Isha një prift katolik… më pas njoha të VËRTETËN dhe ajo më bëri të lirë
Salvatore Gargiulo, pas një shërbese të gjatë si prift, zbuloi se katolicizmi nuk është krishterim, dhe e braktisi atë për të gjetur çlirimin që ofron Krishti
Kam qenë plotësisht i bindur dhe i vendosur se Papa ishte pasuesi i Pjetrit dhe zëvendësi i Krishtit.
I diplomuar në teologji më 1951, dhe më pas prift, u propozova të jem për gjithë jetën një bir i përkushtuar i papës …“atit të shenjtë”.
Një prift i mirë i beson njëkohësisht edhe Marisë, dhe i tillë isha edhe unë, një mbrojtës i përkushtuar i recitimit të rruzares, përcjellës i mesazheve të *Marisë së (Lourdes) Lurdës dhe të *Fatimas.
Tani që e njoh Fjalën e Perëndisë, di se shfaqjet e Shënmërisë nuk janë gjë tjetër veçse mashtrime djallëzore, një tezë për të nxjerrë nga udha shpirtrat, duke i penguar ata të bijnë në kontakt me të Vërtetën (lexojmë psh atë çfarë shkruan apostulli Pal te 2 Korintasve 11:14 dhe tek 2 Selanikasve 2:9-12).
Shënmëria, e cila shfaqet dhe përcjell mesazhet e saj, nuk ka asnjë lidhje me Marinë e përulur, nënën e Jezusit, fjalët e fundit të së cilës qenë pothuajse si një testament: “Bëni atë që ju thotë (Jezusi)” (Gjoni 2:5).
Por unë isha i brumosur dhe i formuar në këtë sistem të gabuar. I përmbahesha mësimdhënies kishtare, e cila deklarohet “e pagabueshme”, por kisha njohuri sipërfaqësore dhe të shtrembëruara për Shkrimin e Shenjtë, dhe për këtë arsye mashtroja të tjerët duke qenë në të njëjtën kohë edhe unë vetë i mashtruar (2 Timoteut 3:13).
Megjithatë në intimitetin tim isha thellësisht i pakënaqur. Drejtoja *sakramentet e kishës duke u dhënë pas tyre, por më mungonte dhurata më e bukur që Perëndia do që t’u japë qenieve njerëzore: sigurinë e jetës së Përjetshme nëpërmjet besimit në sakrificën e Jezus Krishtit. Në mënyrë të dukshme “cisternat e plasaritura” të sakramenteve, nuk mundnin të më jepnin ujin e gjallë për të cilin kisha etje. Të vërtetat themelore të Biblës, ato që i përkasin shpëtimit të njeriut, të ofruar falas përmes veprës së përkryer e të përmbushur prej Zotit Jezus, janë të një qartësie kristalore.
Teologjia katolike njeh shpëtimin përmes Hirit, por në një mënyrë arbitrare e bën atë të errët dhe të komplikuar. Shpëtimi, në praktikë, kalon përmes *sakramenteve të administruar prej kastës priftërore, e që duhet ta meritosh atë me pjesëmarrjen në ritet e shenjta, me respekt ndaj urdhërimeve dhe parimeve me vepra të mira. Një katolik i zakonshëm nuk mund të jetë kurrsesi i sigurt për shpëtimin e tij të përjetshëm personal. Edhe nëse ai vdes në paqe me Perëndinë, i mbetet që t’i shlyejë mëkatet në purgator, me një dënim pak a shumë të gjatë. Kështu, në këtë mënyrë, bie poshtë dhe zhvlerësohet sakrifica e Krishtit, e cila gjithashtu pretendohet se rinovohet në çdo meshë.
Pra bëhet fjalë për një sistem doktrinor të cilit s’mund t’i zësh besë, përkundrazi, është një sistem i cili është djallëzor, një sistem i cili bën miliona shpirtra pre të tij, “me filozofinë e me prapaskenat e tij të kota sipas traditës së njerëzve, sipas elementëve të botës dhe jo sipas Krishtit” (Kolosianëve 2:8).
Arsyetime të kota të cilat e ngrysin zemrën, (Kolosianëve 1:21) dhe anulojnë deklaratat e qarta të Fjalës së Perëndisë, siç është shkruar edhe tek Efesianëve 2:8-9:
“Në të vërtetë, ju jeni shpëtuar me anë të hirit, përmes besimit dhe kjo nuk vjen prej jush, por është dhuratë nga Perëndia. Ju nuk u shpëtuat prej veprave tuaja, që askush të mos mburret”.
Dhe: “Këto gjëra jua shkrova juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, në mënyrë që ta dini se keni jetën e amshuar” (1 Gjonit 5:13).
A mund të kemi deklarata më të qarta sesa këto?
Dhe: “mendja ime asokohe qe e mpirë dhe një vel qëndronte varur mbi zemrën time” (2 Korintasve 3:14).
Shpirti im i rënduar prej mëkatit, ishte duke vuajtur prej frikës së gjykimit të Perëndisë dhe humbjes së përjetshme.
Kthimi im tek Krishti u realizua shumë ngadalë por, në fund, Ai, i cili është i pasur në mëshirë, përmbushi brenda meje një mrekulli të madhe: pas kaq vitesh në të cilat kërkoja me duar nëpër errësirë, sytë e mi mundën të hapeshin përpara Dritës që përcjell Ungjilli.
Shkëmbi i cili bllokonte daljen nga tuneli brenda të cilit ndodhesha, përbëhej nga doktrina filozofikisht të menduara mirë nga pasardhësi i ashtuquajtur i Pjetrit. Por duhej të njihja që Pjetri nuk ka qenë themeluesi i Kishës në Romë dhe nuk ka pretenduar kurrë të ketë qenë kreu i krishterimit dhe që papët nuk janë aspak pasardhësit e Pjetrit. Kisha Katolike e Romës është themeluar mbi një histori doktrinash të rreme. U binda plotësisht duke lexuar letrat dhe fjalimet e vetë Pjetrit të shkruara në Dhiatën e Re. Fjala e Perëndisë i këput gjithashtu lidhjet e tjera që përbëhen prej doktrinash njerëzore, dhe më bëri të shikoja teologjinë time dhe të gjitha gjërat e shkuara “dhe i shoh si plehra, në mënyrë që të fitoj Krishtin” (Filipianëve 3:8).
Kisha mbushur tashmë dyzet e nëntë vjeç. Prej këtyre viteve, njëzet e gjashtë i kisha kaluar si “prift”, por ia vlente t’ia rifilloja nga fillimi. Më në fund, e dija se kujt i kisha besuar (2 Timoteut 1:12).
Nuk do të isha më si “një foshnjë e hedhur andej-këndej dhe që e vërtit era e çdo mësimi njerëzor” (Efesianëve 4:14).
Tani besimi im ndërtohej mbi shkëmbin e Fjalës së Perëndisë dhe asgjë nuk do të mund ta lëvizë atë. Nga errësira kisha kaluar tanimë në Dritën e Mrekullueshme të së VËRTETËS.
***********************************
Ndonjëherë pyes veten: Përse Perëndia, i cili më donte, lejoi që të kaloja përmes gabimeve të një feje përpara se të më thërriste nga errësira në të cilën ndodhesha më parë drejt Dritës së Tij të Mrekullueshme?
Ndoshta sepse përvoja nëpër të cilën kalova mund të jetë një ndihmë për të tjerët dhe njëkohësisht edhe për ty që sot po lexon këto rreshta.
Mbahesh se je katolik, por ndoshta ke njohuri të shkurtuara dhe konfuze të doktrinave të fesë sate.
Ose ndoshta ke bindjet e tua personale, por që i ndjek traditat e fesë me masë dhe nuk je i gatshëm që t’i braktisësh ose t’i lësh ato.
Sigurisht, Kisha katolike ushtron një ndikim të fuqishëm dhe tërheqës edhe pse ka shkelur dhe falsifikuar në favor të saj Fjalën e Perëndisë, dhe prezantohet si kisha e vetme e krishterë. MOS U MASHTRO!
Ritet solemne dhe *sakramentet, tempujt madhështorë, festimet, udhëtimet papnore, imazhet “e stërmëdha”, të shfaqurit, grupet kishtare, të cilat të japin një pamje ungjillore, aktivitetet ekumenike, jubileu i vitit 2000, të gjitha këto kanë si qëllim të të mbajnë të pavëmendshëm dhe të të pengojnë të fitosh atë për të cilën ti ke nevojë absolute: Një marrëdhënie personale dhe jetësore me Zotin Jezus, të Vetmin Shpëtimtar dhe Ndërmjetës midis Perëndisë dhe njerëzve, duke pasur për ndihmës Frymën e Shenjtë, i Cili është zëvendësuesi i Tij autentik dhe që i Cili na flet përmes Fjalës, Biblës.
Mos ndiq turmën e cila është e pajisur me të gjitha rehatitë fetare dhe që ecën drejt rrugës së gjerë e cila të çon në shkatërrim të përjetshëm.
“Hyni nëpër derën e ngushtë, sepse e madhe dhe e gjerë është udha që çon në humbje dhe të shumtë janë ata që kalojnë nëpër të. Por e ngushtë është dera dhe e ngushtë është udha që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë”.
(Mateu 7:13-14)
“Është një udhë e cila njeriut i duket e drejtë por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes” (Fjalët e urta 14:12)
Fatkeqësisht e tillë është udha e gjerë e feve të ndryshme dhe e sekteve duke përfshirë edhe atë udhë të cilën unë vetë e ndiqja kur isha prift.
Por Perëndia të do dhe kërkon të të shpëtojë.
Zgjidh Jezusin i Cili është Udha, e Vërteta dhe Jeta.
Të besosh në Të nënkupton të heqësh dorë prej mëkatit dhe nga një mënyrë e kotë e të jetuarit dhe nga traditat e tua fetare. Dhe të garantoj që ia vlen.
Jezusi tha: “Nëse qëndroni në Fjalën time, do të jeni me të vërtetë dishepujt e mi, do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gjoni 8:31-32)
Shënime ndihmuese:
1) *Maria e Lurdës, e quajtur ndryshe edhe si Zonja e Lurdës. Nga katolikët quhet Zoja e Lurdës.
Lourdes (Lurda), është një qytet i vogël në krahinën e Pirenejeve të Francës.
(Pirenejet janë një zinxhir vargmalesh, të cilat formojnë kufirin natyral midis shtetit të Francës dhe atë të Spanjës. Pirenejet ndajnë gjithashtu gadishullin Iberik nga Franca dhe kanë një shtrirje të gjatë prej rreth 430 km, duke filluar nga Oqeani Atlantik dhe zbresin deri në Detin Mesdhe).
Lurda ka një popullsi prej rreth 16.000 banorësh dhe është një qytet me përmasa mesatare, të paktën dyfish i madh përsa i përket fluksit të vazhdueshëm të pelegrinëve katolikë kushtuar Zojës së Lurdës.
Zoja e Lurdës është emri me të cilin kisha katolike romake nderon Marinë, nënën e Jezusit, e cila iu shfaq shenjtores Bernadete Subiru, në Lurdë të Francës, nga 11 shkurti deri më 16 prill të vitit 1858. Zoja e Lurdës bën pjesë në shfaqjet më të nderuara.
Bernadete Subiru, asokohe një vajzë 14-vjeçare, rrëfeu se kishte përjetuar tetëmbëdhjetë shfaqje të një “Zonje të pashme”, në një guvë pak larg nga rrethinat e Masabielës. Për shfaqjen vajza pohoi:
«Unë vura re një Zonjë të veshur në të bardha. Kishte një fustan të bardhë, një vel të bardhë, një brez të kaltërt dhe një trëndafil të verdhë në këmbë.»
Ky imazh i Virgjëreshës së Kishës katolike, e veshur në të bardhë, e me një brez të kaltërt, ka hyrë në ikonografinë klasike të përshkrimit të Zojës së Lurdës. Në vendin e shfaqjes, treguar nga Bernadeta, u vendos në vitin 1864 një statujë e Zojës. Përreth guvës së shfaqjeve, me kalimin e viteve është krijuar një faltore, e cila është kthyer në një vend shtegtimesh për besimtarët katolikë.
2) *Zoja e Fatimas (në portugalisht Nossa Senhora de Fátima) është një nga emrat me të cilët kisha katolike nderon Marien, nënën e Jezusit. Fatima është një qytet i vogël në Portugalinë qendrore, i cili përbëhet prej rreth 10.000 banorësh.
Ndër shfaqjet mariane, ajo e Zojës së Fatimas është më e njohura. Sipas tregimit të tre fëmijëve barinj, me moshë shtatë dhe dhjetë vjeçare, nga Fatima, qytet portugez, Zoja e bekuar iu shfaq gjashtë herë atyre. Herën e parë më 13 maj, e më pas çdo muaj të datës 13 në vitin 1917. Fëmijët në përshkrimin e tyre të ngjarjes treguan se Zoja iu paraqit atyre si “Zoja e Rruzares”. Ngjarja mori një jehonë të gjerë tek shumë besimtarë që besuan në këto shfaqje. Në vitin 1930 kisha katolike, shpalli natyrën mbinatyrore të shfaqjeve dhe lejoi nderimin e Zojës së Fatimas.
3) *Sakrament, Sakramenti (latin.sacramentum = shenjtërim) është një besim dhe ushtresë e ritit të krishterë që ndërmjetëson Hirin e Perëndisë tek njeriu, duke themeluar kështu një mister të shenjtë. Pikëpamjet lidhur me çështjet se cilat rite janë sakramentale, dhe kur një veprim është sakramental ndryshojnë midis besimeve dhe traditave të krishtera.
Përkufizimi më i pajtueshëm i një sakramenti pohon se ai është një shenjë e jashtme e dukshme që shpie në hirin e brendshëm shpirtëror. Sakramentet më të pranuara gjerësisht janë pagëzimi dhe kungimi; megjithëse besime të tjera të krishtera përfshijnë edhe pesë sakramente të tjera: krezmimin, shugurimin, rrëfimin, vajosjen dhe martesën. Në qindvjeçarët e parë të krishterimit, sakramenti tregonte tërësinë e veprimtarive të shenjta, rrjedhimisht domethënia dhe numri i sakramenteve erdhi duke u përkufizuar dhe është shumë i ndryshëm në besimet e krishtera.
Në lidhje me sakramentet Shën Agostini thotë se kisha jeton shumë sakramente, dhe rendit sakramentin e pagëzimit (ujit të bekuar), martesës, kungimit (eukaristisë) etj.
Në disa raste emërtimi sakrament përdoret në rrethana abstrakte për të treguar veprën e Perëndisë nëpërmjet njeriut: psh, “sakramenti i shpëtimit”, “sakramenti i bashkimit”, etj. Kisha katolike romake njeh shtatë sakramente si rite të shenjta, e bindur nga fakti se nëpërmjet tyre Krishti i Ringritur bëhet i pranishëm, shfaqet dhe vepron në historinë e njerëzimit për ta ballafaquar atë gjithnjë e më shumë me veten, në veçanti për ta bërë atë të aftë të rikryejë në jetën e tij misterin e dashurisë së tij të Pashkëve, vdekjen dhe ringritjen.



