Jeta e mbushur me Frymën e Shenjtë
“Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë” (Efesianëve 5:18).
Parathënie
Perëndia dëshiron që ne të kemi një jetë të mbushur me Frymën e Shenjtë. Kjo duhet të jetë edhe dëshira jonë. Vetëm dy rrugë ka: ose të pimë kupën e pistë dhe dehëse të botës (d.m.th. fenë, filozofinë, apo qejfet), ose të kënaqemi me Frymën e Shenjtë, që na drejton sipas fjalës së Perëndisë. Komentuesit e Biblës: Xhejmisën, Foset dhe Braun kanë thënë: ” Fryma nuk banon në mendjen e një të krishteri , që kërkon kënaqësitë e qejfet, por në mendjen që lutet, në mendjen e ballancuar mirë. Një i krishterë i tillë e shpreh gëzimin e vet, jo me këngët e kësaj bote, por me himne falenderimi”. Krishtërimi nuk është i lehtë, por është një luftë, që zgjat gjatë gjithë jetës, një luftë kundër ndikimit satanik në botë. Nuk do të mund të jemi fitimtarë, po nuk e patëm Frymën e Shenjtë në jetën tonë. Vetëm ata që ecin në Frymë, arrijnë ta kryejnë atë detyrë, për të cilën i ka thirrur Perëndia.
Arsyeja pse duhet të mbushemi
Duhet të jemi vazhdimisht të mbushur me Frymën e Perëndisë. Nuk mund të mbushemi menjëherë, por duhet ta dëshirojmë një bekim të tillë. Prandaj edhe nuk mund të mbushemi e të mos e dimë se jemi të mbushur. E kemi vetë në dorë nëse duam të mbushemi, apo jo. Në të njëjtën kohë, duhet ta kuptojmë se ky bekim vjen atëherë, kur i bindemi urdhërimeve të Perëndisë. Mosbindja, nga ana tjetër, na bën të pavlefshëm për punën e Tij. Shpesh e konsiderojmë të mbushurit me Frymën si një privilegj, që i takon vetëm disa pasuesve të veçantë të Krishtit. Por një pikëpamje e tillë e bën këtë bekim si diçka të jashtëzakonshme, në vend që të jetë një standart normal i krishtërimit të Dhiatës së Re.
Kemi nevojë të mbushemi çdo ditë me Frymën e Shenjtë, sepse përndryshe, nuk do të mund t’i shërbejmë Krishtit e ta nderojmë Atë ashtu siç duhet. Kjo do të thotë se kemi një detyrim ndaj Perëndisë që të mbushemi me Frymën. Si do të mund të jemi vërtet fëmijë të bindur, nëse e neglizhojmë këtë çështje? Pa Frymën e Shenjtë në jetën tonë, nuk do të mund:
a) Ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të pëlqyeshme. “Duke i folur njëri-tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht” (Efesianëve 5:19-20)…”Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:24).
b) T’i vëmë në përdorim armët shpirtërore (lexo Efesianëve 6:10-17). Armiku i shpirtrave tanë na sulmon kudo, nga të gjitha anët: në shtëpi, në punë, në kishë, apo në besimin tonë. Duhet të jemi të armatosur mirë për t’i bërë ballë atij e për ta mundur. Por, nuk do të korrim fitore, nëse nuk jemi të mbushur me Frymën. Jetojmë në kohë të këqija, kur është shumë lehtë të shkurajohesh, të dëshpërohesh e ta humbasësh guximin. Fryma e Shenjtë është dhënë për t’i forcuar ata, që mbështeten në të vërtetën.
Mënyra se si mund të mbushemi
Ka tre kritere bazë, për t’u mbushur me Frymën e Shenjtë:
a) Së pari, duhet të jemi të shpëtuar. Perëndia nuk i mbush ata, që nuk kanë ardhur tek Krishti për shpëtim.
b) Së dyti, duhet të jemi të përkushtuar ndaj Zotit. Kjo do të thotë se gjithë jeta jonë duhet t’i nënshtrohet Atij. Nga kjo rrjedh se duhet të jemi plotësisht të varur dhe të drejtuar prej Tij në jetën tonë të përditshme: “Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në Të, duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në Të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në Të me falenderim” (Kolosianëve 2:6-7).
c) Së treti, duhet t’ia kërkojmë Perëndisë këtë mbushje: “Aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë” (Luka 11:13). Lutja e atyre që janë të shpëtuar e të përkushtuar ndaj Krishtit, do të gjejë përgjigje.
Cili është rezultati?
Duhet të vihet re nga të gjithë se jemi të mbushur me Frymën. Nuk jemi të mbushur thjesht sepse e themi me gojë se jemi të mbushur, por sepse kjo mbushje është e dukshme në jetën tonë. Ja disa prej fushave, ku vihet re ndryshimi:
a) Marrëdhënia jonë me Perëndinë do të forcohet edhe më shumë. Kjo do të thotë se do të duam të kalojmë më shumë kohë, duke u lutur e duke e studiuar fjalën e Tij. Do t’i shërbejmë Atij ngaqë e duam, jo ngaqë e kemi për detyrë.
b) Marrëdhënia jonë me të tjerët do të forcohet po ashtu. Nuk do të mbajmë më mëri e ligësi në zemër. Përkundrazi, do të falim e do të tregohemi të mëshirshëm, në vend që të hakmerremi.
c) Mendimet tona do të ndryshojnë. Falenderimi do t’ia zërë vendin ankesave, psherëtimave, apo pakënaqësive: “Për çdo gjë falënderoni, sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju” (1 Thesalonikasve 5:18).
d) Fryti i Frymës së Shenjtë do të shihet qartë në jetën tonë: “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj. Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij. Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim” (Galatasve 5:22-25).
Përfundim
Nuk duhet të gjejmë çlodhje, derisa të jemi të sigurtë se jemi të mbushur vërtet me Frymën e Shenjtë. Nëse jeta jonë e krishterë është një jetë e vdekur fetare, atëherë pa dyshim se kemi nevojë që Perëndia të na prekë sërish. Në fakt, bekimi i të mbushurit me Frymën nuk është një bekim që merret njëherë e mirë, por një bekim, të cilin duhet ta marrim çdo ditë nga Perëndia.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



