Grisni zemrën tuaj
“”Prandaj tani”, thotë Zoti, “kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime”. Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja dhe kthehuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ai është i mëshirshëm dhe plot dhemshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe pendohet për të keqen që ka dërguar” (Joelit 2:12-13).
Parathënie
Mbreti Salomon e ndërtoi Tempullin për lavdinë e Perëndisë. Tempulli ishte në qendër të jetës shpirtërore të çdo izraeliti të asaj kohe. Por, sapo vdiq Salomoni, jeta shpirtërore e Izraelit filloi të pësonte rënie e degradim. I biri, Rehoboami, ishte i vendosur që t’i kthente të dhjetë fiset e Izraelit njëlloj si Samaria, me të njëjtën mënyrë adhurimi, që praktikohej edhe atje (shiko 1 Mbretërve 12-13).
Profeti Joel e nisi shërbesën e tij rreth vitit 825 para Krishtit, rreth 150 vjet pas ndarjes së Izraelit në dy mbretëri. Joeli, emri i të cilit do të thotë “Jehovai është Perëndia”, u caktua prej Perëndisë si profet i dy fiseve të jugut, të ndodhura rreth e përqark Jeruzalemit. Fjalët në hyrje të këtij studimi janë pjesë e mesazhit, që Zoti e urdhëroi Joelin për t’iua transmetuar njerëzve.
Edhe pse Juda kishte mëkatuar shumë përpara Perëndisë, prapëseprapë, egzistonte mundësia, që ajo të pendohej dhe të kthehej tek Ai. Por, ky pendim duhet të ishte më shumë sesa thjesht një shfaqje (nga ana e jashtme) e riteve fetare.
Rroba të grisura
Nga ana tradicionale, grisja e rrobave kishte lidhje me vajtimin dhe pendimin e popullit të Izraelit dhe të kombeve të tjera. Një traditë e tillë e ka prejardhjen tek veprimet e Jakobit, kur të bijtë i paraqitën rrobën e gjatë të Jozefit, pasi ata vetë e kishin lyer atë qëllimisht me gjak, për ta mashtruar të atin, e për ta bërë atë të besonte se Jozefi kishte vdekur me të vërtetë (shiko Zanafilla 37:29, 34). Kjo traditë vazhdoi të praktikohej edhe në shekullin I pas Krishtit, madje, në raste të caktuara, edhe nga vetë apostujt: “Dhe e quanin Barnabën Jupiter, Palin Mërkur, sepse ai fliste më shumë. Atëherë prifti i Jupiterit, që e kishte tempullin në hyrje të qytetit të tyre, solli dema me kurora pranë portave dhe donte të ofronte një flijim bashkë me turmën. Por apostujt Barnaba dhe Pal, kur dëgjuan këtë, i grisën rrobat e tyre…” (Veprat e Apostujve 14:12-14). Grisja e rrobave kishte një kuptim të veçantë, vetëm po të konsiderohej në kontekstin e saj historik, tradicional dhe kulturor. E megjithatë, kjo lloj tradite kishte si qëllim transmetimin e faktit se zemra e dikujt ishte e mbushur plot e përplot me hidhërim e vuajtje.
Ndjekja e riteve
Njerëzit filluan t’i grisnin rrobat, thjesht për t’u dukur se ishin penduar për mëkatet e tyre, ashtu siç bënin edhe me ritet e tjera të shumta fetare. Por, në të vërtetë, zemrën nuk e kishin fare të hidhëruar, apo të penduar. Disa e konsideronin grisjen e rrobave si një rit fetar pa pikë kuptimi. Joeli e kritikoi ashpër ndjekjen e riteve fetare dhe iu tregoi njerëzve se ç’mendonte vërtet Perëndia rreth mashtrimit të tyre. Perëndia kërkonte pendim dhe hidhërim të vërtetë, e jo rite të vdekura fetare.
Zemra të grisura
Nuk është për t’u habitur, pra, se duke i vënë re të gjitha këto gjëra, Joeli tha: “Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja…”. Isaia 55:7 thotë: “I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht”. Ata, që merreshin me rite fetare, nuk ishin të paditur ndaj së vërtetës. Përkundrazi, ata ishin, në fakt, kundër saj. Beteja e Joelit, e cila ishte në të vërtetë beteja e Perëndisë, kishte si qëllim t’i bënte zemrat të ktheheshin tek Perëndia, ta kënaqnin Atë, e jo njerëzit. Perëndia kurrë nuk ka dëshiruar, e as nuk dëshiron, formalitete. Përkundrazi, Perëndia e urren fenë, që duket mirë e bukur nga ana e jashtme, por zemra nuk është e përkushtuar ndaj Tij. Perëndia po iu bën thirrje zemrave dhe mendjeve të sinqerta, që t’i shërbejnë Atij, e jo thjesht riteve fetare njerëzore, apo traditave: “Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje” (Mateut 15:8). Perëndia po kërkon një popull, që e kupton seriozitetin e mëkatit të vet, e që dëshiron të vijë para Tij me një zemër të “thyer dhe të penduar” (Psalmi 51:17). Vans Havner ka thënë: “Pendesa pothuajse ka humbur fare në predikimin dhe në përvojën tonë. Mungesa e saj po i mbush kishat tona me mëkatarë të pagëzuar, të cilët nuk e kanë ndjerë kurrë turpin e mëkatit apo nevojën për një Shpëtimtar”. Ata që vijnë tek Perëndia në pendesë të vërtetë, vijnë, ngaqë hidhërohen për mëkatin e tyre. Ashtu si Kolosianëve 3:5, edhe ata thonë: “Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë”.
Përfundim
Po ne, a jemi fajtorë, ngaqë jemi përpjekur për të jetuar për Krishtin në një mënyrë riti fetar? A jemi me të vërtetë të përkushtuar ndaj Zotit, apo, sa për sy e faqe, përpiqemi që t’i bindim anëtarët e tjerë të kishës, se jemi të përkushtuar ndaj Tij? Mos harroni se Perëndia nuk nderohet me anë të gjërave, apo ngjarjeve. Ai nderohet vetëm me anë të njerëzve, që e adhurojnë Atë me të vërtetë: “Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:23-24).
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



