I dashuri dhe Besimtari
Parathënie
Në studimin tonë të fundit, pamë se si Jezusi e mallkoi pemën e fikut. Kjo ngjarje i dha shkak dhënies së mësimit të Tij rreth besimit dhe faljes.
Rëndësia e besimit
“Të nesërmen në mengjes, duke kaluar, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë. Dhe Pjetri, duke u kujtuar, i tha: “Mësues, ja, fiku që ti mallkove qenka tharë”. Atëherë Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Kini besimin e Perëndisë! Sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t’i thotë këtij mali: “Luaj vendit dhe hidhu në det,” dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë do t’i bëhet. Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni” (Marku 11:20-24).
Zoti e përdori fikun për t’iu treguar dishepujve gjendjen shpirtërore të Izraelit të asaj kohe, kurse mallkimin e fikut Zoti e përdori për t’iu folur atyre rreth domosdoshmërisë së besimit dhe të faljes tek ata që e ndjekin. Në thelb të marrëdhënies së të krishterit me Perëndinë qëndron besimi tek Ai. Besimi iu jep mundësinë besimtarëve për të realizuar gjëra të mëdha për Perëndinë, si edhe për të mposhtur vështirësitë, që iu dalin atyre përpara në rrugën e përparimit shpirtëror.
Duhet ta vëmë re mirë faktin se Jezusi e përmend domosdoshmërinë e lutjes krahas asaj të besimit. Besimtari kurrë nuk duhet të përpiqet të kryejë diçka, që është jashtë vullnetit të Perëndisë. Kur lutemi për atë, që është në përputhje me vullnetin e Perëndisë, atëherë jemi të sigurtë se lutjet tona do të gjejnë përgjigje: “Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era” (Jakobi 1:6).
Besimi, që përmendet në tekstin e studimit tonë, nuk është besim që të justifikon, por besim në fuqinë, mençurinë dhe dashurinë e Perëndisë. Është ai tip besimi, që i shtrëngon fort premtimet e ndodhura në Bibël. Është ky lloj besimi, që e bën të sukseshme e frytdhënëse jetën e krishterë. Pikërisht nëpërmjet një besimi të tillë, “të moçmit morën dëshmimin” (Hebrenjve 11:2). Po qe se nuk kemi besim, atëherë nuk kemi as marrëdhënie me Zotin: “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë Atë” (Hebrenjve 11:6).
Nëse duam që të jemi më shumë sesa bebe shpirtërore, atëherë duhet të lutemi çdo ditë për më shumë besim dhe ta ruajmë fort atë besim që kemi, me qëllim që të mos shkasim nga rruga: “Prandaj ne duhet t’u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga rruga” (Hebrenjve 2:1). Dobësitë tona, të çfarëdo lloji që të jenë, shkaktohen gjithmonë nga një mungesë besimi. Dobësi të tilla ndikojnë në gjendjen e përgjithshme të njeriut të përbrendshëm. Sasia e paqes, shpresës, gëzimit, dëshirës për t’i shërbyer Krishtit, dëshmimit për Të, këmbënguljes dhe e shenjtërisë sonë në jetë - të gjitha këta varen nga besimi ynë. E gjithë përvoja jonë e krishterë varet tek besimi në Perëndinë. Duhet të “ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit” (2 Korintasve 5:7).
Rëndësia e faljes
“Dhe kur nisni të luteni, nëse keni diçka kundër ndokujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiejt, t’ju falë mëkatet tuaja. Por në se ju nuk falni, as Ati juaj, që është në qiejt, nuk do t’jua falë mëkatet tuaja” (Marku 11:25-26).
Egziston një lidhje e menjëhershme mes besimit dhe faljes, e kjo lidhje është lutja. Besimi është i domosdoshëm, nëse duam që lutjet tona të dëgjohen e të gjejnë përgjigje, por lutjet janë pa vlerë, nëse nuk dalin prej një zemre, që fal.
Lutja është aq e mirë, sa edhe gjendja e zemrës dhe e mendjes, që e ofron atë lutje. Lutjet tona nuk duhet të jenë vetëm lutje serioze, të ndjera, të sinqerta dhe të thëna në emër të Krishtit, por ato duhet të përmbajnë edhe një element tjetër të domosdoshëm: ato duhet të dalin nga një zemër, që fal. Ç’të drejtë kemi t’i kërkojmë Zotit mëshirë, kur nuk tregohemi vetë të mëshirshëm ndaj të tjerëve? Si do të mund ta ndjejmë ligësinë e mëkateve tona dhe t’i kërkojmë Perëndisë të na i falë, nëse në zemër kemi mëri e zemërim ndaj një tjetri? “Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë” (Mateu 6:12). Jezusi e bën shumë të qartë se cila është pasoja e mungesës së faljes: “Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja” (Mateu 6:14-15).
Mungesa e faljes është një shkak tjetër i dobësisë shpirtërore në kishë dhe në besimtarë të veçantë. Është pikërisht kjo arsyeja pse shumë lutje nuk marrin përgjigje. Të falësh ata që na ofendojnë, nuk është kërkesë, por urdhër. Kjo është një çështje kaq serioze, saqë në të varet tërë marrëdhënia jonë me Zotin. Sepse, nëse nuk falim të tjerët, atëherë as Perëndia nuk do të na falë ne: “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14). Zemërimi dhe mbajtja mëri është një sëmundje e ligë, që i shkatërron kishat: “Duke u kujdesur fort që askush të mos mbetet pa hirin e Perëndisë dhe se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe t’ju turbullojë dhe me anë të saj të ndoten shumë njerëz” (Hebrenjve 12:15).
Përfundim
Besimi, lutja dhe falja janë elemente të domosdoshme në jetën e krishterë. Prandaj duhet t’i hedhim një vështrim serioz vetes. A kemi besim? A po lutemi në përputhje me vullnetin e Perëndisë? A kemi në zemër ndonjë njollë mërije, zemërimi, apo mungese të faluri? Nëse po, atëherë ku është krishtërimi ynë?
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



