Krishtërim jo i përsosur
Parathënie
Problemi me kishën e Efesit, ashtu siç përshkruhet tek libri i Zbulesës, qëndronte tek fakti se anëtarët e saj nuk e kishin vendosur Jezusin në plan të parë, prandaj, për këtë arsye, ata nuk e donin Atë me gjithë zemër. Ata kishin kryer shumë vepra të mira, si psh.: po qëndronin të patundur në të vërtetën biblike dhe në shenjtërinë, por në fakt, ata ishin një kishë e vdekur. Lloji i Krishtërimit që praktikonin, ishte i gabuar dhe nuk ishte i përsosur.
Mbishkrimi
“Engjëllit të kishës së Efesit shkruaji: këtë thotë ai që mban të shtatë yjet në të djathtën e tij dhe që ecën në mes të shtatë shandanëve prej ari” (Zbulesa 2:1).
Qyteti i Efesit ishte i zhytur në idhujtari dhe në imoralitet, dhe e kishte dëgjuar fjalën e Perëndisë prej apostullit Pal. Kisha që Pali kishte themeluar në Efes, nuk ishte më ajo e para, edhe pse dukej sikur bazohej në Bibël nga ana shpirtërore. Tek vargu 1, e shohim Zotin tek ecën mes kësaj kishe, megjithëse ajo ishte larguar nga besimi. Anëtarët e saj nuk ishin të përkushtuar plotësisht ndaj Perëndisë, e megjithatë Krishti i mbante fort për dore. Zoti nuk heq dorë prej asnjë lloj kisheje, sepse mund të vijë dita, kur, qoftë edhe një anëtar i vetëm i saj mund të pendohet dhe të nisë një ringjallje!
Inventari
“Unë i njoh veprat e tua, mundin tënd dhe durimin tënd edhe se ti s’mund t’i durosh të këqijtë; ti i vure në provë ata që pretendojnë se janë apostuj dhe nuk janë dhe i gjete gënjeshtarë. Ti ke duruar, ke qëndrueshmëri dhe për hir të emrit tim je munduar pa u lodhur… Por ti ke këtë, që i urren veprat e Nikolaitëve, që i urrej edhe unë” (Zbulesa 2:2-3,6).
Kjo kishë ishte e fortë, kishë besuese e Biblës. Zoti e lavdëron atë për këto gjëra si më poshtë:
a) Anëtarët e saj punonin për Të.
b) Ata qëndruan besnikë, edhe pse u persekutuan.
c) Ata nuk pranuan që të kompromentoheshin me botën.
d) Ata nuk u lanë vend mësuesve të rremë.
e) Ata e urrenin klasën e priftërinjve, e cila sapo kishte filluar të hynte në krishtërimin e asaj kohe.
Shumica e kishave sot as që nuk i afrohen sadopak këtij lloj standarti të krishtërimit të kishës së Efesit, por ato mendojnë se Zoti i nderon me praninë e Tij. Është e mundur të jesh një kishë e shquar, por të mos ia kesh arritur standartit të Zotit. Asnjë kishë nuk është e përsosur, po qe se Jezusi nuk është me të.
Ndëshkimi
“Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le” (Zbulesa 2:4).
Kjo ishte e vetmja gjë që e bëri këtë kishë, e cila kishte qenë dikur e përsosur, të ishte tani jo e përsosur: ata e kishin lënë “dashurinë e tyre të parë”. Zoti nuk mund ta toleronte këtë. Po qe se ky problem nuk do të zgjidhej, atëherë papërsosshmëria do të përhapej si kancer dhe do ta shkatërronte plotësisht kishën.
Kisha e Efesit ishte ‘flakë e zjarr’, kur vinte puna për aktivitete, por megjithatë, zemrat e anëtarëve të saj ishin të ftohta ndaj Zotit. Po, ata qëndronin të patundur në doktrinat biblike, iu kundërshtonin gabimeve, dhe e njihnin Krishtin si Zot të kishës së tyre, por në zemrat e tyre mungonte devotshmëria.
Ata e vinin në praktikë shenjtërinë, ndërkohë që zemrat i kishin larg nga Krishti: “Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit” (Isaia 29:13). Ata e bënin çdo gjë në mënyrë fetare, pa patur zell për Zotin.
Udhëzimi
“Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh” (Zbulesa 2:5).
