Hiq dorë, Ndiq dhe Lufto



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 29.09.2007

“Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë. Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve” (1 Timoteut 6:11-12).

Parathënie
Në tekstin e mësipërm gjenden tre fjalë, që shprehin përmbajtjen e jetës së krishterë.  Këto fjalë janë: “hiq dorë”, “ndiq” dhe “lufto”. Nëse këto fjalë nuk janë të pranishme në rrugën tonë personale me Krishtin, atëherë themeli i kësaj rruge është për t’u vënë në pikëpyetje. Në këtë studim, do të shohim se ç’do të thotë apostulli Pal nëpërmjet këtyre fjalëve dhe se si duhet t’i vëmë ato në zbatim në jetën tonë.

Hiq dorë
1 Timoteut 6:4-5 na jep një listë të gjërave, të cilave duhet t’iu shmangemi: “Ai mbahet më të madh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e të zënit me fjalë, prej nga lindin smira, grindja, të sharat, dyshimet e këqija, debatet e kota të njerëzve me mendje të prishur dhe të shterur nga e vërteta, sepse mendojnë se perëndishmëria është burim fitimi; largohu prej këtyre”. Në këtë mënyrë, Pali i inkurajon besimtarët që të largohen, jo vetëm prej njerëzve, që besojnë dhe vënë në praktikë gjëra, që janë në kundërshtim me të vërtetën biblike, por edhe prej atyre, që shkaktojnë grindje, duke debatuar së koti. Vini re se si ai përdor fjalën “larguhu prej këtyre”. Nuk duhet të merremi me njerëz të tillë, apo ta harxhojmë kohën në praninë e tyre. “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit” (Psalmi 1:1).
I njëjti urdhërim për t’iu shmangur padrejtësisë dhe të pabesëve, gjendet edhe në vargje të tjera të Dhiatës së Re: “Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm”” (2 Korintasve 6:17-18)… “Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni” (Efesianëve 5:11)… “Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh” (2 Thesalonikasve 3:6)… “Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata” (Romakëve 16:17).
S’ka dyshim se, përveç këtyre gjërave, duhet t’i shmangemi dhe të heqim dorë gjithashtu edhe prej tundimit dhe mëkatit. Shpesh, na pyesin se nga e dimë ne se ato gjëra të caktuara, që nuk përmenden në Bibël, janë mëkate. Përgjigjen e gjejmë tek 1 Thesalonikasve 5:22, “Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë”. Nëse nuk jemi të sigurtë rreth një veprimi, atëherë më mirë të mos e kryejmë, se ka të ngjarë që të jetë i gabuar. Fryma e Shenjtë na është dhënë për të na drejtuar larg prej gjithçkaje, që është pengesë për të vërtetën.

Ndiq
Ashtu siç thotë edhe teksti në hyrje të këtij studimi, duhet të ndjekim drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë. Pra, i shmangemi gjithçkaje, që është në gjendje të na shkatërrojë përkushtimin tonë ndaj Perëndisë, por e inkurajojmë veten në ato gjëra, që na tregojnë se jemi pasues të vërtetë dhe besnikë të Krishtit. Kjo do të thotë se duhet ta ndjekim Perëndinë dhe fjalën e Tij, duke e vënë atë në praktikë në jetën tonë. Duhet të shoqërohemi me njerëzit e Perëndisë, jo me botën. Duhet të mbajmë lidhje me njerëz të mirë.
Duhet të ndjekim ato gjëra, që na veçojnë nga turma. Ata që na rrethojnë, duhet ta kuptojnë se nuk jemi njëlloj si ata, nga fjalët që flasim, sjellja dhe veprimet që bëjmë. Mos harroni se ata që kompromentohen me botën, nuk mund ta kryejnë dot punën e Perëndisë mes atyre, me të cilët kompromentohen. Fryma e Shenjtë e tërheq jobesimtarin tek Krishti, me anë të bindjes, jo të kompromentuarit. “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni 16:8). Mund të jemi pasues të Perëndisë, vetëm kur i bindemi zërit të Frymës së Shenjtë dhe bëjmë ashtu siç na urdhëron Ai: “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14).

Lufto
Kjo lloj lufte është si për t’u mbrojtur, ashtu edhe për të sulmuar. Fortesat, që Satanai ka ngritur në jetën e njerëzve jobesimtarë, i shkatërrojmë, duke predikuar Ungjillin. Kishës i është dhënë mandati për të avancuar me të vërtetën. “Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:18-20).
Apostulli Pal shpesh u burgos, ngaqë predikoi fjalën e së vërtetës. Ai e përshkroi veten si të lidhur në vargonj “në mbrojtjen dhe në vërtetimin e ungjillit” (Filipianëve 1:7). Bota, feja e rreme dhe njerëzit e degjeneruar e kanë kërcënuar kishën e ditëve të sotme, që ta mbajë gojën mbyllur. Por ka ardhur koha, që kisha të ngrihet e të dëshmojë përsëri “rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve”. Duhet ta rrokim “jetën e përjetshme” dhe t’ia shpallim atë pa frikë të gjithë botës.
Kjo luftë është e përditshme. Pali, jo më kot na tregon se besimtari duhet të vishet me të gjithë armaturën e Perëndisë (shiko Efesianëve 6). Kjo nuk është një luftë, që mund të fitohet me vullnetin apo me forcat tona. Përkundrazi, duhet t’ia ngulim vazhdimisht sytë Zotit. “Sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat” (2 Korintasve 10:4)… “Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar” (2 Timoteut 2:4).

Përfundim
Hiq dorë, ndiq dhe lufto. Hiq dorë prej mëkatit, duke zbatuar fjalën e Perëndisë. Ndiqe çdo ditë Krishtin, duke marrë kryqin mbi supe e duke ecur në shenjtëri. Lufto luftën e mirë të besimit. Këto tre gjëra do ta vërtetojnë se jemi “më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi” (Romakëve 8:37).  
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net