Kerkojeni Krishtin…
Mos e kërkoni Krishtin
ndërmjet njerëzve të dëshpëruar, të zhgënjyer nga një botë, që pretendojnë t’u shkojë për shtat, ta përdorin vetëm për kënaqësitë e tyre:
Kufoma të qelbura, farëhedhës të vdekjes.
Mos e kërkoni Krishtin
ndërmjet pushtetarëve, që kanë etje për toka, për para, për privilegje, për salltanete, për qejfe:
Xhelatë të pashpirt, që s’ngopen kurrë me gjakun e viktimave të pambrojtura.
Mos e kërkoni Krishtin,
ndërmjet dinakëve, që fytyrën prej derri të kënaqur, e fshehin pas maskës së Sokratit të vuajtur e interesin pas maskës së mëshirës; mënçuria e tyre është e kotë:
Gjarprinj të helmatisur që të kafshojnë për vdekje.
Mos e kërkoni Krishtin,
ndërmjet njerëzve pa ideale: s’u bëhet fare vonë në se ka a s’ka në botë drejtësi, liri e paqe:
Anarkistë të patëmth, që tjetër s’ kërkojnë, veç rehatinë.
Mos e kërkoni Krishtin,
ndërmjet të çkujdesurve, që s’janë të aftë as të mendojnë as ta kërkojnë shtegun e ngushtë e të vështirë të ndershmërisë, të bashkëjetesës, të respektit për të drejtat e të tjerëve.
Kokëgëdhenj e poterxhinj.
Mos e kërkoni Krishtin,
ndërmjet yjeve të kinemasë, të sportit, të eturve për sukses të rremë. Janë tregtarë ëndrrash për fitime të lehta, falsifikatorë të jetës, që bëhet thjeshtë një shfaqje, ku lëvizin fytyra të llangosura:
Idhuj kopukë e shkapërdarë.
Mos e kërkoni Krishtin,
ndërmjet atyre që tjetër s’njohin, veç dhunën, veç luftën kërkojnë, verbuar nga vRERI. Janë shkatrrimtarë të buzëqeshjes, mbjellës të gjembave.
Njerëz gatuar me helm, të padurueshëm
Mos e kërkoni Krishtin,
ndërmjet profetëve të ideologjive, që duan ta shlyejnë të Amshuemin e të vrasin dëshirën për të jetuar:
Mësues të gabuar të shkollave të përkohshme.
KRISHTIN E GJALLË KËRKOJENI,
ndërmjet atyre që ju paraprijnë në shpresën për të ndërtuar një botë, në të cilën gjithkush mund të ketë shtëpi, punë, kulturë, dinjitet, liri e paqe:
Njerëz të vërtetë, farëhedhës jete.
Krishtin e gjallë kërkojeni
ndërmjet atyre që ju paraprijnë për të shërbyer, për të ndihmuar, për të bashkëpunuar:
Mbarështues të jetës.
Krishtin e gjallë kërkojeni,
ndërmjet atyre që ju prijnë në sinqeritet, ngarkuar me dashuri për njeriun, me kujdes për kryerjen e detyrës, me mëshirë që pagesë nuk kërkon:
Miq të vërtetë me zemër prej ari.
Krishtin e gjallë kërkojeni,
ndërmjet atyre që ju udhëheqin në luftën për drejtësi, për liri, për paqe:
Roje vigjilente, armatosur me guxim për mbrojtje e të varfërve.
Krishtin e gjallë kërkojeni,
ndërmjet atyre që ecin para jush në mendimin e kthjelltë, energjik. Janë të aftë të provojnë rrugët më të drejta, ku ecin veç ata që mbrojnë ndershmërinë, bashkëjetesën e respektimin e të drejtave të veta e të tjetërkujt. Njerëz të aftë për t’i korrigjuar gabimet e vetjake e për t’i nxitur edhe të tjerët të braktisin rrugët e shtrembra, pa ia imponuar askujt mendimet e tyre:
Udhëheqës të sigurtë në shtegun e vështirë të së vërtetës
Krishtin e gjallë kërkojeni,
ndërmjet atyre që thurin me art poezinë e jetës, duke zbuluar mrekullinë, e cila të bën t’i shijosh që në tokë, Lumturitë Qiellore:
Sy që shkëlqejnë nga drita e së vërtetës.
Krishtin e gjallë kërkojeni,
ndërmjet atyre që ju prijnë atje ku shkëmbehen buzëqeshjet, rrafshohen kundërshtitë, rindërtohen rrënojat:
Engjëj të ëmbël paqeje.
Krishtin e gjallë kërkojeni,
ndërmjet atyre që ju udhëheqin drejt jetës së përtejme dhe ju mbushin me gëzimin e të jetuarit të një jete që s’ mbaron këtu: në dhimbjen tonë, e as në gëzimin tonë.
Mësues të vërtetë të një shkolle, themeluar mbi shkëmb, nga maja e të cilit syri rrok horizontin e pafund.



