Hipokrizia – mëkati i fshehtë
“Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara. Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon. Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat. Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.” (Psalmi 51:3-6).
Parathënie
Davidi njihej si “një njeri simbas zemrës së Zotit” (1 Samuelit 13:14). Ai shkroi shumë prej psalmeve, të cilat janë libri i himneve të Biblës. Gjithashtu ai ishte mbreti i vajosur i Izraelit. Megjithëse ai e dinte dhe e kuptonte domosdoshmërinë e pastërtisë në zemër, ai shumë shpejt e pa se sa e lehtë është të jesh hipokrit.
Psalmi 51 është psalmi më i njohur ndër psalmet që flasin për pendesën. Ky psalm përshkruan pendimin e Davidit lidhur me mëkatin e tij me Bathshebën.
Një zemër simbas Perëndisë
Nuk ka dyshim që Davidi e donte Perëndinë. Vetë këngët e tij janë shprehje e këtij devocioni dhe adhurimi. Ai e tregoi veten se mund të ecte në shenjtëri dhe në drejtësi, por hipokrizia e tij e shfaqi hapur mëkatin, që fshihej akoma brenda zemrës së tij. Egzistonte një humnerë e madhe midis deklarimit të besimit të tij dhe gjendjes së shpirtit të tij. Ashtu si të gjithë hipokritët e tjerë, edhe Davidi u përpoq që ta fshihte mëkatin e vet, duke harruar se mëkati shtohet edhe më shumë, kur mundohesh ta fshehësh.
Pavarësisht nga dashuria që kish për Zotin, Davidit iu desh ta shihte ligësinë e njeriut të përbrendshëm. Davidit iu desh ta kuptonte se ai, si njeri, ishte në gjendje të kryente madje edhe mëkatin më të madh.
Mëkati i fshehtë
Mëkatet e Davidit, d.m.th. shkelja e kurorës dhe vrasja, ishin mëkate të mëdha. Por më e keqja nga të gjitha këto ishte hipokrizia “në thelb” dhe “në zemër” (Psalmi 51:3-6). Zoti nuk do ta mbarojë punën e të shenjtëruarit, derisa të zhduket epiqendra hipokrite e njeriut. Të tjerët ndoshta nuk e shohin këtë përbrenda nesh, sepse hipokrizia i mashtron ata që na rrethojnë, duke e zbukuruar veten me fenë. Por Perëndia shikon! Dhe përderisa zemrat tona nuk të jenë të pastruara plotësisht, ne do të vazhdojmë të hiqemi si hipokritë: “Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im… O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur” (Psalmi 51:2, 10). “Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate” (Psalmi 90:8). Perëndia nuk e toleron mëkatin e fshehtë. Ai do ta shfaqë atë hapur, po qe se ne këmbëngulim që të fshihemi pas këtij mëkati.
A e braktisi Perëndia Davidin?
“Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë” (Psalmi 51:11).
Davidi ishte në dijeni të dy gjërave, të cilat po e shqetësonin pa masë. Po, ishte e vërtetë që ai kishte mëkatuar kundër Bathshebës dhe Urias, por mëkati i tij i vërtetë ishte kundër Zotit: “Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu” (Psalmi 51:4). Përveç kësaj, ai kishte frikë se do të bëhej si mbreti Saul, d.m.th. se Fryma e Shenjtë e Perëndisë do të largohej prej tij, duke bërë që shpirti i Davidit të humbiste përgjithnjë: “Fryma e Zotit ishte larguar nga Sauli dhe një frym i keq e terrorizonte nga ana e Zotit” (1 Samuelit 16:14). A do ta braktiste dhe a do ta refuzonte vallë Perëndia Davidin përgjithmonë?
Zoti nuk e hedh poshtë atë njeri, që me të vërtetë pendohet për mëkatin e tij: “Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar” (Psalmi 51:17). “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë” (Gjoni 6:37). Ka nga ata që pendohen, duke thënë se, po qe se Perëndia do t’i falë kësaj rradhe, atëherë nuk do ta përsërisin më mëkatin. Por fakti qëndron këtu se ata, shumë shpejt, kthehen prapë tek i njëjti mëkat (Psalmi 51:16). Davidi ishte në agoni të vërtetë lidhur me mëkatin e tij, që nga momenti kur Perëndia ia shfaqi hapur hipokrizinë, që po tregonte. Mëkati i Davidit ishte i madh, por mëshira e Perëndisë ishte akoma më e madhe: “Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë” (Psalmi 51:1). Romakëve 5:20 thotë: “Por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt”.
Shenjtëri në thelbin e zemrës
Sa thellë depërton fjala e Perëndisë në zemrat tona? Deri në çfarë niveli jemi gati ta lejojmë Atë të na shenjtërojë? Ne mund të transformohemi deri në nivelin e përuljes sonë para Zotit. S’ka dyshim që Ai kënaqet vetëm atëherë kur na pastron vetë thelbin e zemrës, sepse të shenjtëruarit nuk do të thotë të pastrohesh thjesht nga një mëkat i tanishëm. Puna e thellë e shenjtërimit ka ndikim tek njeriu i përbrendshëm.
Nëse nuk e lejojmë Perëndinë ta pastrojë njeriun e përbrendshëm nga të gjitha papastërtitë e tij, atëherë jemi njësoj si Skribët dhe Farisenjtë e kohës së Jezusit, d.m.th. hipokritë fetarë (Mateu 6:2; 23:13).
Zhdukja e hipokrizisë
Dëshira jonë për të qenë të shenjtë do të bëjë që ta shohim më mirë mëkatin dhe hipokrizinë tonë. Por ajo që ka rëndësi, është fakti se ç’bëjmë me këtë hipokrizi, atëherë kur e kuptojmë se e kemi përbrenda nesh. Davidi mori vendimin e mençur: ai u përul para Perëndisë. Edhe ne duhet të marrim të njëjtin vendim. Të gjithë ne duhet t’i konformohemi vullnetit të përsosur të Perëndisë, por kjo gjë është e mundur vetëm atëherë kur e pranojmë se kemi kryer mëkat: “Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur; po fishkemi të gjithë si një gjethe dhe paudhësitë tona na çojnë larg si era” (Isaia 64:6). “Madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim; sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:22-23). Atëherë, dhe vetëm atëherë, gjaku i Zotit tonë Jezus Krisht mund të na bëjë të pranueshëm para syve të Perëndisë: “Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme. Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 6:22-23). Sa më shumë që t’i përulemi Perëndisë, aq më të fortë do të bëhemi në besim: “Që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm” (Efesianëve 3:16).
Përfundim
Duhet ta analizojmë veten tonë për të parë nëse po ecim me të vërtetë me anë të besimit (2 Korintasve 13:5). Nuk e reflektojmë Krishtin vetëm duke bërë vepra të mira, as nëpërmjet akteve fetare apo lutjeve të gjata. Përkundrazi, e reflektojmë Krishtin duke patur një karakter si të Tijin. Para nesh ka dy rrugë: ose ta fshehim mëkatin dhe të hiqemi si hipokritë, ose ta lejojmë Perëndinë të na pastrojë tërësisht: “Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im” (Psalmi 51:2).
Nga Pastor Gary J. Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



