Krishtërim i Kripur



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 30.05.2007

Parathënie

Si të krishterë që jemi, të folurit duhet ta kemi gjithmonë të ndrequr me “kripë”: “Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit” (Kolosianëve 4:6). Kjo do të thotë se fjalët tona duhet të jenë në përputhje me fjalën e Perëndisë. Në të folurit tonë nuk duhet të ketë vend për mendjemadhësi, thashetheme, budallallëk, mëri, apo mungesë dlirësie. Ky varg i Palit i ka rrënjët tek vetë mësimet e Jezusit.

Kripa e tokës   

“Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t’u hedhur dhe ta shkelin njerëzit” (Mateu 5:13).

Pali e përdor “kripën” në lidhje me të folurit tonë, kurse Jezusi i referohet natyrës dhe karakterit të perëndishëm të besimtarit. Hiri i Perëndisë duhet të shihet qartë në jetën e besimtarit, në gjithçka që mendon ai, në gjithçka që thotë, apo në gjithçka që bën. Në këtë mënyrë, bota e kupton se ky njeri i përket Krishtit.

Kripa përdoret për ta ruajtur ushqimin, që të mos prishet, si edhe për t’i dhënë atij shije. Por, nëse kripa bëhet e amësht, nuk ka më vlerë për asgjë, veçse të përdoret në vend të zhavorrit në rrugë, kur bën ngricë e acar në dimër. Jezusi tha: “Ju jeni kripa e tokës”. Por, n.q.s. kishën sot po e shkelin njerëzit me këmbë, atëherë kjo tregon se asaj (d.m.th. kishës) i ka humbur fuqia dhe hiri i Perëndisë, që kishte dikur. Të krishterët, si individë, duhet të jenë “kripa e tokës”, por shumica nuk e portretizojnë Krishtin ashtu siç duhet në jetën e tyre. Përkundrazi, në natyrë e në karakter ata i ngjasojnë më shumë botës. Ashtu siç e parandalon kripa përhapjen e së keqes, ashtu edhe besimtari duhet t’i sjellë botës fuqinë ruajtëse të drejtësisë, duke qenë: “skamës në frymë…zemërbutë…i mëshirshëm…i pastër në zemër…që përpiqet për paqen” (Mateu 5:3-9).

Nuk mund t’i japim prapë shije kripës, po qe se asaj i ka ikur njëherë shija. Kjo do të thotë se rilindja nuk vjen, duke u përpjekur të përdorim metoda të botës, me qëllim që ta ndryshojmë gjendjen në kishë e në shoqëri. Aktivitetet dhe argëtimet shoqërore nuk kanë vlerë para Perëndisë, por, përkundrazi, e shkatërrojnë natyrën e krishtërimit dhe e paraqesin kishën si të dobët në sytë e jobesimtarëve. Kisha duhet të kthehet tek Perëndia, që të marrë fuqi për të bërë punën, që i është caktuar.

Jemi thirrur për të qenë jo thjesht “shkues në kishë”, por  “kripa e tokës”. Nuk duhet shumë punë për t’u bërë shkues kishe, mjafton që të shkosh në kishë. Por, për të qenë dishepull i Krishtit, duhet përkushtim dhe këmbëngulje. Kanë qenë dishepujt e vërtetë të Krishtit ata, që e kanë ndryshuar botën në të kaluarën. Këta nuk kanë qenë njerëz të veçantë nga të tjerët. Përkundrazi, ata e jetonin jetën e krishterë në mënyrë normale. Perëndia i përdori këta njerëz për të spërkatur kombe e shoqëri të tëra me ta, sepse ata vetë donin të jetonin sipas fjalës së Tij. Jeta normale e krishterë nuk është thjesht të vajturit në kishë dhe të ngrohurit e karriges atje, por Jezusi e përshkruan atë kështu: “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10).

Kripa është “kripë”, ngaqë është “e kripur”. Kripa, që e përdorim për gatim, ka vlerë pikërisht ngaqë është kripë. Mund të ketë substanca të tjera, që mund të duken nga pamja e jashtme si kripa, madje edhe mund të bien erë si ajo, por, po nuk patën të njëjtën veti si kripa, atëherë ato substanca nuk kanë vlerë fare. Kështu edhe me të krishterët. Ata mund të bëjnë ca gjëra, që i bëjnë edhe dishepujt e vërtetë, por, nëse nga natyra e nga karakteri nuk janë si “kripa e Perëndisë”, atëherë nuk i hyjnë në punë fare Atij.

Të krishterët duhet të jenë të dallueshëm e të veçantë si kripa. Nuk mjafton vetëm që të jenë të veçantë nga besimtarët e feve të tjera. Po qe se nuk japin një kontribut pozitiv si “kripa”, atëherë ata nuk vlejnë fare, veçse për t’u hedhur poshtë e për t’u shkelur me këmbë. Kripa është e dobishme, jo sepse nuk ngjason me ndonjë substancë tjetër, por sepse jep një kontribut pozitiv. Ashtu siç ushqimit i nevojitet kripa për t’i dhënë shije, ashtu edhe botës i nevojiten fjalët tona.

