Konflikti i Perëndisë me kombin tonë
“Dëgjoni fjalën e Zotit, o bij të Izraelit, sepse Zoti ka një konflikt me banorët e vendit: Nuk ka në fakt as sinqeritet, as mëshirë dhe as njohje të Perëndisë në vend. Nuk bëhet tjetër përveç shpërbetimeve, gënjeshtrave, vrasjeve, vjedhjeve, shkeljeve të kurorës, shkeljeve të çdo kufizimi dhe derdhet gjak mbi gjak. Për këtë shkak vendi do të jetë në zi dhe tërë banorët e tij do të vuajnë, bashkë me kafshët e fushës dhe me shpendët e qiellit; madje edhe peshqit e detit do të eliminohen” (Osea 4:1-3).
Parathënie
Perëndia kishte një konflikt me popullin e Izraelit. E kishte bekuar atë në mënyra nga më të ndryshmet, e prapëseprapë, populli i Izraelit tregohej mosmirënjohës e i pabindshëm. Ja, disa nga premtimet, që Perëndia iu kishte dhënë izraelitëve: “Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses” (Isaia 54:17)… “Unë do t’ju jap shirat simbas stinëve, toka do të japë prodhimin e saj dhe drurët e fshatit do të japin frytet e tyre” (Levitikut 26:4)… “Unë do të bëj që të mbretërojë paqja në vend; do të bini në shtrat dhe askush nuk ka për t’ju trembur” (Levitikut 26:6). Por izraelitëve, krahas premtimeve, iu ishte dhënë edhe urdhërimi për t’iu bindur Perëndisë, por ata vendosën që të mos ia vinin veshin Atij. “Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin; bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj; mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i keni njohur kurrë” (Ligji i Përtërirë 11:26-28). Në të kaluarën, edhe kombi ynë ka qenë i bekuar fuqimisht nga Perëndia. Por, edhe ne, ashtu si izraelitët e lashtë, ia kemi kthyer Atij kurrizin. Nuk mund të presim dot më bekime prej Tij, por vetëm gjykim.
Ankesa e Perëndisë
Shoqëria (në kohën e profetit Osea) ishte e prishur krejt. Profetët, priftërinjtë dhe politikanët i mashtronin njerëzit. Ata që duhej t’i dilnin për zot së vërtetës, ishin të kompromentuar, me qëllim që të mos ofendonin asnjeri. Të njëjtën gjë vëmë re edhe sot. Qeveria drejtohet prej politikanëve të korruptuar, që nxjerrin pretekste për mëkatet e tyre. Medja (televizori, gazetat, etj) i shtrembërojnë lajmet aq shumë, saqë njerëzit arrijnë ta besojnë çdo lloj gënjeshtre. Drejtuesit e fesë i dalin për zot çdo lloj çështjeje, me përjashtim të krishtërimit biblik.
Në kombin e Izraelit mungonte mëshira. Njerëzit e kishin humbur fare idenë e drejtësisë dhe nuk i kuptonin dot parimet morale. Ku ka mëshirë sot? Njerëzit, në përgjithësi, janë bërë egoistë dhe imoralë. Dhuna vihet re pothuajse në çdo rrugë të çdo qyteti. Një komb, apo një individ, që nuk tregon mëshirë ndaj të tjerëve, nuk mund të presë që të marrë mëshirë prej të tjerëve: “Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë” (Mateu 5:7)… “Ti tregohesh i dhimbshëm ndaj njeriut besimtar dhe i drejtë me njeriun e drejtë. Ti tregohesh i pastër me atë që është i pastër dhe dinak me të ligun” (Psalmi 18:25-26). Pikërisht, për këtë arsye, Osea ia vuri emrin vajzës së tij ‘Loruhamah’, që do të thotë ‘pa mëshirë’. “Atëherë Zoti i tha Oseas: “Vëri emrin Lo-ruhamah, sepse nuk do të kem më mëshirë për shtëpinë e Izraelit, por do t’i heq të gjithë” (Osea 1:6). Ky ishte, pra, si një paralajmërim i Perëndisë ndaj Izraelit dhe një thirrje për t’u penduar.
