Koha e Shenjtërimit (Pjesa 7)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 19.07.2007

Besimi
“… duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.”
(Veprat e Apostujve 15:9)
“që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.”
(Galatasve 3:14)

Parathënie
Kur do të kemi ne një zemër të pastër? Atëherë kur në shpirtrat tanë të gjendet një dëshirë e zjarrtë për këtë qëllim, dhe atëherë kur me të vërtetë të jemi penduar dhe ta kemi kuptuar sesa të mjeruar jemi në gjendjen e tanishme. Kur i besojmë Perëndisë me një besim të sinqertë, që del nga thellësia e zemrës, atëherë bekimi i një zemre të pastër do të na bëhet realitet. Në këtë studim, do të diskutojmë domosdoshmërinë e besimit për pastrimin e zemrës.

Besimi, për të cilin kemi nevojë
Fariseut të mbushur plot e përplot me vetë-drejtësi dhe formalizëm, Zoti Jezus Krishti kurrë nuk i tha: “Vetëm beso”. As Saduceun, që mburrej për të ashtu-quajturën arsyen dhe mençurinë e tij, Ai nuk e thirri që të besonte në Të. Por ata që morën ftesë për të kërkuar Zotin, ishin të varfërit, nevojtarët dhe mëkatari i penduar… “Sepse Unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët” (Mateu 9:13).
Xhon Fleçëri ka shkruar: “Kur nuk besoj, jam si një pikë uji e përzier me baltë, e tharë nën djellin e tundimit, por kur besoj dhe bashkohem me Krishtin, jam si e njëjta pikë uji në oqeanin e pafundë të dritës, jetës, lirisë, fuqisë dhe dashurisë”.
E dimë se në cilin duhet të besojmë, por ku qëndron vështirësia jonë?

Si të besojmë?
Duhet të besojmë të gjithë fjalën e Perëndisë, të gjitha premtimet e saj, bekimet, korrigjimet, profecitë dhe paralajmërimet. Po të përpiqemi të besojmë në Perëndinë në ndonjë mënyrë tjetër, do të dështojmë menjëherë. Prandaj duhet të ulemi të pushojmë mbi shkëmbin e fortë, që është fjala e shkruar e Perëndisë.
Duhet ta bëjmë tonën qoftë edhe një thënie të caktuar të Zotit. Thënie të tilla ka me bollëk në Bibël. Perëndia ka folur përmes fjalës së Tij, prandaj mos beso siç besojnë liberalët, duke menduar se fjalët e Tij janë vetëm frymëzime të Palit, Pjetrit apo Gjonit. Apostujt nuk ishin autorët e këtyre premtimeve të çmueshme dhe shumë të mëdha, por këto janë fjalët e vetë Perëndisë. Vetëm në këtë mënyrë ne duhet të besojmë në Të.

Çfarë duhet të besojmë?
Duhet ta vëmë besimin tonë plotësisht tek ajo që na mëson Bibla rreth gjakut të Krishtit, sakrificës së Tij në Kalvar dhe rreth të gjitha vuajtjeve të Tij për shkakun tonë.
“Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit” (Zbulesa 7:14). Nëse është kështu, atëherë pse të mos jemi edhe ne midis këtyre besimtarëve? “… duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me Të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit” (Romakëve 6:6). Pse të mos e kryqëzojmë edhe ne trupin tonë me Krishtin? “Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat” (1 Pjetrit 2:24). Atëherë, ç’na pengon ne nga të pastrurit e zemrës?
Nuk mund të ketë shenjtërim pa patur besim në gjakun e Krishtit. Shpirti i Shenjtë nuk përdor asnjë metodë tjetër për të sjellë shenjtërinë në jetët tona, përveç gjakut të Krishtit, sepse ky gjak është çmimi, që është paguar për shpëtimin dhe shenjtërimin tonë. Pse nuk mundemi ta pranojmë këtë gjë me besim? Ata që guxojnë ta besojnë këtë, do të shërohen, pastrohen dhe shenjtërohen prej mëkatit.
Besimi duhet t’i vërë shpresat diku. Kur sulmet e djallit të na mbulojnë, atëherë ka vetëm një themel, që i qëndron stuhisë së mosbesimit: nuk majfton që të kemi një tru të mbushur me njohuri për fjalën e Perëndisë, përkundrazi, na duhet një besim i patundur në gjithçka që ka thënë Ai.
Nuk do të kemi një “strehim të papushtueshëm në kohë ngushtice”, po nuk e besuam Biblën (Psalmi 9:9).
Jemi të kryqëzuar me Krishtin, prandaj Ai jeton brenda nesh. Uniteti ynë me Krishtin e ka bazën tek vdekja e Tij sakrifikuese. Kjo sakrificë është gjithashtu edhe baza e besimit të fortë e të madh.

Përfundim
Kur do ta vështrojmë Perëndinë dhe t’i themi: “ Zot, une po vij tek Ti ashtu siç jam, me të gjitha disfatat e mia, të gjitha gabimet, dhe po, e pranoj, të gjithë mëkatin. Jam i mjeruar pa Ty. Zot, e vetmja kërkesë imja është gjaku Yt i çmuar”.
Ai mund të na lërë të presim një përgjigje për një kohë të shkurtër, por kur të përgjigjet, Ai do të vijë me fuqi pastruese. Zoti kurrë s’e ka mohuar apo kthyer mbrapsht kërkesën e një shpirti të përulur. Arsyeja pse Ai s’ka ardhur akoma mund të jetë: ose ne s’jemi përulur para dorës së Tij të fuqishme, ose ne nuk po besojmë.

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net