Kripa duhet të depërtojë thellë, që të japë efekt. Nuk ka vlerë, thjesht duke ndenjur në dollap. Të krishterët duhet të depërtojnë thellë në fushat e tyre: në mjekësi, në biznes, në arsim dhe në sfera të tjera shoqërore. Nëse na duhet që të shërbejmë si dishepuj “të kripur”, atëherë duhet të jemi gati për të shërbyer në këtë mënyrë. Nuk mjafton vetëm që të përgatitësh një kuti të bukur, t’i vësh etiketën “kripë” e pastaj të rrish e të presësh se do ta bëjë punën e vet, thjesht ngaqë ti po e tregon me gisht, duke thënë sa e bukur është. Secili prej nesh duhet ta përdorë dhuratën, që i është dhënë nëpërmjet hirit të Perëndisë, me qëllim që kisha të përfitojë prej saj e bota ta dëgjojë mesazhin e shpëtimit. Çdo individ ka rëndësi të madhe në sytë e Perëndisë. Çdo dishepull është “kripë”. Ai ka një rol për të luajtur në planin e Perëndisë; jeta e tij ka vlerë.

Nëse duam të jemi “kripa e tokës”, atëherë duhet të jemi të bindshëm dhe të bashkuar: “Sepse gjithkush duhet të kripet me zjarr, dhe çdo fli duhet të kripet me kripë. Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhet e amësht, me se do t’i jepni shijen? Kini kripë në vetvete dhe jetoni në paqe njëri me tjetrin!” (Marku 9:49-50).

Duhet ta disiplinosh vetveten, që të bëhesh i bindshëm. Ajo që na mëson Jezusi në vargun e mësipërm, bazohet tek Levitiku 2:13, ku kripa përdoret si simbol i besëlidhjes midis Perëndisë dhe popullit të Tij. Kripa iu sillte atyre ndërmend faktin se këtë besëlidhje nuk duhet ta thyenin kurrë. Kësaj i referohet edhe apostulli Pal tek Romakëve 12:1-2: “Po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë”. E si mund të përdoremi fuqimisht prej Perëndisë, nëse jetojmë si bota, pa Krishtin? Si do të mund t’i kuptojë bota bekimet e shpëtimit, nëse besimtarët nuk mund të jetojnë jetë të perëndishme në paqe me njëri-tjetrin? “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35). Kjo është dobësia e kishës së sotme. Shumica e besimtarëve janë më shumë të interesuar për rehatinë, lluksin dhe bërjes së qejfit, sesa të qënit “të kripur”, të disiplinuar e në unitet paqësor me njëri-tjetrin.

“Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhët e amësht, me se do të mund t’i kthehet shija? Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh, por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë” (Luka 14:34-35). Luka e përdor këtë thënie të Jezusit, për të treguar domosdoshmërinë e të braktisurit të gjithçkaje e të shkuarit pas Tij: “Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im” (Luka 14:33). Por kripa e keqe nuk ka vlerë dhe duhet të hidhet poshtë. Kështu janë edhe dishepujt fallco, që e ndjekin Krishtin për arsye jo të perëndishme dhe nuk e mbartin mbi supe kryqin e të disiplinuarit të vetvetes: “Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im” (Luka 14:27). Në ditët, kur u shkrua Bibla, kripa shpesh kishte papastërti nga brenda, si p.sh. rërë, gurë dhe lëndë të tjera, të cilat ia merrnin e ia largonin shijen kripës. Ajo duhej të ishte e pastër dhe duhej të ruhej e pastër, me qëllim që të kishte vlerë në të ardhmen. Kryqi i të disiplinuarit të vetvetes na jep mundësinë që ta largojmë nga vetja çdo gjë që na ndot dhe na bën të denjë për qëllimet e Perëndisë.

Përfundim                      

Nga natyra, i krishteri është “kripë” në një botë të humbur e mëkatare. Nëpërmjet Krishtit, ai është në gjendje, që të sjellë shpëtim dhe shije tek jobesimtarët. Për këtë, të krishterit i nevojitet që ta disiplinojë vetveten. Duke marrë parasysh këto gjëra, ai duhet ta llogarisë çmimin që në fillim dhe duhet ta kuptojë qartë se ç’do të thotë me të vërtetë të jesh dishepull. Fëmija e Perëndisë nuk do të mund t’ia arrijë dot qëllimit për të cilin është shpëtuar, po qe se nuk e shqyrton veten në mënyrë të vazhdueshme e radikale. Ç’është kjo “kripë”? Është hiri i Perëndisë, në mendimet, fjalët dhe në veprat tona. Kjo do të thotë të jetosh një jetë të ngjashme me atë të Krishtit, në një botë mëkatare. Do të thotë të jesh i shenjtë dhe i perëndishëm në çdo situatë, si brenda, ashtu edhe jashtë godinës së kishës.

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net

Lidhje te tjera..