Izraelitët nuk kishin njohuri rreth Perëndisë. Një deklaratë e tillë duket e habitshme, kur marrim parasysh se populli i Izraelit i ishte borxhli Perëndisë për vetë egzistencën e tij: ligjet izraelite ishin të bazuara në fjalën e Perëndisë; populli kishte parë me sytë e tij gjërat e mrekullueshme që Perëndia kishte bërë për ta. Për më tepër, ata gjithmonë kishin patur begati, ndërkohë që kombet e tjera jetonin në varfëri. E megjithatë, izraelitët nuk dinin gjë fare për Perëndinë. Në të njëjtën mënyrë, edhe fëmijët në vendin tonë, po rriten në një ambjent pagan. Kanë njohuri rreth fesë myslimane, fesë hindu, etj., por nuk iu jepet mësim siç duhet rreth Krishtit dhe Biblës. Shkollat i nxisin fëmijët që të meditojnë me sy mbyllur, në praninë e dritave, të kristaleve, apo të pajisjeve të tjera të kulteve nga më të ndryshmet, por lutja drejtuar Perëndisë së Gjallë nuk lejohet fare. Vendi ynë i vogël ka mundur shumë armiq të fuqishëm. Pse? Sepse dikur kishim besim tek Perëndia. Pa shihni se ç’na ka ndodhur, qëkurse kemi pushuar së nderuari Perëndinë dhe fjalën e Tij!
Rezultati i pashmangshëm
Po i vjen rradha gjykimit. Madje edhe tani, ne jemi nën tutelën e kombeve të tjera. Për këdo, që ia kthen kurrizin Perëndisë, rezultati përfundimtar është gjykimi, por Zoti thotë tek Psalmi 9:17, “Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë”. Nuk mund ta mohojmë dot se kombi ynë është i degjeneruar, ngaqë nuk zbatohet siç duhet ligji. As policia, as politikanët nuk janë në gjendje ta mbrojnë të pafajshmin. Mallkimi i ka rënë fushave, kafshëve, peshqve e zogjve, shëndetit tonë personal dhe atij kombëtar. Të gjitha këto janë pjesë përbërëse e gjykimit të Perëndisë ndaj nesh, por do të vuajmë edhe më shumë, po të mos pendohemi.
A na ka mbetur më kohë për t’u penduar?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e di vetëm Perëndia. Kombi ynë mund të ketë dalë nga rruga e drejtë: nga ana politike, kontrollohemi plotësisht prej Evropës, kurse, nga ana shpirtërore, jemi rrethuar prej feve të rreme. Fakte të tilla tregojnë se ndoshta nuk ka më përmirësim për kombin tonë. Por, nuk është kurrë vonë për popullin e Perëndisë. Ai për ne është përgjithmonë “një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi” (Psalmi 46:1). Prandaj edhe mund të themi bashkë me Davidin: “Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit, dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij” (Psalmi 46:2-3). Si individë, si kishë dhe si familje, ne mund ta kërkojmë Zotin me gjithë zemër: “Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër. I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht” (Isaia 55:6-7).
Përfundim
Nëse Perëndia ka një konflikt me ne, atëherë nuk është mirë që të vazhdojmë të mos ia vëmë veshin Atij. Izraelitët, më në fund, për 70 vjet me rradhë u morën si skllevër në Babiloni dhe, edhe sot e kësaj dite, nuk i kanë rifituar dot kurrë bekimet, privilegjet apo tokën e dikurshme. Tek Izraeli shohim atë që i ndodh atij kombi, që e mohon fjalën e Perëndisë. Mateo Henri ka thënë: “Mëkatet tona, si individë, si familje, si lagje, si komb, janë arsyeja pse Perëndia ka një konflikt me ne. Le t’i nënshtrohemi e t’i përulemi Atij, që të mos shkatërrohemi më shumë prej Tij”.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



