Jezus Krishti - Zot



nga: udhetimi.com, botuar me: 28.06.2007

Në historinë njerëzore kaluan njerëz të mëdhenj të cilët lanë gjurmë të thella mbi të. Sokrati, Platoni, Aristoteli, Aleksandri i madh, Muhameti, Napoleoni i madh, Marksi, Lenini e shumë e shumë të tjerë. Nga këta, disa ndikuan në botë me idetë dhe filozofinë, të tjerë e lyen njerëzimin me gjak në kalimin e tyre. Të gjithë veçse erdhën në jetë dhe ikën. Jetuan pak vjet dhe humbën në rrjedhën e vazhdueshme të kohës. Tek ne ngeli kujtimi i tyre i largët. Por përveç gjithë të mëdhenjve që jetuan në tokë, egziston i madhi, personaliteti i
pakrahasueshëm, që jetoi vetëm tre vjet jetë publike, nga 30 deri afërsisht 33 vjeç, dhe më pas iku papritur nga mesi ynë. Tre vjetët e Tij veçse ishin të mjaftueshme për ti ndryshuar rrjedhën njerëzimit, ta ndajnë në epokën para Tij dhe pas Tij dhe fjalët e Tij të kenë të njëjtin ndriçim dhe të njëjtën forcë në çdo kohë që të prekin zemrat e njerëzve. Ky është JEZUS KRISHTI.
Personaliteti i Jezus Krishtit u bë shkak të shkruhen me qindra libra. Disa shkruan me urrejtje dhe kundërshtim për Të, për të vërtetuar mos egzistencën e Tij, për të mohuar natyrën e Tij hyjnore, apo përjetësinë e Tij. Mbështetësit e Tij u përpoqën dhe ata ta paraqesin Perëndi dhe të shkruajnë për dashurinë e Tij etj. Me pak fjalë u vërtetua se Ai u bë
“Gur pengese dhe shkëmb skandali” që të dërmohen gjithë ata që do të bien mbi të.
(Rom 9/33).
Në studimin tonë të shkurtër nuk do të shohim anën historike të Jezusit, megjithëse do të mundnim të përmendnim historianë, si hebreu fanatik Josip (70 pas K.), Talo (52 pas K.), Kornilio Takito (54 pas K.), Gaio Suetonio etj, që përmendin Krishtin si një person egzistues. Do të flasim për personalitetin e Jezus Krishtit ashtu siç e studiojmë brënda Shkrimit të Shenjtë.
Do të studiojmë natyrën hyjnore, ardhjen në mish dhe veprën e tij.

