Kënaqësia e Davidit



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 09.02.2008

“Më mbro, o Perëndi, sepse unë po kërkoj strehë te ti. I thashë Zotit: “Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje”. Gjithë dashuria ime është vendosur te njerëzit e shenjtë dhe të nderuar që janë mbi tokë. Dhembjet e atyre që turren pas perëndive të tjera do të shumëzohen; unë nuk do t’i derdh libacionet e tyre të gjakut dhe nuk do të shqiptoj me buzët e mia emrat e tyre. Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short. Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë. Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën. Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi. Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri, sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin. Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmi 16:1-11).

Parathënie
Ky është psalmi i kënaqësisë. Në të nuk gjejmë as vështirësi, as përndjekje. Davidi thjesht, gjen kënaqësi, mbi të gjitha, në Zotin: “I thashë Zotit: “Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje” (vargu 2). Davidi, pra, thotë: “Asgjë tjetër nuk është e mirë si Perëndia. Ai është gjithçka, që më nevojitet”. “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje” (Psalmi 73:25).

Njerëzit e Perëndisë
Më pas, Davidi gjen kënaqësi tek njerëzit e Zotit: “Gjithë dashuria ime është vendosur te njerëzit e shenjtë dhe të nderuar që janë mbi tokë” (vargu 3). Një dashuri e tillë mungon në shumicat e kishave dhe mungesa e saj është një nga arsyet e mërive dhe grindjeve të shumta. Një shprehje anonime thotë: “Të jetosh lart (në Qiell) me shenjtorët, që i do, pa dyshim, kjo është lavdia. Por, të jetosh këtu poshtë (në tokë) me shenjtorët, që i njeh, ah, atëherë ndryshon puna!” “Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im” (Psalmi 101:6)… “Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua” (Psalmi 119:63). Apostulli Gjon na e bën të qartë se nuk mund të themi se e duam dhe e adhurojmë me të vërtetë Perëndinë, nëse i urrejmë bashkë-besimtarët e tjerë: “Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur nga Perëndia; dhe kushdo që do atë që e ka ngjizur, do edhe atë që ka qenë ngjizur nga ai. Nga kjo ne dimë ti duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij” (1 Gjonit 5:1-2).
Kur gjejmë kënaqësi në Zotin, atëherë do të fillojmë të gjejmë kënaqësi edhe tek njerëzit e Tij. Xhon Uesli ka shkruar: “E pasurojmë Perëndinë, atëherë kur iu japim fëmijëve të Tij ato dhurata, që Ai na ka dhënë neve”. Por, nuk do të gjejmë kënaqësi tek njerëzit e Perëndisë, po qe se nuk shpenzojmë kohë me ta në takime: “Pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (Hebrenjve 10:25).

Furnizimet e Perëndisë
Davidi kënaqet gjithashtu edhe me furnizimet, që i ka siguruar Perëndia: “Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short. Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë” (vargu 5-6). Perëndia na ka dhënë edhe ne pjesën tonë, në momentin kur erdhëm tek Krishti për shpëtim: “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht” (Filipianëve 4:19)… “Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë. Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin. Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij. Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër. Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet” (Psalmi 23:1-5).
Perëndia, duke u bazuar në planin e Tij, e di mirë se ku ta caktojë kufirin e trashëgimisë sonë. Atë që do të thotë Davidi me këtë varg, e gjejmë të ilustruar tek Psalmi 78:55, ku lexojmë se si Zoti i dha secilit fis të Izraelit një vend (një copë toke) të caktuar në Tokën e Premtuar: “I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre”. Problemet lindin atëherë, kur njerëzit nuk e dinë se deri ku janë të caktuara kufijtë moralë e shoqërorë. Duan t’i lëvizin vazhdimisht caqet e asaj që është e pranueshme në jetën e krishterë. E si kujtojmë se do të bekohemi prej Perëndisë, n.q.s. nuk pranojmë të ndjekim rregullat e Tij?

Kënaqësitë e Perëndisë
Davidi gjen gjithashtu kënaqësi në vetë kënaqësitë e Perëndisë: “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (vargu 11). Nëse duam jetë dhe gëzim, atëherë duhet të ndjekim sekretin e Davidit, d.m.th. të ecim çdo ditë në rrugën e Perëndisë, të jetojmë në praninë e Tij dhe të jetojmë për kënaqësitë e Tij. “O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu; ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua” (Psalmi 36:7-8)… “Në rast se ata e dëgjojnë dhe nënshtrohen, do t’i mbarojnë ditët e tyre në mirëqënie dhe vitet e tyre në gëzime” (Jobit 36:11). Kënaqësitë tona këtu në tokë janë të përkohshme dhe kalimtare. Por kënaqësitë në të djathtën e Perëndisë janë kënaqësi në përjetësi, sepse ato janë kënaqësitë e shpirtrave të pavdekshëm, të cilët kënaqen me një Perëndi të përjetshëm” (Xhon Uesli). “Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata” (Psalmi 23:6).

Përfundim
Kemi se ku të gjejmë kënaqësi. Mund të gjejmë kënaqësi tek njerëzit e Perëndisë, mund të kënaqemi me furnizimet, që na siguron Perëndia, si edhe me vetë kënaqësitë e Tij. Nëse gjejmë kënaqësi në gjërat e Perëndisë, atëherë do të gjejmë kënaqësi në vetë Perëndinë: “Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi” (Psalmi 73:26).
 

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net