I Dashuri dhe I Rëni në Mëkat



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 09.12.2007

Parathënie
Ka të ngjarë që Marku ta ketë marrë prej Pjetrit materialin për shkrimin e këtij studimi të ungjillit të tij. Këtë e vërteton edhe autori Papias (që shkroi në vitin 130 pas Krishtit). “Kisha që është në Babiloni, që është zgjedhur bashkë me ju, ju përshëndet. Edhe Marku, biri im, ju përshëndet” (1 Pjetrit 5:13). Pra, është shumë e rëndësishme që Marku regjistron me shumë hollësi faktin se si këshilltari dhe mësuesi i tij, Pjetri, e mohoi Zotin Jesuz Krisht. Kurrë nuk është gjë e këndshme ta shikosh rënien në mëkat të një pasuesi të Krishtit.

Mohimi i parë i Pjetrit
“Ndërsa Pjetri ishte poshtë në pallat, erdhi një shërbëtore e kryepriftit. Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: “Edhe ti ishe me Jezusin Nazareas”. Por ai e mohoi duke thënë: “Nuk e njoh, nuk kuptoj çfarë thua”. Pastaj doli jashtë në hajat dhe gjeli këndoi” (Marku 14:66-68).
Njëherë e një kohë, Pjetri, pasi e kishte deklaruar Krishtin si Mesia, e kishte dëgjuar Atë tek i thoshte këto fjalë lavdëruese: “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej” (Mateu 16:17). Por, tani, Pjetri deklaron se nuk është më pasues i Krishtit. Ky ishte një mohim serioz. Po mohonte se kishte qenë me Jezusin për tre vjet me rradhë, se Zoti ia kishte shëruar vjerrën, se e kishte parë Atë (Zotin) të shpërfytyruar në mal, se kishte ecur mbi ujë, kur Jezusi i kishte dhënë urdhër dhe se kishte parë të vdekurit të ringjalleshin, të sëmurët të shëroheshin, djajtë të dëbuar dhe turmat të ushqyera mrekullisht prej Jezusit.
Po i përmendim të gjitha këto gjëra për të treguar thellësinë, në të cilën mund të zhytet një pasues i Krishtit, që dikur kishte qenë besnik ndaj Tij. Kjo ngjarje duhet të na e mbushë mendjen rreth domosdoshmërisë për të qëndruar syhapur, për t’u lutur dhe për të ecur të përulur, përsa kohë që jemi mbi këtë tokë. “Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë” (1 Korintasve 10:12). Madje edhe shenjtorët më të mëdhenj të përmendur në Bibël, kishin tendencë për të rënë në mëkat (p.sh. Noeu, Abrahami, apo Davidi). Askush nuk është aq i fortë, sa t’i rezistojë mëkatit, pa ndihmën e Krishtit: “Lum ai njeri që ka frikë vazhdimisht nga Zoti, por ai që e fortëson zemrën e tij do të bjerë në fatkeqësi” (Fjalët e Urta 28:14).

Mohimi i mëtejshëm i Pjetrit
“Dhe shërbëtorja, duke e parë përsëri, filloi t’u flasë të pranishmëve: “Ky është një nga ata”. Por ai përsëri e mohoi” (Marku 14:69-70a).
Këtu shohim përsëri peshkatarin e fuqishëm, trim e guximtar, që frikësohet prej ca fjalëve të thjeshta të një shërbëtoreje. Pjetri nuk pëson disfatë prej shpatave dhe shkopinjve të ushtarëve, por prej pyetjeve të një shërbëtoreje. Është e vërtetë se mund të deklarojmë me besnikëri të plotë se “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13), por, nëse Zoti largohet prej nesh, atëherë mbetemi të pafuqishëm e të pashpresë për të bërë gjë. Përkundrazi, bëhemi pre e kollajshme madje edhe për armikun më të dobët. Mos, vallë, nuk e dëgjoi Pjetri zërin e gjelit, kur e mohoi Krishtin për herë të parë? Në momentin e shtrëngatës, Pjetri mendoi më shumë për ta shpëtuar veten e vet, jo Shpëtimtarin e tij.

Mohimi fatal i Pjetrit
“Dhe pak më vonë të pranishmit i thanë përsëri Pjetrit: “Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je Galileas dhe e folura jote e zbulon”. Por ai nisi të mallkojë dhe të betohet: “Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni”. Dhe gjeli këndoi për të dytën herë; atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë: “Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë”. Dhe, duke e menduar këtë, qau” (Marku 14:70b-72).
Këtu e shohim se të mohuarit e Krishtit e hidhëroi tej mase Pjetrin. Me vetëdashje, Pjetri përdor shprehjen “atë njeri”, për ta distancuar veten prej atyre, që kishin lidhje me Jezusin.
Tani, më në fund, ai e kuptoi se ishte fajtor, ngaqë kishte kryer mëkatin më të madh. Sa i turpëruar do të jetë ndjerë në atë moment! Sa i humbur e me trurin të bërë lëmsh nga mendimet e shumta! Shpirti iu mbush me keqardhje të hidhur. Ishte i dërrmuar nga mëkati – kishte mëkatuar tre herë rresht, pa pushim! “Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij” (Fjalët e Urta 14:14). Në ungjillin e tij, Luka shkruan se, pikërisht para se gjeli të këndonte për herë të dytë, “Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin” (Luka 22:61). Të njëjtët sy do të shpojnë mes përmes ndërgjegjes së çdokujt, që do të qëndrojë përpara fronit të Tij të gjykimit: “Dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri” (Zbulesa 19:12).
Këto vargje (që flasin për mallkimin dhe betimin nga ana e Pjetrit) nuk do të thonë se Pjetri blasfemoi, por se ai u betua se po tregonte të vërtetën, se ishte gati ta mallkonte veten, vetëm e vetëm që t’i bindte ata, që e rrethonin se po thoshte të vërtetën (p.sh. mund të ketë thënë: “më vraftë Zoti, nëse gënjej”). Edhe pse Pjetri u pendua plotësisht për atë që kishte bërë dhe u pranua përsëri prej Zotit, është e qartë se, duke e parë nga mënyra me të cilën ai ia diktoi ngjarjen Markut, të mohuarit që i bëri ai Krishtit, i kishte mbetur në mendje gjatë gjithë jetës.

Përfundim
Mëkati gjithmonë të çon në hidhërim. E megjithatë, Zoti ka siguruar mënyrën, me anë të së cilës shërbëtorët e Tij të mund t’i shmangen të ecurit shkel e shko dhe të rënit në tundim: “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11). Nëse edhe ne, ashtu si Pjetri, ia kthejmë kurrizin Perëndisë, atëherë Ai do të na i bëjë të ditur pasojat e mëkatit tonë.
“Pjetri e ngrohu veten pranë  zjarrit të armikut dhe e mohoi Zotin e tij. Djalli gjithmonë e ka zjarrin gati për ata shenjtorë, që janë gati për të rënë në mëkat. Mosçarja e kokës është shpeshherë preludi i të rënit në mëkat. Rehatia vjen përpara rrëzimit. Pas ca ditësh, Pjetri u ngroh pranë një zjarri tjetër, qymyrët e të cilit i kishte ndezur vetë Mjeshtri buzë detit. Atje, atij iu bë pyetja: “A më do?” dhe iu dha urdhëri: “Ushqe delet e mia”. Nëse je rrëzuar pranë zjarrit të Satanait, ndoshta do të shpëtohesh tek zjarri i Shpëtimtarit” (marrë nga libri “Ditë për Ditë”, shkruar nga Vans Havner).      


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net