Krishti i Lartë dhe Zemërgurësia Priftërore
Parathënie
Drejtuesit fetarë iu kundërvunë Jezusit, lidhur me gjithçka që bënte e predikonte. Ata kujtonin se ishin më të zgjuar sesa marangozi prej Nazaretit. Zoti i turpëroi këta njerëz mendjemëdhenj vetëm me një pyetje.
Klerikizmi
“Pastaj ata erdhën përsëri në Jeruzalem; dhe ndërsa ai po ecte nëpër tempull, krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë iu afruan” (Marku 11:27).
Pse, vallë, ata që janë në pozita kishtare, e mohojnë të vërtetën biblike, mrekullitë e Krishtit dhe të qënit Zot të Tij? Përgjigjen e gjejmë tek fakti se njerëzit në pozita kishtare, pavarësisht sesa të shkolluar mund të jenë, janë, prapëseprapë, të verbër nga ana shpirtërore. Drejtuesit fetarë, që iu kundërvunë Jezusit, konsideroheshin si burimi i diturisë shpirtërore. Por, në vend që ta pranonin Mesian e tyre, ata u bënë armiqtë më të betuar të Tij.
Kisha e Krishtit duhet të tregojë kujdes, që të mos mbështetet shumë tek predikuesit, pastorët, apo udhëheqësit e tjerë. Këta njerëz janë thjesht mish e gjak dhe ka mundësi që të gabojnë, si nga ana doktrinale, ashtu edhe ajo praktike. Gjithçka që predikohet në kishë, duhet të kontrollohet me Biblën. Veprat e Apostujve 17:11 na thotë se besimtarët në Berea “e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu”. Rregulli duhet të jetë gjithmonë ky: t’iu shkojmë pas vetëm atyre, që ndjekin Fjalën e Perëndisë dhe Krishtin. “Prandaj ju bëj thirrje të bëheni imituesit e mi” (1 Korintasve 4:16). Ka vetëm një Prift dhe Pastor të shpirtrave tanë, i cili nuk gabon kurrë. Ai është Jezus Krishti, “kryebariu” (1 Pjetrit 5:4). Duhet të mësojmë që “përmbi tokë” të mos thërrasim “askënd atë” (Mateu 23:9).
Smira
“Dhe i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Kush ta dha këtë pushtet për t’i kryer këto gjëra?” (Marku 11:28).
Drejtuesit fetarë nuk mund ta mohonin se Jezusi kishte bërë mrekulli të mahnitshme. Nuk gjenin dot asnjë të metë, qoftë në jetën e Tij, qoftë në ato që predikonte. Nuk iu mbetej gjë tjetër, veçse ta nënvlerësonin, duke i bërë një pyetje, për të parë autorizimin e Tij tokësor si predikues.
Nuk është as shkolla biblike, as njeriu, që e cakton besimtarin për të kryer punën e Perëndisë, por, përkundrazi, është vetë Perëndia. “Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira. Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin” (Psalmi 75:6-7)…“Dhe askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po ai që thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni” (Hebrenjve 5:4). Dhe kështu ishte puna edhe me postin priftëror të Krishtit: “Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë lavdinë që të bëhet kryeprift, por ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, sot ti më linde” (Hebrenjve 5:5). Sot ka shumë njerëz në poste autoritare, që nuk kanë të drejtë fare të jenë në ato poste. Fryma e Shenjtë mund ta thërrasë besimtarin për të shërbyer, pa patur nevojë për thirrje prej robit. Po ashtu, një njeri mund të caktohet prej të tjerëve për të shërbyer, pa u thirrur prej Frymës së Shenjtë.
Kjo nuk do të thotë se kisha nuk duhet të ketë drejtues, rregull dhe disiplinë. Një ushtri pa udhëheqje dhe disiplinë s’ka vlerë fare, kur vjen puna për mbrojtjen e kombit. Pak rëndësi ka se ç’rroba ka veshur ushtari, apo se sa praktikë ka bërë. Po nuk qe gati për t’u ballafaquar me armikun, atëherë ai është i padobishëm. Nëse udhëheqësit tanë janë nga ata, të cilëve mund t’iu zihet besë, atëherë e kemi për detyrë që të lutemi për ta. “Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre” (Hebrenjve 13:7). Nëse udhëheqësve mund t’iu zihet besë, atëherë ndiqni këshillën e tyre: “Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi” (Hebrenjve 13:17).
Të folurit me dy kuptime
“Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju pyes diçka; më jepni përgjigje, pra, dhe unë do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra. Pagëzimi i Gjonit a ishte nga qielli apo nga njerëzit? Më jepni përgjigje. Ata filluan të arsyetonin midis tyre: “Po të themi “nga qielli,” ai do të thotë: “Atëherë pse ju nuk i besuat?”. Por po t’i themi “nga njerëzit,” kemi frikë nga populli, sepse të gjithë e konsideronin Gjonin se ishte me të vërtetë një profet”. Prandaj, duke iu përgjigjur, i thanë Jezusit: “Nuk e dimë”. Dhe Jezusi duke u përgjigjur, u tha atyre: “As unë nuk po ju them se me çfarë pushteti i bëj këto gjëra” (Marku 11:29-33).
Edhe pse drejtuesit fetarë nuk e donin fare Gjonin, prapëseprapë, ata kishin frikë të flisnin keq rreth tij. Po të vepronin në këtë mënyrë, atëherë njerëzit nuk do t’i respektonin më si më parë. E dinin se nuk mund të thonin dot se Gjoni ishte një njeri vërtet prej Perëndisë, sepse, përndyshe, Jezusi do t’i pyeste se përse nuk i kishin ndjekur mësimet e tij. Kështu që ata thanë një gënjeshtër, për të mos u turpëruar para turmës.
Sot ka shumë drejtues kishash, që deklarojnë se janë shërbëtorë të fjalës së Perëndisë. Por, në të vërtetë, ata as nuk duan të predikojnë pikërisht atë që thotë Bibla, as nuk duan të jetojnë në përputhje me të. Sapo njeriu të heqë dorë prej zgjuarsisë së tij tokësore, prej mendjemadhësisë e prej mashtrimit, atëherë ai do të dalë menjëherë nga errësira e do të hyjë në dritë, do ta kuptojë dhe do ta shpallë Krishtin si Shpëtimtarin e vet. “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17).
Përfundim
Ka shumë shpirtra, që janë të shkatërruar përjetësisht, ngaqë e kanë mohuar Krishtin si Shpëtimtar. Ka të tjerë, që janë të mallkuar, ngaqë, edhe pse e dinë se Krishti është rruga e vetme e shpëtimit, prapëseprapë, nxjerrin justifikime e thonë se nuk mund ta ndjekin dot Atë. Në të vërtetë, këta njerëz e duan mëkatin, më shumë sesa shpëtimin e shpirtit të tyre: “Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta” (Gjoni 3:19).
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



