Krishti, Pashka jonë
“Sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne” (1 Korintasve 5:7).
Parathënie
Si besimtarë që jemi, duhet ta kuptojmë jo vetëm atë që Zoti Jezus Krisht realizoi mbi kryq , por gjithashtu edhe arsyen pse ishte e nevojshme që Ai të sakrifikohej. Në tekstin e mësipërm, fjala ‘pashkë’ ka si qëllim të na sjellë ndërmend pashkën e parë të dokumentuar tek Eksodi, kapitujt 11 dhe 12.
Përfytyrimi
Pashka u festua për herë të parë prej Izraelitëve ditën, kur mbi Faraonin dhe mbretërinë e tij u derdh plaga e fundit: “Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Unë do të sjell edhe një plagë tjetër mbi Faraonin dhe Egjiptin; pas kësaj ai do t’ju lejojë të ikni prej këtej. Kur do t’ju lejojë të shkoni, ai do t’ju dëbojë përfundimisht prej këtej” (Eksodi 11:1). Në mes të natës, Perëndia e ndëshkoi Egjiptin, duke vrarë të parëlindurin e njerëzve dhe të kafshëve. Të vetmit njerëz që shpëtuan, ishin ata që i besuan dhe iu bindën Atij: “Por kundër asnjërit prej bijve të Izraelit, qofshin ata njerëz apo kafshë, asnjë qen s’ka për të lëvizur gjuhën, me qëllim që të dini se Zoti bën dallimin midis Egjiptasve dhe Izraelit” (Eksodi 11:7).
Izraelitëve iu duhej që të zbatonin vetëm udhëzimet e thjeshta, të dhëna prej Perëndisë nëpërmjet Moisiut. Duhej të merrnin një qengj pa të meta, ta thernin, t’ia kullonin gjakun në një legen, pastaj, me një tufëz hisopi, do të merrnin nga ai gjak dhe do të ngjyenin me të dy shtalkat e dyerve dhe arkitraun e shtëpive (Eksodi 12). Duhej të rrinin mbyllur brenda, derisa ‘shkatërruesi’ të kalonte tutje. Kjo ishte e vetmja mënyrë, me anë të së cilës Izraelitët mund të ruheshin prej zemërimit të Perëndisë.
Personi
Ashtu siç ishte qengji në qendër të pashkës së parë, ashtu edhe Krishti është në qendër të shpëtimit tonë dhe të marrëdhënies sonë me Perëndinë. Pashka e parë ishte udhërrëfyese e pashkës së fundit, d.m.th. e vdekjes sakrifikuese dhe zëvendësuese të Jezusit në Kalvar.
Gjatë gjithë Dhiatës së Re, Zotin Jezus e shohim të përshkruar si Qengjin e Perëndisë: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29). Shpengimi ynë varet tek gjaku i këtij Qengji: “Duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë” (1 Pjetrit 1:18-19). Pasuesit e hershëm të Krishtit e kuptuan mirë rëndësinë e vërtetë të Isaias 53, sepse Filipi komentoi mbi këtë pasazh, ndërsa po i tregonte Etiopasit rreth Krishtit: “Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet” (Veprat e Apostujve 8:32). Nëse nuk e kuptojnë mirë arsyen pse Jezusi vdiq si Qengji i Pashkës, atëherë, si do të mund t’i ofrojmë Atij lëvdim e adhurim? “I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin” (Zbulesa 5:12). Në fakt, Qielli i ka portat e mbyllura për të gjithë ata, emrat e të cilëve nuk gjenden “të shkruar në librin e jetës të Qengjit” (Zbulesa 21:27).
Zoti Jezus Krisht ishte Qengji pa të meta i Perëndisë, i cili u kryqëzua mbi kryq. Vdekja e Tij ndodhi ditën e festës së pashkëve të Izraelitëve, e kështu, u përmbushën në mënyrë të përsosur të gjitha profecitë, që kishin të bënin me Mesian. Mëkatari mund të bëhet fëmijë i Perëndisë dhe mund të çlirohet prej mallkimit të përjetshëm, vetëm me anë të gjakut të Krishtit: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë” (Gjoni 5:24).
Ndëshkimi
Të gjithë ata, që nuk iu bindën udhëzimeve të Perëndisë, u ndëshkuan me vdekjen e të parëlindurit të tyre. E vetmja mënyrë për t’i shpëtuar zemërimit dhe gjykimit të Perëndisë ishte nëpërmjet gjakut të qengjit. Atë natë, dikush duhej të vdiste, ose i parëlinduri, ose qengji i pafajshëm. Nuk mund të nxirreshin justifikime, apo të bëheshin përjashtime prej këtij rregulli!
E meqë Jezusi është Qengji i Pashkës, çdo njeri në botë duhet të marrë një vendim: ose ta pranojë rrugën e shpëtimit të Perëndisë nëpërmjet gjakut të Krishtit, ose ta marrë vetë mbi supe dënimin. Ata që e hedhin poshtë Mbartësin e Mëkatit, duhet t’i mbajnë mëkatatet vetë mbi supet e tyre, deri sa të arrijnë në “Liqenin e zjarrtë” (Zbulesa 19:20). Vetëm një i marrë e mbart ndëshkimin mbi supet e veta, në një kohë kur dikush tjetër e ka paguar me kohë çmimin për mëkatin, duke u ndëshkuar në vend të tij: “Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat” (1 Pjetrit 2:24).
Perëndia ka siguruar
Mënyra me anë të së cilës Izraeli i shpëtoi ndëshkimit, ishte nëpërmjet gjakut të qengjit. Çlirimi u bë i mundur për të gjithë ata, që e pranuan fjalën e Perëndisë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe në lidhje me vdekjen sakrifikuese të Jezus Krishtit, sepse Perëndia “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9) dhe “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Dera e zemrës së çdo njeriu duhet të ngjyhet me gjakun e Krishtit.
Përfundim
Nuk mund të bëhen as justifikime, as përjashtime këtu: një njeri, ose e pranon shpëtimin nëpërmjet gjakut të Krishtit dhe shpëtohet, ose përndryshe, e hedh poshtë atë dhe mbetet përjetësisht i humbur. Pa Qengjin e Perëndisë, nuk ka shpengim: “Pa derdhur gjak nuk ka ndjesë” (Hebrenjve 9:22).
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net
Lidhje te tjera..



- 03. Moisiu Pashka dhe Dalja">03. Moisiu Pashka dhe Dalja
- Fjalë inkurajuese 2
- Gazeta “Udhetim ne Jete” Nr.18
Klikojeni ta hapni, ose shkarkojeni me klikun e djathte.">Gazeta “Udhetim ne Jete” Nr.18
Klikojeni ta hapni, ose shkarkojeni me klikun e djathte. - Jezusi dhe Juda
- Deshmia jone
