Koha e Shenjtërimit (Pjesa 5)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 15.07.2007

Pendesa
“Jepni pra fryte të denja të pendesës!”
(Mateu 3:8)

Parathënie
Disa njerëz nuk kanë për ta kuptuar kurrë të vërtetën lidhur me nevojën e shenjtërimit, sepse ata i kanë lejuar zemrat t’iu ngurtësohen prej mëkatit. Nga ana tjetër, ka nga ata njerëz, që thjesht nuk janë të përgatitur për të ecur në rrugën e shenjtërisë tani, në këtë moment.
Njeriu duhet të shfaqë një pendesë të vërtetë dhe praktike, para se Perëndia të punojë kundër së keqes në zemrën e tij, ose para se ai të besojë përmes besimit tek Perëndia për pastrimin e shpirtit nëpërmjet gjakut të Krishtit. Perëndia nuk do të fillojë asnjë punë kundër mëkatit të brendshëm, nëse ne nuk fillojmë punën e pendesës kundër mëkatit nga jashtë.

Mëkati për të cilin nuk jemi penduar
A nuk është e qartë për të gjithë ne se të kesh në zemër mëkat, për të cilin s’je penduar dhe, në të njëjtën kohë, të kërkosh pastrimin e brendshëm dhe plotësinë e Frymës së Shenjtë, është marrëzi e madhe dhe hipokrizi? Prandaj, pendesa praktike është një domosdoshmëri absolute, në mënyrë që Perëndia të bëjë punën e Tij në jetët tona.
Në fillim, duhet të punojmë me mëkatin për të cilin nuk jemi penduar. Duhet t’ia kthejmë tjetrit atë libër që ia kemi marrë hua, duhet ta falim personin që na ka ofenduar, dhe duhet të ndalojmë së bëri ato gjëra sekrete, të cilat i dimë mirë se ofendojnë Perëndinë.

Bëj së pari gjërat kryesore
Nuk ka dyshim që jemi tepër të interesuar në teorinë e shenjtërimit dhe në doktrinën e jetës shpirtërore, sepse Fryma e Shenjtë po na tërheq gjithnjë e më thellë drejt së vërtetës. Por në fillim Zoti dëshiron që ne të merremi me çështjet e përditshme të jetës fizike. Është e pamundur ta shohim realitetin e mëkatit origjinal (d.m.th. të mëkatit me të cilin jemi lindur) dhe shkatërrimin e tij nëpërmjet gjakut të Krishtit, n.q.s., me anë të hirit të Perëndisë, nuk i jemi bindur zërit të Tij dhe nuk e kemi larguar të keqen nga vetja. Nëse do të kërkojmë fytyrën e Tij, s’ka dyshim se shumë shpejt do të vihemi në dijeni të gjendjes së mjeruar të zemrave tona.

Bindja nuk është shenjtërim
Duhet të kemi kujdes kur mendojmë se e kemi marrë bekimin (e shenjtërimit), thjesht sepse i jemi bindur Perëndisë. Mund të ndihemi shpirtërisht tej mase të kënaqur pasi të kemi zbatuar urdhërimet e Perëndisë, por le të tregojmë kujdes që të mos i bëjmë qejfin vetes para kohe. Ndjejmë nganjëherë një ndjenjë paqeje dhe pushimi, që vjen pasi jemi penduar dhe jemi bindur, por kjo nuk mjafton si shenjtërim; Zoti nuk do që ne të marrim vetëm këtë ndjenjë.
Ashtu si të gjithë ata që duan të ecin në Rrugën kryesore të Shenjtërisë, edhe ne duhet të vazhdojmë drejt përsosmërisë, të cilën Perëndia na e ka premtuar se do kryejë tek ne, që ne të kënaqemi.

Përfundim
Majat më të larta të përvojës sonë të krishterë janë arritur atëherë kur jemi penduar dhe kemi gjetur paqe me Zotin, atëherë kur e kemi zgjidhur një herë e përgjithmonë problemin e atij mëkati që na qarkon vazhdimisht, ose atëherë kur kemi arritur fitore ndaj atij shpirti të ashpër e që nuk fal lehtë. Po, s’ka dyshim që mund të numërojmë edhe shumë bekime të tjera, por a nuk i kemi marrë këto bekime për shkak se e “sistemuam dhe e vumë në rregull zemrën” tonë nëpërmjet pendesës? Përmes hirit të Tij, Perëndia na korrigjon dhe na i pastron zemrat prej mëkatit të brendshëm. “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6).

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net