Harabeli i vetmuar



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 31.08.2007

“Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati” (Psalmi 102:7).

Parathënie

Harabeli është një nga zogjtë më të zakonshëm në botë. Kudo që të shkosh, ka të ngjarë të shikosh apo të dëgjosh një harabel. Harabeli është një zog i vogël gazmor, që është vërtet i lumtur, kur është në shoqërinë e harabelave të tjerë. Por tek Psalmi 102:7, lexojmë rreth një harabeli të vetmuar. Autori i psalmit, që zakonisht është kaq i lumtur në Zotin, tani ndihet i dëshpëruar, i merakosur dhe i braktisur. Ai ndihet tamam si një harabel i vetmuar.

Jeta e krishterë nuk është e lehtë

Edhe pse jeta e krishterë është një jetë e bekuar, prapëseprapë, ajo nuk është e lehtë për t’u jetuar. Jezusi nuk na premtoi një jetë pa hidhërime. Mëkati i Adamit e ka kthyer këtë botë në një vend të mjerë. Të gjithë përjetojnë sëmundje, vuajtje dhe vdekje. As njerëzit e Perëndisë nuk janë të përjashtuar prej këtyre gjërave. Si besimtarë që jemi, ne mbartim një barrë më shumë se të tjerët: të jetuarit e jetës së krishterë në mes të një bote mëkatare. Neve na është dhënë urdhërimi për të ndriçuar si drita në errësirë dhe, nganjëherë, kjo do të thotë se na duhet të vuajmë, kur i dalim përkrah Zotit: “Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të” (Filipianëve 1:29). Jezusi tha: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Mateu 16:24).

Një kishë me të meta

Nuk e dimë plotësisht se sa shumë na bekon Perëndia, si të krishterë që jemi. Ai na bekon madje edhe më shumë se ç’e meritojmë. Jemi të bekuar, ngaqë jemi në shoqërinë e besimtarëve të tjerë në Krishtin. Por asnjë kishë nuk është e përsosur; asnjë i krishterë nuk është i përsosur. Shpesh e shohim se të krishterët e tjerë na keqkuptojnë, na kundërvihen dhe nuk duan të rrinë më me ne. Ka shumë besimtarë, që ndihen si harabelë të vetmuar mbi çatitë e kishave të tyre.

Një botë me të meta   

Nuk është e vështirë ta humbësh kurajon sot në jetën e krishterë. Bota rreth nesh po bëhet gjithnjë e më lakmitare, më e dhunshme e më imorale. Duket sikur kombi ynë po sundohet prej paperëndishmërisë. Sa herë që flasim kundër mëkatit, bota kujton se jemi të çmendur. Ata, që kanë qenë të zellshëm për Zotin, gjithmonë e kanë parë se janë vetëm. Është kollaj të dëshpërohesh në kohë të tilla dhe të ndihesh si harabeli i mjerë e i vetmuar. “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakëve 8:31). Besimi ynë duhet të jetë i patundur në Zotin, madje edhe kur përjetojmë sprova e përndjekje, sepse, në këtë mënyrë, nderojmë Perëndinë. “Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim” (Mateu 5:11).

Inkurajim

Nuk duhet të harrojmë se jemi të çmuar në sytë e Perëndisë. Harabeli nuk është bekuar me pendë të jashtëzakonshme. Në fakt, nuk konsiderohet kushedi se çfarë prej njerëzve. Jezusi tha: “A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër?” (Mateu 10:29). Në bazë të standarteve të botës, harabelat nuk kanë vlerë të madhe. Po kështu, shumica e njerëzve mund të mos i vlerësojnë fare besimtarët, ndaj edhe i tallin e i keqtrajtojnë. Por, Jezusi na thotë: “Ju vleni më tepër se shumë harabela” (Mateu 10:31). Jemi aq të çmuar për Të, saqë Ai, me vullnetin e Tij, derdhi gjakun për të na shpëtuar. “Ju jeni blerë me një çmim” (1 Korintasve 7:23).

Nuk duhet të harrojmë se Perëndia di gjithçka rreth nesh. Ai kujdeset madje edhe për harabelin më të vogël. Jezusi tha: “Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj” (Mateu 10:29). Pa mendoni se sa zogj e krijesa të tjera ka në botë. Me miliona! E megjithatë, Perëndia kujdeset për të gjithë ata. Ai kujdeset për gjithçka që ka krijuar, por, në veçanti, Ai kujdeset për fëmijët e Tij dhe i çliron ata prej problemeve që kanë. Jezusi iu thotë atyre: “Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara” (Mateu 10:30). Perëndia nuk na harron, as edhe për një minutë të vetme. Ai nuk na harron sidomos kur kalojmë sprova e vështirësi: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5).

Nuk duhet të harrojmë se do të jetojmë përjetësisht me Perëndinë. Vajtojmë si të krishterë, ngaqë jemi në këtë botë e shohim mëkat si tek të tjerët, ashtu edhe tek vetja jonë. Perëndia na korrigjon, kur largohemi prej Tij, por së shpejti, do ta hedhim tej gjithçka që ka të bëjë me mishin e jetën mëkatare. “Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen” (Mateu 5:4).

Po bëhemi gati për Qiellin dhe atje e jo këtu, “Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë [tanë]” (Zbulesa 7:17).

Përfundim

Do vijë dita, kur do të kthejmë kokën mbrapa e do ta kuptojmë mirë rrugën, në të cilën na ka udhëhequr Zoti. Po, shumë herë do të ndihemi si një harabel i vetmuar mbi çati, ndërsa presim momentin, kur do të ballafaqohemi me Zotin. Por le të vazhdojmë t’ia kujtojmë vetes se sa të çmuar jemi për Zotin. Kurrë nuk jemi larg prej pranisë, kujdesit dhe dashurisë së Tij. Ai di gjithçka rreth frikës sonë dhe nevojave që kemi: “Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t’i kërkoni” (Mateu 6:8)… “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20). Kurrë nuk jemi të vetmuar, nëse Perëndia është me ne!


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net