Jezusi dhe Juda



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 27.10.2007

Parathënie
Zotin Jezus Krisht e tradhtoi njëri prej vetë dishepujve të Tij. Ishte pikërisht Juda Iskarioti ai, që e dorëzoi Zotin në duart e armiqve, duke e shitur Atë për 30 monedha argjendi. Ndaj edhe ajo, që thotë Jeremia 17:9, është absolutisht e vërtetë: “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?”

Përfituesi
“Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t’ua dorëzonte Jezusin. Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar” (Marku 14:10-11).
A ka prindër, që t’ia vënë emrin fëmijës së tyre Juda? Ky emër është bërë sinonim me tradhtinë. Ja pra, ku kemi një njeri, që nga ana e jashtme, dukej dhe sillej si një dishepull i vërtetë i Krishtit. Juda kishte një privilegj të mrekullueshëm, ngaqë ishte zgjedhur prej Jezusit për ta ndjekur Atë. Ai kishte qenë vetë dëshmitar i të gjitha mrekullive që kishte kryer Jezusi. Ishte dërguar për të predikuar rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe për të bërë mrekulli në emër të Krishtit: “Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte pjesë në këtë shërbesë” (Veprat e Apostujve 1:17). Asnjëri prej dishepujve nuk dyshonte se Juda ishte hajdut dhe tradhtar. Ja pra, ku kemi një njeri, që ka reputacionin më të keq nga të gjithë në historinë e njerëzimit. Zoti madje tha se Juda ishte një djall: “A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall. Por ai fliste për Judë Iskariotin, birin e Simonit, sepse ky kishte për ta tradhtuar, ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët” (Gjoni 6:70-71). Juda, pra, nuk kishte asnjë të mirë. Ai ishte mik i Satanait, jo mik i Perëndisë.
Perëndia i jetës së Judas nuk ishte Perëndia i vërtetë, por përkundrazi, atij i pëlqente paraja. Gjithmonë, “lakmia për para” ka qenë “rrënja e gjithë të këqijave” (1 Timoteut 6:10). Kjo lakmi iu ka shkatërruar jetën miliona njerëzve. Një lakmi e tillë ia skllavëroi zemrën Baalamit dhe solli gjykimin e Perëndisë mbi Gehazin (shiko Numrave 22 dhe 2 Mbretërve 5). Zemra e Judës ishte nën sundimin e parasë, ndaj edhe atij nuk i bënte aspak përshtypje të vidhte prej Zotit: “Ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç’shtinin atje brenda” (Gjoni 12:6). Ungjilli sipas Mateut na tregon se Juda e shiti Jezusin për 30 monedha argjendi dhe ishte gati ta tradhtonte, sa më shpejt që të ishte e mundur: “Dhe u tha atyre: “Sa do të më jepni që unë t’jua dorëzoj?”. Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi. Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar” (Mateu 26:15-16). Tek Luka 22:3, na thuhet se Satanai hyri në Judën, që do të thotë se, që prej atij momenti, ai kishte një mendje të çoroditur (shiko Romakëve 1:28).

Pashka
“Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: “Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?”. Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: “Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë. Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”. Atëherë ai do t’ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne”. Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën” (Marku 14:12-16).
Vdekja e Zotit mbi kryq në kohën e Pashkëve nuk ishte një koinçidencë, apo një ngjarje e paraplanifikuar prej mendjes njerëzore. Vdekja e Tij ishte pjesë e qëllimit të përjetshëm të Perëndisë. Krishti u kryqëzua pikërisht në ditën, kur u ther qengji i Pashkëve. Festa e Pashkëve kishte si qëllim që t’i afronte Judenjtë tek Ai, sakrifica supreme e të cilit pagoi çmimin për mëkatin e njeriut.
A nuk iu sillte ndër mend Pashka Judenjve çlirimin e mrekullueshëm të paraardhësve të tyre prej skllavërisë në Egjipt, kur Perëndia vrau të parëlindurin? Po, por ata nuk arrinin ta kuptonin dot se një çlirim dhe shpengim akoma më i madh, një çlirim prej robërisë ndaj mëkatit, do t’iu jepej atyre nëpërmjet Mesias.
A iu sillte ndër mend Pashka Judenjve faktin se, nëpërmjet vdekjes së një qengji të pafajshëm, paraardhësit e tyre ishin të përjashtuar prej vdekjes së të parëlindurit? Po, por ata nuk arritën dot ta kuptonin se Mesia i tyre, si “Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës” (Gjoni 1:29), është një e vërtetë më madhështore.
A nuk iu sillte ndër mend Pashka Judenjve faktin se, me anë të spërkatjes së gjakut mbi derë, paraardhësit e tyre u mbrojtën prej shpatës së shkatërruesit? Po, por ata nuk pranuan ta deklaronin se gjaku i Krishtit e pastron çdo besimtar prej mëkatit, dënimit dhe frikës së zemërimit: “Aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë! Për këtë arsye ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së amshuar” (Hebrenjve 9:14-15).
A nuk iu sillte ndër mend Pashka Judenjve faktin se paraardhësit e tyre e hëngrën qengjin e therur, si shenjë bindjeje ndaj urdhërimit të Perëndisë? Po, por ata nuk donin që të ushqeheshin me Krishtin, nëpërmjet besimit dhe të merrnin, në këtë mënyrë, shlyerjen për mëkatin: “Sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne” (1 Korintasve 5:7).   

Përfundim
Në studimin tonë të ardhshëm, do t’i hedhim një sy Darkës së Zotit.


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net