Jezusi, Bariu Ynë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 27.07.2008

Teksti i Studimit: Psalmi 23
 
Parathënie
Psalmet 22, 23 dhe 24 na shfaqin aspekte të ndryshme të shërbesës së Zotit Jezus Krisht. Tek Psalmi 22, Ai na paraqitet si Shpëtimtari që vuan: “Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën, duke thënë: “Ai i ka besuar Zotiit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do…Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time” (7-8, 18). Tek Psalmi 23, Ai është Bariu i deleve të Tij. Tek Psalmi 24, Ai është Mbreti i Lavdishëm: “O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë” (vargu 7). Në këto psalme shohim kryqin, shkopin (e bariut) dhe kurorën.
Bibla na e shfaq Zotin Jezus si Bariun e Mirë, Bariun e Madh dhe Kryebariun.

Bariu i Mirë
“Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet” (Gjoni 10:11).
Ai vdiq në kryq për mëkatet tona. Ky aspekt i punës së Tij i përket së kaluarës dhe nuk mund të përsëritet më. Pikërisht, nëpërmjet punës së përfunduar në Kalvar, ne kemi privilegjin për të marrë shpëtimin dhe faljen: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri, i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar” (1 Timoteut 2:5-6)… “Edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus, për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus. Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianëve 2:5-9)… “Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë” (Hebrenjve 10:10).
Duke qenë se është Bariu i Mirë, Jezusi është i veçantë, ngaqë Ai, me vullnetin e Tij, e dha jetën e Vet për ne: “Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve… e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve” (Isaia 53:6, 12)… “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve” (Mateu 20:28). Ashtu siç Davidi luftoi me luanin e me ariun, për t’i shpëtuar delet e tij, ashtu edhe Krishti na çliroi, duke na rrëmbyer nga goja e “luanit vrumbullues” (shiko 1 Samuelit 17:34 dhe 1 Pjetrit 5:8).

Bariu i Madh
“Dhe Perëndia e paqes, që e ngriti nga të vdekurit, me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar, Bariun e madh të dhënve, Perëndinë tonë Jezu Krisht” (Hebrenjve 13:20).
Në këtë varg, Bariun tonë e shohim të ngjallur prej së vdekuri, duke mbrojtur ata që besojnë tek Ai. Ky aspekt i punës së Tij i përket së tashmes. Ringjallja e Krishtit na tregon se vepra e Tij mbi kryq e zgjidhi një herë e përgjithmonë problemin e mëkatit.
Pikërisht, nëpërmjet Tij, ne mund ta mundim mëkatin, duke korrur kështu vazhdimisht fitore: “Sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes” (Romakëve 8:2)… “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20). Një fitore e tillë ndaj mëkatit është në qendër të shenjtërisë në jetën e besimtarit. Gjon Uesli ka thënë: “Besëlidhja e përjetshme - besëlidhja e krishterë, nuk është e përkohëshme, si ajo e judenjve, por është e planifikuar për të rrojtur përgjithmonë. Zoti ju shenjtëroftë nga çdo aspekt, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë, nëpërmjet aplikimit të atij gjaku, përmes së cilit u themelua edhe kjo besëlidhje!”

Kryebariu
“Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket” (1 Pjetrit 5:4).
Bariu ynë do të kthehet një ditë për të na marrë me Vete. Në këtë varg, shohim aspektin e ardhshëm të punës së Tij për hirin tonë. Ai do të vijë për të na çliruar e për të na çuar në lavdi: “Që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit” (1 Pjetrit 1:5)… “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjonit 3:2)… “Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij” (2 Timoteut 4:8). Kryebariu ynë do ta mbajë premtimin, që iua ka dhënë deleve të tij: “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3).
       
Përfundim 
Këto aspekte të rolit të Krishtit si Bari bëhen realitet vetëm për ata, që e kanë pranuar Atë si Shpëtimtar. Një marrëdhënie e tillë personale me Të iu jepet vetëm atyre, që janë penduar për mëkatet dhe ia kanë përkushtuar jetën Krishtit, për ta ndjekur Atë kudo që t’i udhëheqë: “Sepse ju ishit si dele endacake por tani ju u kthyet te bariu dhe ruajtësi i shpirtrave tuaj” (1 Pjetrit 2:25).
 

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net