Hardhia e Vërtetë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 26.06.2010

Reflektime mbi Gjonin 15:1-16 – Pjesa II
“Unë jam hardhia e vërtetë… Unë jam hardhia” (vargu 1, 5).
Parathënie
Ka të ngjarë të kemi parë hardhi nëpër libra, ose në TV, ose në vendet, ku kemi shkuar me pushime. Bibla bën fjalë për ato hardhi, që japin rrush. Jezusi na e tërheq vëmendjen tek një shëmbëlltyrë e gjallë, e cila e përshkruan sadopak Atë. Gjithçka që ka krijuar Perëndia, ose është një shprehje e dukshme e gjërave, që janë në Qiell, ose përshkruan një të vërtetë qiellore. Ai tha: “Vini re si rriten zambakët e fushës” dhe Vini re korbat!” (Mateu 6:28 dhe Luka 12:24). Brenda këtyre gjërave natyrore, përfshihet një e vërtetë e rëndësishme. Perëndinë vërtet që nuk e gjejmë tek natyra, por mund të lexojmë mesazhet, që i ka vendosur Ai tek gjërat natyrore. “Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë” (Fjalët e Urta 6:6).
Hardhia e vërtetë
Jezusi është hardhia e vërtetë. Kjo do të thotë se ka edhe hardhi fallco, d.m.th. është e mundur që njerëzit të ngatërrohen në diçka, të cilën nuk e ka mbjellë Zoti. Hardhia, ose “bima e egër kacavarëse” sjell vdekje shpirtërore (2 Mbretërve 4:39-40). Kjo do të thotë gjithashtu se hardhitë natyrale janë hije të hardhisë së vërtetë.
Ajo që mësojmë prej këtyre vargjeve, është shumë e thjeshtë për t’i kuptuar. Ati (vreshtari) e mbolli hardhinë e vërtetë (Jezusin), me qëllim që shermendët/degët (ne) të japin fryte. Prandaj, pra, njeriu, nëse do që të shpëtohet dhe të jetojë një jetë të frytshme duhet të jetë i lidhur pas Atij, që Perëndia e urdhëroi të bëhet Shpëtimtari. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6)… “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12).
Duke qenë se është hardhia e vërtetë, Jezusi është i vetmi, që na mbështet e na ngushëllon gjatë gjithë jetës. “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28-30). Siç na tha Jezusi, që t’i vëmë re zambakët dhe zogjtë, ashtu edhe Pali na thotë tek Hebrenjve 3:1: “Vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin”. Është për të të ardhur keq, kur e shohim se shumica e njerëzve sot, duke përfshirë këtu edhe besimtarët, i kushtojnë vëmendje hardhive fallco (d.m.th. mësuesve e mësimeve të rreme), duke i sjellë kështu shkatërrim vetë shpirtrave të tyre.
Rritja
Hardhia e vërtetë na siguron gjithçka, që na nevojitet për t’u rritur e për të dhënë fryte. Gjithë ushqimi ynë kalon në fillim përmes Jezusit, para se të hyjë brenda nesh. Fryti që japim, është si rezultat i Frymës së Tij tek ne, e jo si rezultat i forcave tona, apo punës sonë. E meqënëse gjithçka vjen prej Tij, mund të jemi absolutisht të sigurtë se po na jepen vitaminat më të përsosura për një jetë të krishterë të sukseshme. Edhe kur mundohemi, që t’i bindemi urdhërimit të Tij për t’ia mësuar dhe predikuar Ungjillin gjithë kombeve, edhe atëherë veprojmë kështu, ngaqë na jep forcë Ai, jo vetvetja. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20)… “Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin” (Marku 16:20). Vetëm kur e kuptojmë se është Jezusi Ai, që na ndihmon, atëherë do të bëhemi aq efikas, sa dëshiron Ai dhe nuk do t’ia grabisim Atij lavdinë. Ka ardhur koha, që kisha t’ia nënshtrojë plotësisht veten Atij, që na siguron ato, që na nevojiten për t’u rritur. “Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi” (Veprat e Apostujve 17:28).
Zoti
Ndoshta nuk i kemi kushtuar aq vëmendje, saç duhet pozitës sovrane të Krishtit në jetën dhe në kishën tonë. Themi se e njohim Atë si Shpëtimtarin tonë, por a e njohim Atë gjithashtu edhe si Zot? Këtë mesazh të thjeshtë përmban edhe shëmbëlltyra e hardhisë. Po qe se Ai nuk është Zoti ynë, atëherë, në fakt, fjalët dhe këngët tona janë të kota. Na pëlqen ta qeverisim vetë veten, por na duhet që ta vëmë re faktin se Jezusi është hardhia e vërtetë dhe se ne jemi thjesht të ngjitur tek Ai. Kjo do të thotë se jeta e re është pikërisht ashtu siç e thotë Zoti, sepse ajo vjen direkt prej Tij dhe vetëm prej Tij. “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë” (Gjoni 11:25)… “Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Kjo do të thotë se nuk mund të jemi të shenjtë, të drejtë, apo të frytshëm, po të mos jemi në Krishtin.
  
Përfundim 
Nuk kemi për të jetuar kurrë, ashtu siç e ka planifikuar Perëndia, po qe se nuk e kuptojmë dhe nuk e rrëfejmë se Ai është hardhia e vërtetë dhe Zoti i vërtetë. “Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh” (Romakëve 10:9)… “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com