Jeta - më shumë se një egzistencë
Shumica e njerëzve jetojnë vetëm për ditën e sotme. Ata duan pasuri, shëndet dhe kënaqësi të menjëhershme, por, edhe kur i kanë këto gjëra, prapëseprapë ndihen të pakënaqur. Ata që janë të varfër, dhe sidomos ata njerëz që vrasin veten, mendojnë se jeta s’ka se çfarë t’u ofrojë më atyre. Ata që arrijnë majat më të larta në fushën e biznesit apo të argëtimit, e shohin se ajo që iu mbetet për të provuar tani në jetë është droga, alkoli dhe marrja me punë të këqija. Por, edhe kur i plotësojnë qejfet e tyre, ata ndjejnë një boshllëk të madh nga brenda. Po qe se jeta përbëhet vetëm nga këto gjëra, atëherë “le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim” (1 Korintasve 15:32).]
Egzistenca e thjeshtë – Gjë e kotë
Në kulmin e suksesit të tij, mbreti Salomon kishte çfarë t’i donte zemra. Por, pikërisht në atë moment, ai e harroi Perëndinë dhe nisi të merrej me aktivitete jo fort të ndershme, me qëllim që ta shihte se ç’kuptim kishte jeta. Për të jeta u bë si gjë e kotë dhe pa vlerë: “Kotësi e kotësive,” thotë Predikuesi; “Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi” (Predikuesit 1:2-3). Salomoni kishte verë për të pirë, gra, pasuri dhe argëtimin e kësaj bote; në fakt ai kishte gjithçka që të dëshironte: “Unë thashë në zemrën time: “Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin, dhe ti do të gëzosh ëndjen”. Por ja, edhe kjo është kotësi…Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë” (Predikuesit 2:1, 10). Në fund të librit të Predikuesit, Salomoni thotë se egzistenca e thjeshtë është e pavlerë; ajo vetëm të bën të dëshpëruar. Egzistencialistët duhet t’i dëgjonin këto fjalë! (Egzistencializmi ishte një lëvizje filozofike e shek.20, e cila presupozon se njerëzit janë plotësisht të lirë të bëjnë ç’të duan me veten e tyre. Ata janë përgjegjës për gjithçka). Salomoni e kuptoi se brenda për brenda shpirtit të tij egzistonte një boshllëk, të cilin as jeta vetë me përvojën e saj nuk mund ta mbushte dot.]
Fillimi i jetës
Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij dhe në ngjasim me Të (Zanafilla 1:26). Ai e bëri njeriun qënie të gjallë (Zanafilla 2:7), prandaj edhe njeriu ka shpirt (kafshët s’kanë shpirt). Teoria e evolucionit nuk i jep dot përgjigje pyetjes se si filloi të mendoi njeriu për fenë. Kur e zëvendësojmë teorinë e Krijimit me atë të Darvinit, atëherë e shohim se njeriu është thjesht kafsha, që ka arritur shkallën më të lartë në luftën për egzistencën e më të fortit. Por është shpirti i njeriut ai, që kërkon diçka më shumë nga jeta sesa thjesht një egzistencë të kotë.
Perëndia e formoi njeriun që, jo vetëm thjesht të egzistonte, por edhe të kishte një qëllim në jetë. Po qe se teoria e egzistencializmit është e vërtetë, atëherë njeriu nuk ka nevojë fare për shoqëri. Por Adami e kuptoi se kishte nevojë për shoqëri në jetë, prandaj edhe Perëndia krijoi Evën, në mënyrë që ata të jetonin dhe të punonin së bashku (Zanafilla 2:18-25). Perëndia ia mbushi Adamit boshllëkun në zemër. Çifti kishte punë për të bërë dhe atyre iu dha si detyrë që ta sundonin tokën (Zanafilla 2:15, 1:26). Perëndia ishte epiqendra e aktiviteteve të tyre të përditshme. Ata kishin gjithçka që iu nevojitej për të patur një jetë të lumtur dhe të përmbushur, por hyrja e mëkatit shumë shpejt i ndryshoi gjërat. Mëkati u përpoq ta shkatërronte njohurinë shpirtërore (Zanafilla 3:8). Pa praninë e Perëndisë dhe pa kujdesin e Tij mbrojtës, jeta u bë si një gjë e kotë, pa kuptim dhe pa shpresë. Ata që nuk e kanë Krishtin janë pa “shpresë dhe …pa Perëndi në botë” (Efesianëve 2:12).]
Jeta nuk mbaron me vdekjen fizike
Pas jetës dhe vdekjes, egziston përjetësia në Parajsë ose në Ferr. Të jetosh pa Krishtin dhe si rezultat, të egzistosh përjetësisht në Ferr, është marrëzi e kaluar marrëzisë. E megjithatë, shumica e njerëzve ecin në këtë rrugë. Perëndia ka përgatitur një mënyrë, sipas së cilës njeriu është përjetësisht i lumtur: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43). Sipas kësaj mënyre, njeriu kurrë nuk do të ketë hidhërim, dhimbje apo vdekje: “Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (Zbulesa 21:4). Njeriu do të kënaqet me praninë e përjetshme të Perëndisë: “Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir” (Zbulesa 21:7). Atëherë Perëndia do t’ua kthejë përsëri shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Tij të gjithë atyre që e pranojnë Jezus Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar.
Jeta e përjetshme në Krishtin
Mëkati i Adamit e prishi marrëdhënien dhe shoqërinë që kishte ai me Perëndinë, por ata që besojnë në Krishtin, mundet që t’i afrohen përsëri “me guxim fronit të hirit” (Hebrenjve 4:16). Tani jeta e ka një kuptim dhe një qëllim për ata që e kanë gjetur Autorin e jetës, “vepronjësin e shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden” (Hebrenjve 5:9). Pa Të, jeta nuk ka kuptim: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Shpëtimi nuk mund të gjendet askund tjetër: “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12).
Kuptimi i jetës nuk gjendet thjesht vetëm tek të besuarit se Krishti është Shpëtimtari, por duhet që edhe ne të jemi të bindur ndaj Tij: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28-30).
Dy vendime në jetë
Kur prezantohemi me mundësinë e të gjeturit të kuptimit të jetës, atëherë na duhet të marrim një vendim: ose do të vazhdojmë të jetojmë sipas standarteve të botës (një vendim ky që do të rezultojë në një jetë boshe), ose do të ndjekim Zotin me gjithë zemër: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5-6). “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni” (Jozueu 24:15).
Edhe pse mishit (natyrës sonë mëkatare) nuk i pëlqen rruga e Perëndisë, ne do të gjejmë kuptim dhe qëllim në jetë, po e ndoqëm këtë rrugë: “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28). Davidi e rekomandon këtë rrugë si rrugën më të mirë: “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi” (Psalmi 1:1-3)… “Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë…Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata” (Psalmi 23:1, 6)… “Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate” (Psalmi 37:4).
Përfundim
Jeta jonë do të mbetet një jetë pa kuptim e pa qëllim, po qe se nuk e lejojmë Krishtin që të punojë brenda nesh dhe nëpërmjet nesh. Kjo do të thotë se ne duhet të heqim dorë nga të ndjekurit e planeve dhe dëshirave tona. Duhet që t’i dorëzohemi plotësisht vullnetit të Perëndisë. Po e zgjodhëm këtë rrugë, atëherë kurrë nuk do të hidhërohemi e të themi se jeta jonë është një egzistencë pa kuptim e pa gëzim.
Nga Pastor Gary J. Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