Zoti Jezus Krisht i jep kësaj kishe tre udhëzime: “Kujtohu… Pendohu… Luaj”.
1. “Kujtohu” - Ata duhet t’i hidhnin sytë tek kohët e mrekullueshme që kishin kaluar më parë me Zotin. A nuk kishin qenë ata dikur të zellshëm, të përkushtuar dhe të shenjtë? A nuk arrijnë ta shohin se sa shumë janë larguar prej Perëndisë?
2. “Pendohu” - Është e pamundur që ta fshehim kokën pas lavdërimeve të të tjerëve, në një kohë kur zemrat tona nuk janë me Zotin. Pendimi këtu nuk ka të bëjë me mëkatet, por vetëm me mëkatin më të madh që mund të kryejë kisha, d.m.th. të dështojë së nderuari Zotin me të vërtetë. Fjala “pendohu” në këtë aspekt ka lidhje drejtpërsëdrejti me kthimin tek “dashuria e parë”.
3. “Luaj” – Ata ishin në rrezik që të bëheshin një kishë pa Krishtin, po të vazhdonin ta neglizhonin këtë domosdoshmëri të madhe. Kur Zoti largohet nga kisha, atëherë vendin e Tij e zë feja. Po të mos pendoheshin, shumë shpejt emri i vërtetë i kësaj kishe do të ishte: “Ikabod… Lavdia u largua” (1 Samuelit 4:21).
Ata duhet të merrnin një vendim. Ilaçi i rekomanduar nga Krishti nuk mund të pihej gradualisht, por përkundrazi, duhej të egzistonte menjëherë një përgjigje e vendosur ndaj udhëzimeve të Tij. Dukej sikur Jezusi po thoshte: “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni” (Jozueu 24:15).
Inkurajimi
“Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave: kujt fiton do t’i jap të hajë nga pema e jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë” (Zbulesa 2:7).
Zoti iu premton atyre një bekim të madh, nëse do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Tij. Ata do të kënaqen me frytin e përjetshëm të jetës së përjetshme në praninë e Tij. A nuk do të thotë kjo se ata nuk do të merrnin një shpërblim të tillë, po qe se do të vazhdonin të praktikonin një krishtërim jo të përsosur? A nuk i paralajmëroi Krishti ata se do t’iu shuhej shandani, po të mos pendoheshin? Anëtarëve të kishës së Efesit nuk iu duhej më shumë besim, apo një shenjtëri më e thellë, apo më shumë njohuri për fjalën e Perëndisë, në mënyrë që ta mundnin djallin. Jo, ajo që iu kërkohej atyre ishte vetëm kjo: “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde” (Ligji i Përtërirë 6:5).
Përfundim
Të gjitha ringjalljet, lëvizjet për shenjtëri dhe kishat kanë gabuar në këtë pikë të vetme: diku gjatë rrugës së besimit të tyre në Krishtin, ato kanë ndaluar së vendosuri Krishtin në plan të parë. Nuk është gabim të kesh një doktrinë të drejtë biblike apo të jetosh me shenjtëri, por këto gjëra s’kanë aspak vlerë, nëse Zoti nuk është Mjeshtri yt. “Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet” (Psalmi 127:1). Është e mundur që koka (ose mendja) jonë të jetë ‘e zjarrtë’ për Perëndinë, por zemra jonë të jetë ‘e ftohtë’ ndaj Tij. Kur, nga njëra anë, dashuria jonë për Zotin zvogëlohet, nga ana tjetër, qortimi i Tij ndaj nesh rritet. Ndoshta përgjigja nuk ka të bëjë me ‘më shumë shenjtëri’ apo me ‘një qëndrim më të patundur kundër gabimit’, apo me ‘një rritje të besimit’. Ndoshta ajo që kërkohet prej nesh është thjesht një kthim pas tek “dashuria e parë” – kjo sjell ringjalljen. Është marrëzi të fshihemi pas velit të ‘jetesës së krishterë’, nëse Zoti po na qorton, ngaqë nuk e duam Atë me gjithë zemër. Po qe se vazhdojmë të shfaqim një krishtërim jo të përsosur, atëherë, edhe pse flasim rreth shenjtërisë, do të jemi po aq larg prej Zotit, sa ç’janë edhe fetarët dhe hipokritët.
Nga Pastor Gary J. Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



