Jezusin e kanë nxjerrë jashtë
“Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta” (Luka 2:7).
Parathënie
Që prej ditës kur lindi Zoti Jezus Krisht, bota as nuk ka patur, as nuk ka vend për Të. Festa e Krishtlindjeve është një periudhë, kur shumica e njerëzve argëtohen e bëjnë qejf, por nuk duan t’ia dinë fare për arsyen e vërtetë të festës. Në shumicën e mbrëmjeve argëtuese të kësaj nate, do dukej sikur ka rënë bomba, po të përmendej arsyeja e ardhjes së Jezusit! Zoti nuk e ka vendin mes stolive, dritave, pemës dhe vezullimit. Kjo botë ia mbylli Atij si derën, ashtu edhe zemrën, madje edhe më përpara se Ai të lindte në Bethlehem. Bota e pranon kukullën prej allçie në skenën e Krishtlindjeve, por e mohon Jezusin e vërtetë të Biblës. Duan ta mbajnë të mbyllur në grazhd dhe nuk pranojnë që Ai të mbretërojë në fronin e zemrave të tyre.
Sot bota nuk e nderon atë Jezus, të cilit i thurën këngë ëngjëjt dhe e adhuruan barinjtë. Për botën, gjëra të tjera duken më të rëndësishme sesa Ai. Jezusin e kanë nxjerrë jashtë. Ata që e mohojnë, i bëjnë dëm vetes së tyre, sepse po lënë pa marrë dhuratat më të mëdha të Krishtlindjeve.
Shpëtimi
“Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti” (Luka 2:11).
Shprehja “për ju” bën fjalë për faktin se shpëtimi është një dhuratë personale për njeriun prej Perëndisë. “Për ju” dhe jo për një zëvendësues, apo për nunin dhe ndrikullën, por çdo individ duhet ta pranojë këtë dhuratë drejtpërsëdrejti nga duart e Perëndisë. Barinjtë nuk do ta kishin takuar personalisht Shpëtimtarin, po qe se nuk do t’i kishin zbatuar udhëzimet, që iu dha ëngjëlli. Shumica e njerëzve e dinë se Mesia lindi para 2000 vjetësh dhe për ta kaq mjafton. Ata kurrë nuk arrijnë ta njohin Atë personalisht. Shpëtimi merret vetëm nga ata, që besojnë dhe e pranojnë Atë si Zot: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).
Paqja
“Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”.
Nuk ka paqe për ata, që e mohojnë “Princin e Paqes” (Isaia 9:6). Ata që janë të shpëtuar, kanë “paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1). Edhe pse në momentin e lindjes, Ai ishte Princi i Paqes, nuk ishte grazhdi, por kryqi ai, që na dha paqe të përjetshme: “Dhe, duke bërë paqen me anë të gjakut të kryqit të tij, duke fituar pas, me anë të tij, të gjitha gjërat” (Kolosianëve 1:20). Është e pamundur që të kenë paqe në shpirt ata, që e mohojnë Krishtin: “Nuk ka paqe për të pabesët”, thotë Zoti” (Isaia 48:22). Vetëm ata, që e pranojnë dhuratën e shpëtimit, mund të kenë “paqen e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie” (Filipianëve 4:7).
Gëzim i madh
“Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin” (Luka 2:10).
Krishtlindjet mund të ofrojnë lumturi e hare festive, por është vetëm Jezusi Ai, që mund t’i japë besimtarit “gëzim të madh”. “Fryma e Krishtlindjeve” nuk e ka jetën e gjatë, por gëzimi që na jep Fryma e Perëndisë, është i përjetshëm: “Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë” (Romakëve 14:17). Ky gëzim është “një hare e patregueshme dhe e lavdishme” (1 Pjetrit 1:8). Kemi gëzim të madh, ngaqë Shpëtimtari na dha “një shpëtim kaq të madh” (Hebrenjve 2:3). Këtë gëzim nuk e gjejmë tek shishja e rakisë. Ky gëzim nuk zhduket, sapo mbarojnë Krishtlindjet. Përkundrazi, ai vjen nga të qëndruarit në Krishtin: “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjoni 15:11).
Lavdërimi
“Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!” (Luka 2:13-14).
Sa herë do të përmendet fjala “falemnderit” gjatë këtyre Krishtlindjeve, kur të shkëmbehen dhuratat? Ata që e kanë nxjerrë jashtë Jezusin, nuk do të pushojnë as edhe për një moment për t’i ofruar Atij lavde. Ne, si besimtarë, kemi për çfarë ta lavdërojmë Perëndinë. Ajo dhuratë e bukur, që na jep dikush për Krishtlindje, mund të thyhet apo të harrohet, sapo të hyjë Viti i Ri. Por dhurata që na jep Perëndia, do të vazhdojë të jetë e çmuar gjatë gjithë përjetësisë: “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë” (Psalmi 103:1-2).
Përfundim
Po ta vëmë re mirë, do të shohim sesa interesant është fakti se Jezusin e lanë përjashta, kur erdhi në tokë: “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën” (Mateu 8:20). Ai do të vazhdojë të mbetet përjashta edhe kur të kthehet përsëri: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua” (Zbulesa 3:20). A do ta lëmë ne Atë përjashta gjatë këtyre Krishtlindjeve? Po qe se Ai është përjashta, atëherë arsyeja qëndron këtu: e kemi lënë Atë përjashta edhe gjatë 364 ditëve të tjera të vitit.
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



