I zgjedhuri



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 27.06.2009

“Atëherë ai dërgoi njerëz ta marrin. Davidi ishte kuqalash, me sy të bukur dhe pamje të hijshme. Dhe Zoti tha: “Ngrihu, vajose se ai është”. Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah” (1 Samuelit 16:4-11).

Parathënie
Këto dy vargje na paraqesin një përshkrim shumë të shkurtër të vajosjes së mbretit të ardhshëm të Izraelit, Davidit, prej Samuelit. Davidi këtu na paraqitet komplet ndryshe nga vizatimet e librave për fëmijë. Ai nuk është djalë i vogël, por një i ri i moshës 15-20-vjeçare.

I thirrur
Ka të ngjarë, që kjo ceremoni e thjeshtë të jetë zhvilluar brenda përbrenda shtëpisë së Isait. S’ka dyshim se banorët e qytetit do ta kenë pyetur njëri-tjetrin se ç’po ndodhte. Pjesëtarët e familjes së Davidit ndoshta vështronin gojë-hapur profetin, tek ai lutej dhe derdhte vajin mbi Davidin. Ndoshta askush, me përjashtim të Isait, nuk e kuptoi plotësisht rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Por ata të gjithë ishin dëshmitarë të saj. Gjon Uesli ka shkruar: “Vëllezërit e Davidit e panë, kur ai u vajos, e megjithatë nuk e kuptuan se ai po vajosej për t’u bërë mbret. Samueli ndoshta iu tha atyre se Davidi po vajosej si përgatitje për një detyrë të madhe në të ardhmen”.

Kuqalash
Davidi na paraqitet si një i ri i shëndetshëm dhe i shkathët. Mateo Henri ka shkruar: “Kishte diçka në pamjen e tij të jashtme, që tregonte se ai ishte shumë simpatik”. Fjala “kuqalash” ndoshta përshkruan ngjyrën e faqeve të Davidit. Disa komentues të Biblës besojnë se ai ishte flokë-kuq. Nuk dukej si kandidat për mbret, por atë kishte zgjedhur Perëndia. Njerëzit, po të kishin votuar, do të kishin zgjedhur një luftëtar të ashpër, e jo një djalë bari. “Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi” (1 Timoteut 4:12).

Fryma e Perëndisë
Ceremonia e kurorëzimit të Davidit si mbret do të zhvillohej më vonë, pas shumë vitesh. Këtu Davidin e shohim të vajosur, si përgatitje për atë ditë të shënuar. Që nga ai moment, Fryma e Shenjtë ishte me të. “D.m.th. atij iu dhuruan menjëherë dhuratat e Frymës së Perëndisë, si p.sh. fuqia, guximi, mençuria, si edhe cilësi të tjera të shkëlqyeshme, të cilat e përgatitën atë për detyra të larta e fisnike” (Gjon Uesli).
Ka vetëm ca raste të rralla në Bibël, kur njerëz të caktuar u pagëzuan me Frymën e Perëndisë, përpara Ditës së Pentikostit. Davidi e kishte me vete Frymën e Shenjtë gjatë gjithë jetës dhe e dinte rëndësinë e këtij fakti. “Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë” (Psalmi 51:11).
Vaji i përdorur për vajosjen e Davidit simbolizonte fuqinë e Perëndisë. Është interesant për t’u theksuar fakti se, kur Samueli vajosi Saulin si mbret, vaji u derdh nga një enë e vogël (prej balte ose argjile). “Atëherë Samueli mori një enë të vogël me vaj dhe e derdhi mbi kokën e tij; pastaj e puthi dhe tha: “A nuk të ka vajosur Zoti si kreu i trashëgimisë së tij?” (1 Samuelit 10:1). Por ena e përdorur për Davidin ishte një bri (kafshe). Ena prej balte ishte simbol dobësie, kurse briri simbol fuqie - dy simbole këto komplet të kundërta me pamjen e jashtme të këtyre dy personazheve, Saulit dhe Davidit.

Kthimi prapë tek puna
Davidi, duke mos e kuptuar plotësisht atë që kishte ndodhur, do të jetë kthyer prapë tek kullota, për t’u kujdesur për delet. Vazhdoi të punonte e të bënte atë, që kishte bërë gjithmonë, por ndoshta tani që Fryma e Perëndisë ishte me të, ai filloi të kompozonte me harpë disa nga këngët e adhurimit, që i gjejmë sot tek Psalmet. Të gjitha këngët e tij dolën prej një zemre, që vërtet e donte Zotin, “një njeri simbas zemrës së Tij” (1 Samuelit 13:14) dhe “këngëtari i ëmbël i Izraelit” (2 Samuelit 23:1).

Përfundim
Të gjithë banorët e qytetit do të jenë kthyer në shtëpitë e tyre, duke biseduar me njëri-tjetrin rreth ngjarjeve të ditës. S’ka dyshim se shumica e tyre do ta kishin hedhur poshtë faktin se një i ri prej qytetit të vogël të Bethlehemit do të bëhej mbreti i ardhshëm i Izraelit. “Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla?” (Zakaria 4:10). Perëndia kishte plane të mëdha për Davidin.
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net

Lidhje te tjera..