HYJNIA E TIJ

Kur flasim për hyjninë e Jezus Krishtit duam të themi se Ai është Perëndi. Jo një perëndi, siç thonë disa, por Perëndia i Dhjatës së Vjetër, “Jehova”.
Fjala e Perëndisë na thërret të besojmë se Zoti Jezus Krisht nuk është vetëm krijuesi i botës që nuk ka fillim (Gjon 1/3) por se ka të njëjtat veçori me Atin Perëndi dhe të njëjtin emër, Jehova. Ky është emri i Perëndisë me të cilin iu shfaq Moisiut dhe popullit të Tij. Është emri i shenjtë “Jehova” i cili përmbledh gjithë veçoritë hyjnore. Në tekstin e Dhjatës së Vjetër të përkthyer në greqisht nga shtatëdhjetë njerëz të ditur hebrenj me kryesues Ptolemeun, emrin e Perëndisë JEHOVA e përkthyen KYRIOS, ZOTI. Këtë e bënë sepse hebrenjte e diasporës filluan të harrojnë gjuhën mëmë dhe kështu vështirsoheshin të lexonin shkrimet në hebraisht.
Kështu profeti Isaia (6/5) thotë se “pa Mbretin, Zotin e ushtrive”. Kush është Zoti (Jehova) që pa Isaia? Përgjigjen na e jep Gjoni në ungjillin e tij (kap 12/36) dhe sqaron se ai Zot është Jezus Krishti. (Krahaso Isa 6/1-10 dhe Gjon 12/36-42).
Psalmisti i lutet Zotit (Psalmi 102/25-27) dhe ndërmjet të tjerash thotë: “së lashti ti ke vendosur tokën… Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund”. Kush vallë është Zoti tek i cili lutet psalmisti? Përgjigja është e shkruar tek Hebrenjtë (1/5-12). Këto fjalë shkrimtari i letrës ia përshtat Jezus Krishtit.
Tek Psalmi (68/18) lexojmë: “Ti je ngjitur lart, ke burgosur robërinë, ke marrë dhurata për njerëzit… Zot Perëndi”.(nga greqishtja). Duke u referuar tek ky varg i psalmit, apostulli Pal thotë se ky Zot është Jezus Krishti. (Efes 4/8-10).
Apostulli Pal përsëri kur u shkruan të krishterëve në Korint u kujton sjelljen e keqe të popullit Izrael në shkretëtirë dhe ndërmjet të tjerash thotë (1 Korint 10/9):”Dhe të mos e tundojmë Krishtin, ashtu si e tunduan disa nga ata…”. Nëse lexojmë këtë referim në Dhjatën e Vjetër (Eks 17/2,7) shohim se populli tundoi Perëndinë Jehova në shkretëtirë dhe u dënua rëndë me vdekje nga kafshimi i gjarpërinjve helmues. Dhe Moisiu u thotë :”Pse tundoni Zotin?”
Profeti Isaia (kap. 40/3) thotë : ”Zëri i dikujt bërtet në shkretëtirë : « Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë».” dhe profeti Malakia (3/1) shton : “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje”. Zoti, para të cilit duhet të vinte lajmëtari na zbulohet në katër ungjijtë se është Jezus Krishti përpara të cilit Gjon Pagëzori ishte “zëri që thërret në shkretëtirë” dhe “lajmëtari i Zotit” (Mat 3/1-3, Mar 1/1-3, Luk 1/16, 17, Gjon 1/23 3/1-3).
Profeti Isaia (40/10-11) thotë gjithashtu: ”Ja Perëndia, Zoti, vjen fuqishëm…Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari”. Profeti Ezekiel (34/15-16) shton: ” «Unë vetë do t’i kullot delet e mia dhe do t’i bëj të pushojnë » thotë Zoti Perëndi. «Unë do të kërkoj të humburën…»”. Davidi (Psal 23) thotë: “Zoti është bariu im”.
Ky Zot Perëndi për të cilin të gjithë këta thanë se është bariu, është Jezus Krishti i cili tha (Gjon 10/11, Luk 19/10): “Unë jam bariu i mirë”. Tek letra drejtuar Hebrenjve (13/20) thuhet: “…Bariun e madh të dhënve, Perëndinë tonë Jezu Krisht”. Ndërsa apostulli Pjetër e quan “Kryebari” (1 Pjet 5/4).
Gjoni në ungjillin e tij (1/1-2) duke e quajtur Jezusin Fjala, shkruan “dhe Perëndi ishte Fjala”.
Tek ungjilli sipas Mateut (1/23) lexojmë se emri i Tij ishte “Emanuel” që do të thotë: ”Perëndia në mes nesh”.
Jezus Krishti vendosi për veten e tij një vend nderi dhe adhurimi që të tillë vetëm Perëndia mund të ketë: “…të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin”. (Gjon 5/23).
Kërkoi nga nxënësit besim të njëjtë me besimin kundrejt Atit Perëndi: “…besoni në Perëndinë dhe besoni edhe në mua”. (Gjon 14/1).
Shpalli se është Perëndi në unitet me Atin: “Unë dhe Ati jemi një”. (Gjon 10/30).
Si përfundim të gjithë këtyre vlersimeve që Krishti bëri për veten e tij, Judenjtë morën gurë për ta qëlluar (Gjon 10/33) “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi” dhe Jezusi e pranoi këtë dëshmi të tyre pa e kundërshtuar.
Thomai e quan: “Zoti im dhe Perëndia im” (Gjon 20/28) dhe Zoti e pranoi edhe këtë dëshmi si të vërtetë dhe të drejtë.
Ati Perëndi e quan Birin e tij Perëndi. (Heb 1/8).

