Jezusi, Kryeprifti Ynë
“Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit, sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen. Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin” (Hebrenjve 2:17-3:1).
Parathënie
Libri i Hebrenjve e përshkruan Zotin Jezus Krisht si Kryepriftin tonë. Ç’kuptim ka kjo shprehje? Fatkeqësisht, sa herë që përmendet fjala ‘prift’, neve na vjen ndërmend kleriku kishtar, i veshur me rroba të zeza. Por, në fakt, apostulli Pal na kërkon që ta përqëndrojmë vëmendjen tek priftërimi levitik i Dhiatës së Vjetër e jo tek përkufizimi modern i kësaj shprehjeje. Libri i Hebrenjve na paraqet shërbesën priftërore të Krishtit.
Ç’është Kryeprifti për ne?
Së pari, Ai është i mëshirshëm, i pasur në dhembshuri, dashuri e mëshirë. Perëndia ynë është i mbushur plot e përplot me mëshirë. “Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri” (Jakobit 5:11). Mëshira e Tij është me bollëk. “Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish” (1 Pjetrit 1:3). Mëshira e Tij është e madhe. “Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi” (Psalmi 145:8). Kryeprifti ynë i di me saktësi vuajtjet që kalojmë. Ai na siguron gjithçka për të cilën kemi nevojë, duke na ngushëlluar e duke na forcuar. “Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:16).
Së dyti, Ai është besnik dhe i mban të gjitha premtimet. “Nuk ra për tokë asnjë nga fjalët që Zoti i pati thënë shtëpisë së Izraelit; të tëra u vërtetuan” (Jozueut 4:16), sepse “të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe në atë “amen,” për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh” (2 Korintasve 1:20). Një nga premtimet e Tij më të rëndësishme është ky: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Mund t’i varim gjithmonë shpresat tek Ai, “sepse besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:23). Madje, edhe kur ne ia kthejmë kurrizin Perëndisë, Ai është gjithmonë gati për të na pranuar përsëri në gjirin e Tij. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9).
Ç’ka bërë Kryeprifti ynë për ne?
Së pari, Ai na ka shlyer mëkatet. Shlyerja e mëkatit është një sakrificë, me anë të së cilës Perëndia na ka falur dhe zemërimi i Tij nuk është më mbi kokat tona. Ka vetëm një mënyrë, me anë të së cilës ky zemërim largohet prej nesh dhe kjo mënyrë, kjo rrugë është nëpërmjet gjakut të Jezus Krishtit. “Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit” (Romakëve 3:25-26)… “Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës” (1 Gjonit 2:2)… “Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona” (1 Gjonit 4:10).
Së dyti, Ai na ndihmon, kur tundohemi. Ai na ndodhet pranë në vështirësi, në sprova e në momente tundimi. Ai është Miku ynë. “Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj. Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im” (Gjoni 15:14-15). Ai është Bariu ynë. “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet” (Gjoni 10:11). Ai është Shpëtimtari ynë. “Sepse kështu begatisht do t’ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (2 Pjetrit 1:11). Ai na kupton mirë, ngaqë është Kryeprifti ynë dhe ngaqë i ka përjetuar Vetë vuajtjet dhe vështirësitë tona. “Ai i di vështirësitë që kalojmë, jo vetëm ngaqë është Perëndi, por ngaqë është gjithashtu Njeri, që i ka përjetuar vetë ato vështirësi” (thënie anonime).
Përfundim
Zoti Jezus Krisht është i mëshirshëm dhe besnik. Ai është Prifti ynë dhe Shlyerja (Sakrifica) për mëkatet tona. Ai jo vetëm që na i shleu mëkatet, por edhe na gjendet pranë në momente të vështira. Duhet t’i jemi gjithmonë mirënjohës Atij, për faktin se Ai është “Kryeprifti ynë i madh” (Hebrenjve 4:14), gjë që tregon se Ai është mbi të gjithë kryepriftërinjtë e tjerë të Dhiatës së Vjetër, apo mbi çdo kryeprift, që shugurohet prej njerëzve. Prandaj, pra, duhet t’i besojmë vetëm Atij e askujt tjetri.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



