! Ngjitu shpejt lart! Atje është vendi yt!
Çdo herë. Çdo herë pra kur të jesh mbushur me probleme… Çdo herë duhet të kuptosh se ke ikur dhe të duhet të ngjitesh në Kryqin e Krishtit. Ju lutem shumë.
Nëse më pyet se cila është ora dhe momenti më delikat që Jezusi pati ndonjëherë në atë orën e Kryqit, do të thoja se ishte çasti kur e lidhën dhe e çuan përballë një njeriu që ta gjykonte. Përballë një njeriu të egër në shpirt, përpara një kryeprifti me një zemër të keqe.
Por ç’mund të bënte Krishti. A e mendoni? Vetëm i duhej të lëvizte pak dorën e Tij përpara dhe gjithçka që kishte përballë Tij do të shkrinte përpara këmbëve të Tij si qiriu. Dhe diçka të tillë e bëri vërtetë dy minuta më parë në atë kopshtin e Gjetsemanisë…
-Kë kërkoni?
-Nazareasin!…
-Unë Jam!
Dhe në momentin që tha Unë Jam, të gjithë ranë poshtë…
Ju lutem shumë. Qëndroni tek Kryqi i Krishtit. Ndihmojeni njëri-tjetrin që të marrë brenda vetes Frymë Kryqi. Dhe nëse sheh diçka që nuk duhej ta shihje. Dhe nëse mendon diçka që nuk duhej ta mendoje, atëherë mund të mendosh me të drejtë se diku ke harruar syzet e Kryqit. Kur t’i vësh ato syze, buzëqesh. Është paksa e çuditshme. Por është diçka që po e studioj sidomos këto kohët e fundit. Janë marrëdhëniet e Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë. Ç’marrëdhënie e mrekullueshme. Ati tërhiqet prapa që të lavdërohet Biri. Biri bën mbrapa, që të lavdërohet Fryma. Fryma bën mbrapa që të lavdërohet Ati. Bëhet, nëse mund të shprehemi kështu një ndeshje midis këtyre tre Personaliteteve. Kush do të madhërojë më shumë njëri-tjetrin.
Tani është çasti në të cilën mund të kuptojmë atë thënien e Jezu Krishtit. Do që të bëhesh i pari? Shumë mirë është që të bëhesh i pari. Por ç’duhet të bësh? Duhet të bëhesh i fundit i të gjithëve.
Nuk kam shembuj njerëzorë për t’ju dhënë. As histori njerëzore sot nuk do të doja t’ju tregoja. Dhe në përmasa njerëzore nuk mund ta shprehja dot gjithë këtë mrekulli që Ai na fali.
Do t’ju dërgoj te Kryqi i Krishtit. Sa herë që do të shikoni një njeri të nevrikosur, i thoni, shko te Kryqi i Krishtit. Nëse do të shikoni ndonjë që ankohet sepse është i varfër, edhe këtij po ashtu t’i thoni të shkojë te Kryqi. Se mos ju vjen një tjetër dhe ju thotë: unë jam i vetëm dhe vetmia po më po më godet. I thoni të shkojë e të ngjitet në drurin e Tij. Në qoftë se një tjetër ankohet se po i bëjnë padrejtësi, i thoni këtij; shko në Golgotë… Nëse ndonjëri nuk ndjen dashuri, ashtu sikurse jemi tashmë mësuar të dëgjojmë se nuk na duan të tjerët, problemi qëndron tek ne. Ne nuk kemi dashur asnjëherë.
Nuk e di nëse keni një gjë të tillë në Shqipëri por këtu në Greqi ekziston një vend ku mund të dëgjosh tri herë zërin tënd dhe këtë të përsëritur. (Jehona). Aaaa… aaa… aa..! Po për ta dëgjuar zërin tënd tri herë, duhet… të bërtasësh. Nëse dikush nuk bërtet, nuk ka për ta dëgjuar zërin e tij. Mos u ankoni se nuk ju duan, sepse dikush që thotë se të tjerët nuk e duan, ka harruar diçka, më të rëndësishmen. Kurrë nuk ke dashur më parë..!
Nëse një ditë do të mbetesh pa dashuri. Nëse një ditë do të shohësh se ti vetë nuk tregon dashuri për të tjerët…
Ngjitu atje lart …
në Kryq…
I moshuari
“Spiros.I.Portinos”
