Guxo të jesh Protestant



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 02.03.2008

“Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianëve 6:10-12).

Parathënie
Përkufizimi më i zakonshëm i fjalës ‘protestant’ është ‘një që proteston’. Por ky nuk është përkufizimi i vërtetë i kësaj fjale. Në shekullin 15-të, fjala ‘protestant’ i referohej atyre që “e kishin hedhur poshtë autoritetin e Kishës Katolike” (marrë nga Fjalori Webster). Protestanizmi i sotshëm i ngjan një këmishe të re, të bardhë, e cila gradualisht është bërë e verdhë, e më pas ngjyrë portokalli. Një protestant nuk është anëtar i një kishe të reformuar, por, përkundrazi, ai/ajo është dikush, që e pranon se Bibla dhe vetëm Bibla është autoriteti përfundimtar, përsa i përket besimit dhe jetës praktike mbi tokë. Dikur, një prift katolik e përmblodhi bukur, kur tha: “Ju, protestanët, besoni gjithçka që thotë Bibla!” Prandaj, pra, një protestant është një i krishterë i rilindur, që i beson Biblës.

Nuk protestojmë kundër gjakut e mishit
Në komentimin që i bën Efesianëve 6:12, Bibla e Gjenevës thotë: “Armiqtë tanë më kryesorë e më të fuqishëm janë të padukshëm. Prandaj, pra, le të mos kujtojmë se konflikti ynë më i madh ka të bëjë me njerëzit”. Sapo nisim të luftojmë kundër burrave e grave, pavarësisht sesa mëkatare mund të jenë veprimet e tyre, atëherë shkatërrojmë pikërisht ata, që po mundohemi t’i shpëtojmë prej armikut të vërtetë: “Të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata” (2 Korintasve 4:4). Kur Satanai e angazhon kishën të marrë pjesë në demonstrata me pllakarta, që hedhin poshtë gjithçka që nuk i pëlqen asaj, atëherë të krishterët nuk po luftojnë më trup me trup as me djallin, as me shpirtrat e ligë, që janë nën kontroll të jetës së mëkatarëve. Në këtë mënyrë, jo vetëm që luftojmë kundër të tjerëve, por bëhemi vetë të humbur.
Fitorja jonë nuk arrihet, duke luftuar kundër gjakut e mishit, por duke luftuar kundër fuqive të errësirës. Për më tepër, betejën nuk mund ta fitojmë, po qe se nuk luftojmë, duke patur fuqinë e Zotit. Duhet të qëndrojmë në Krishtin: “Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua” (Gjoni 15:4). Nuk mund të luftojmë me ata, sfera e të cilëve është “në vendet qiellore”, n.q.s. nuk jemi me Krishtin: “Edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus” (Efesianëve 2:6). Nuk mund t’i mundim “sunduesit e botës së errësirës të kësaj epoke”, po qe se nuk “ecim në dritë, sikurse ai është në dritë” (1 Gjonit 1:7). “Armatimi i Perëndisë” është Krishti: ” Por vishuni me Zotin Jezu Krisht” (Romakëve 13:14). Kur Krishti ishte në këtë tokë, armatimi i Tij ishte e vërteta, drejtësia, lutja dhe besnikëria.
Jemi në luftë shpirtërore: “Sepse, edhe pse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit, sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat, që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit” (2 Korintasve 10:3-5). Një luftë e tillë kërkon disiplinë nga ana jonë. Kjo do të thotë se duhet të jemi të shëndetshëm e të kalitur. Duhet të forcohemi “me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm” (Efesianëve 3:16) dhe të mos merremi me gjërat e kësaj bote: “Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar” (2 Timoteut 2:4).

Lutje, jo pllakarta
Duke e ditur se lufta jonë nuk është kundër gjakut e mishit, atëherë duhet ta përcaktojmë se ku qëndron beteja e vërtetë. Armët tona shpirtërore përmenden tek Efesianëve 6:13-18, “Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë. Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë, dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes, mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë, duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët”. Fryma e Shenjtë nuk na dha për të mbajtur një pllakartë!
Si është e mundur, që një grup i madh njerëzish mblidhen për të protestuar kundër abortit, homoseksualitetit, apo mëkateve të tjera shoqërore, por vetëm pak njerëz mblidhen në takim lutjeje? Duhet të lutemi që mëkatari të shpëtohet dhe të jemi të gatshëm për t’i predikuar atij fjalën e Perëndisë. Shoqëria jonë nuk ka për t’u reformuar prej atyre, që janë kundër kësaj, apo asaj gjëje, por prej atyre, që i vënë në praktikë mësimet e Biblës dhe luten: “Populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë dhe do të veprojë” (Danieli 11:32). Nuk jemi thirrur për të debatuar kundër Papës, myslimanizmit, qeverisë së kombit tonë, apo atyre që e mohojnë të vërtetën. Përkundrazi, duhet të përpiqemi që t’iua çelim sytë atyre dhe t’i kthejmë “nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve” (Veprat e Apostujve 26:18). Edhe ne, dikur, ishim njëlloj si ata. Prandaj, pra, Perëndia, që na shpëtoi ne, mund t’i shpëtojë edhe ata: “Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur” (Kolosianëve 1:13)… “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë” (1 Korintasve 6:9-11).          

Përfundim
Problemi me ata që protestojnë, qëndron këtu: të protestuarit është një aktivitet, që kryhet në kohën e lirë. Kurse protestani i vërtetë e jeton çdo moment të çdo dite i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai nuk është mik, që e lë Krishtin në baltë, por është pasues, që qëndron “deri në fund” (Mateu 10:22), pavarësisht nga betejat, apo konfliktet, që mund t’i dalin përpara. Na është dhënë mandati, për t’i shpëtuar të humburit, e jo për t’i shkatërruar të plagosurit. Zoti nuk na ka premtuar se do t’i shtypim njerëzit me këmbë, por se “Perëndia e paqes do ta dërmojë së shpejti Satananë nën këmbët tuaja” (Romakëve 16:20).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net