ARDHJA NË MISH

Kur themi se Krishti erdhi në mish duam të themi se erdhi në tokë.
Ardhja e Krishtit u profetizua në Dhjatën e Vjetër. (Isaia 7/14).
Lindja e tij ishte e veçantë nga ç’do lindje tjetër sepse u ngjiz nga Fryma e Shenjtë (Luk 1/35) dhe lindi nga virgjëresha Mari (Mat 1/23). Megjithë këtë ishte njeri i vërtetë me trup (Heb 10/5), shpirt (Mat 26/38) dhe frymë (Luk 23/46).
Gjoni na thotë se Perëndia Fjalë “u bë mish” (Gjon 1/1-2, 14). Apostulli Pal tek letra drejtuar Filipianëve (2/6-7) shkruan: “…e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori”.
Jezusi erdhi në tokë që të na zbulojë Atin (Gjon 14/9).
Ti heqë mëkatin njeriut me flijimin e tij në kryq (Heb 9/26).
Të shkatërrojë veprat e djallit (1 Gjon 3/8).

VEPRA E TIJ

Vepra e Jezus Krishtit mund të ndahet në katër pjesë.
1) Jeta e tij. Historinë e afërsisht tre vjetëve të jetës së tij publike e lexojmë në katër ungjijtë ashtu si e paraqesin Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Jezusi kalonte qytetet dhe fshatrat e Galilesë duke mësuar popullin, duke predikuar ungjillin e Mbretërisë dhe duke shëruar ç’do të sëmurë (Mat 4/23). U shfaqi njerëzve Perëndinë si Atë (Mat 6/9, 23/9). U foli për qiellin, Përjetësinë e lavdishme (Gjon 14/1-4).

2) Vdekja e Jezusit ishte e nevojshme (Gjon 3/16). Ishte pjesë e planit të përjetshëm të Perëndisë (Heb 10/7). Ishte e nevojshme të plotësoheshin profecitë e Dhjatës së Vjetër (1 Pjet 2/24). U nevojit për tu realizuar shpëtimi i njeriut (Efes 1/7). Krishti vdiq për të tjerë. Vdiq si zëvendësuesi ynë (1 Kor 15/3). Vdekja e tij ishte e mjaftueshme. Përmbushi plotësisht kërkesën e Perëndisë, sepse vdekja e tij ishte vdekja e një të shenjti dhe të drejti dhe kishte kështu vlerë të pa masë për drejtësinë hyjnore. Plotësoi nevojën e njeriut sepse si bir njeriu e zëvendësoi atë plotësisht në gjykimin që mori.

3) Ringjallja Tij ishte e nevojshme për të plotësuar profecinë, për të përfunduar veprën e tij në kryq (Rom 4/25) dhe të denjësonte Krishtin që të merrte përsipër veprën e sotshme në qiell (1 Tim 2/5, Heb 9/15,1 Gjon 2/2 ). Trupi i ringjallur i Krishtit ishte i vërtetë. Nuk ishte frymë. Ishte i njëjti trup që u kryqëzua, sepse kishte shenjat që kishin lënë gozhdët dhe heshta (Gjon 20/19-29). Pas ringjalljes së Tij, Krishti iu shfaq nxënësve të Tij të paktën dhjetë herë. Më shumë se pesëqind dëshmimtarë e panë pas ringjalljes së Tij (1 Kor 15/4-8). Ringjallja e Krishtit përbën themelin e besimit të krishterë. (Vep 1/22, 1 Kor 15/17).

4) Ngritja në qiell. Në fund të veprës së Tij toksore, Jezusi u rrëmbye në qiell (Mark 16/19, Vep 1/9) për tu ngritur në lavdi “në të djathtë të Atit” (Gjon 17/5).


per autorin: