Integriteti (Ndershmëria) Personale
“Ju jeni dëshmitarë, dhe Perëndia gjithashtu, si jemi sjellë me shenjtëri, me drejtësi, pa të meta, me ju që besoni. Ju e dini gjithashtu se ne këshilluam, ngushëlluam dhe i jemi përbetuar secilit prej jush, si bën një baba me bijtë e vet, që të ecni denjësisht për Perëndinë, që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij” (1 Thesalonikasve 2:10-12).
Parathënie
Në këtë pasazh, Pali, pa u mburrur, iu solli ndër mend besimtarëve thesalonikas mënyrën se si ai dhe grupi i tij misionar ishin sjellë, kur kishin qenë në mes tyre. Me tre thënie të shkurtra, ai e përkufizon kështu integritetin e vërtetë të krishterë: 1) Jetoi me shenjtëri; 2) U soll me drejtësi me të gjithë; 3) Jeta e tij ishte pa të meta. Kështu thotë edhe Mikaia 6:8, “O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?”. Për besimtarin, shenjtëria, drejtësia dhe ndershmëria janë pjesë përbërëse të integritetit. Ato përshkruajnë mënyrën se si jetojmë për Perëndinë, mënyrën se si jetojmë përpara të tjerëve, si edhe mënyrën se si jetojmë për vete. Gjon Uesli ka komentuar kështu mbi këtë varg: “Me shenjtëri - përsa i përket gjërave të Perëndisë. Me drejtësi - përsa i përket njerëzve. Pa të meta - përsa i përket vetes sonë”. Duke qenë se ishte babai i tyre shpirtëror, Pali dëshironte që edhe besimtarët thesalonikas të kishin integritet personal.
Një i krishterë që mëkaton?
Po të ishte gjallë sot, apostulli Pal nuk do ta kuptonte dot se si besimtarët e sotshëm thonë se janë të rilindur, e prapëseprapë, nuk shfaqin aspak shenja të kësaj lindjeje të re. Të sugjerosh se një të krishteri i lejohet të mëkatojë (ngaqë është lindur mëkatar), është njëlloj sikur të thuash se gjaku i Krishtit nuk është aq i fuqishëm, saqë ta çlirojë këtë të krishterë prej tutelës dhe fuqisë së mëkatit. Tre fjalët e tekstit të mësipërm (me shenjtëri, me drejtësi dhe pa të meta) na japin standartin e lartë të jetës së krishterë, që edhe vetë Pali priste ta shihte në kishë. Me pak fjalë, pra, besimtarët thesalonikas duhej të “ecnin denjësisht për Perëndinë”, duke vërtetuar kështu transformimin e mrekullueshëm, që kishte ndodhur në jetën e tyre.
Pali e inkurajon kishën, që ta imitojë mënyrën e tij të jetesës: “Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit” (1 Korintasve 11:1). Rruga e të qënit dishepull nuk është e lehtë. Përkundrazi, kjo rrugë kërkon vëmendjen dhe përkushtimin tonë: “Si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh?” (Hebrenjve 2:3). Të jesh pasues i përkushtuar i Krishtit, do të thotë të paguash një çmim të lartë. Bibla nuk ka lejon të themi: “Hë, se s’ka problem se mëkatoj, sepse, në fund të fundit, njeri jam, s’jam Zot”.
Të ecurit denjësisht
“Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët” (Efesianëve 4:1)… “Që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë” (Kolosianëve 1:10). E vetmja mënyrë, me anë të së cilës mund ta arrijmë atë, që është me të vërtetë krishtërim normal, është duke e pastruar “veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe [duke e përfunduar] shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Korintasve 7:1). Prandaj, pra, edhe Pali i shkroi kështu kishës së korintasve: “Na pranoni; ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi korruptuar askënd, nuk ia hodhëm askujt” (2 Korintasve 7:2). Çdo lloj çrregullsie apo hipokrizie nga ana jonë do të bëjë që emri i Perëndisë të “blasfemohet ndër johebrenj” (Romakëve 2:24).
Ka rëndësi Mbretëria
Besimtarët janë thirrur për të mbretëruar me Krishtin (shiko 2 Timoteut 2:12). E si mund të presim që të hyjmë në Mbretërinë dhe në lavdinë e Tij qiellore, kur nuk e vrasim mendjen fare, nëse po ecim, apo jo, me integritet mbi këtë tokë? “Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të” (Kolosianëve 3:4). Po nuk patëm nivelin më të lartë të integritetit, atëherë nuk do të hyjmë dot në parajsë: “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14). Mateo Henri ka thënë: “Privilegji ynë i madh ungjillor është ky: Perëndia na ka thirrur në mbretërinë dhe në lavdinë e Tij. Përgjegjësia jonë e madhe ungjillore është kjo: Të ecim denjësisht për Perëndinë. Duhet të jetojmë si ata, që janë thirrur me një thirrje të tillë të lartë e të shenjtë. Detyra jonë më e rëndësishme është që ta nderojmë, t’i shërbejmë dhe ta kënaqim Perëndinë dhe të përpiqemi për të qenë të denjë për Të”. “Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit” (Filipianëve 1:9-10).
Përfundim
Çarls Spërxhëni ka shkruar kështu: “Epitafi më i mirë mbi varrin tënd është karakteri i mirë. Ata që të deshën dhe që gjetën ndihmë prej teje, do të të kujtojnë, ndërsa numri i atyre që kanë për të të harruar, do të zvogëlohet. Gdhënde emrin tënd në zemrat e njerëzve, jo mbi mermer”. Mënyra se si jetojmë na tregon se kush jemi. Njerëzit shohin sjelljen dhe veprimet tona. Integriteti ka të bëjë me të qënit i rregullt me atë që bëjmë e me atë që themi. E kundërta e integritetit është hipokrizia. A jemi të ndershëm, besnikë dhe të sinqertë në jetën tonë të përditshme? A nxjerrim pretekste, kur nuk jetojmë sipas standarteve, që na ka shfaqur Perëndia në fjalën e Tij? Ç’lloj shembulli jemi për besimtarët e tjerë? Duhet të jemi të shenjtë, si në mënyrën e të sjellurit, ashtu edhe të të jetuarit, sepse jemi fëmijë të Perëndisë, që besojmë në Bibël: “Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria” (Fjalët e Urta 11:3).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



