Gjahtari i shpirtrave



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 21.02.2010

“Por tani ti, bir njeriu, kthe fytyrën nga vajzat e popullit tënd që profetizojnë sipas zemrës së tyre dhe profetizo kundër tyre, dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Mjerë gratë që qepin rripa në të gjitha kyçet e dorës dhe bëjnë vela për kokat e çdo lartësie për të gjuajtur shpirtërat. A besoni ju të gjuani shpirtërat e popullit tim dhe të shpëtoni jetën tuaj? Ju më përdhosni në mes të popullit tim për disa grushte elbi dhe për disa copa buke, duke bërë të vdesin shpirtëra që nuk duhet të vdisnin dhe duke bërë të jetojnë shpirtëra që nuk duhet të jetonin, duke e gënjyer popullin tim që u vë veshin gënjeshtrave”. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë jam kundër rripave tuaja me të cilat ju gjuani shpirtërat sikur të ishin zogj; do t’i shkëpus nga krahët tuaja dhe do t’i çliroj shpirtërat, ato shpirtëra që ju i gjuani si zogj. Gjithashtu do të heq velat tuaja dhe do të çliroj popullin tim nga duart tuaja, dhe ai nuk do të jetë më një pre në duart tuaja; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti. Në fakt e keni brengosur zemrën e të drejtit me gënjeshtra, kur unë nuk e brengosja, dhe keni fortësuar duart e të pabesit, që të mos shmanget nga rruga e tij e keqe për të mbetur në jetë. Prandaj nuk do të keni më vegime të rreme dhe nuk do të praktikoni më shortarinë, dhe unë do ta çliroj popullin tim nga duart tuaja; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti” (Ezekieli 13:17-23).
Parathënie
Magjia është po aq e famshme sot, saç ishte edhe në të shkuarën. Gratë tërhiqen më shumë prej saj, sesa burrat. “Sepse prej këtyre janë ata që futen nëpër shtëpi dhe i bëjnë për vete femrat e ngarkuara me mëkate, të sunduara nga pasione të ndryshme” (2 Timoteut 3:6). Por magjia ka për të qenë e përhapur gjithashtu edhe në fund të epokës. “Edhe tregtarët e dheut do të qajnë dhe do të vajtojnë për të, sepse askush nuk do të blejë më mallrat e tyre: mallra prej ari dhe argjendi, gurë të çmuar dhe margaritarë, pëlhura liri dhe purpri, mendafshi e të kuqeje, dhe gjithfarë drurësh erëmirë, e gjithfarë sendesh fildishi dhe druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri dhe mermeri, dhe kanellë, dhe parfume, vajra erëmirë, temian, verë, vaj, majë mielli, grurë, gjë e gjallë, dhen, kuaj, qerre, trupa e shpirtra njerëzish… Dhe dritë llambe nuk do të ndriçojë më në ty; edhe zë dhëndri dhe nuseje nuk do të dëgjohet më te ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse gjithë kombet u mashtruan me magjinë tënde” (Zbulesa 18:11-13, 23).
Perëndia e caktoi profetin Ezekiel për t’iu deklaruar atyre, që merreshin me magji, se Zoti ishte i zemëruar me ta, sepse ishin bërë si gjahtarë të djallit, duke gjuajtur shpirtrat e popullit të Perëndisë. Gjëja më e trishtuar ishte kjo: njerëzit po iua vinin veshin këtyre gënjeshtrave të magjistarëve. E njëjta gjë ndodh edhe sot në kishat tona. Mësuesit e rremë, që e quajnë veten zëdhëndës të Perëndisë, iu thonë njerëzve gënjeshtra nga më të ndryshmet, si e si për t’iu marrë atyre paratë. “Por ka pasur edhe profetë të rremë midis popullit, ashtu si do të ketë midis jush mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata, do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë. Dhe shumë vetë do të ndjekin doktrina shkatërruese të tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet. Dhe në lakminë e tyre do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shpifura, por ndëshkimi i tyre që moti nuk vonon dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit” (2 Pjetrit 2:1-3). “Shortaria” që përmendet tek Ezekieli 13:23 ka të bëjë me magjitë, doktrinat dhe fetë e rreme dhe ateizmin.
Mashtruesit
Magjistarët dhe mësuesit e rremë gjithmonë thonë se flasin në emër të Perëndisë, por në fakt, gjërat që thonë, vijnë prej Satanait dhe prej mendimeve të tyre të liga. Fatkeqësisht, ka njerëz, që janë gati t’i mbushin plot e përplot auditorët, gati për të paguar shuma të mëdha parash, vetëm e vetëm për t’i dëgjuar gënjeshtrat e këtyre mësuesve. “Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave” (2 Timoteut 4:3-4)… “Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata; sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit.” (Romakëve 16:17-18).
Përpiqen për të shkatërruar
Me dashje, a pa dashje, mashtrues të tillë paguhen prej Satanait dhe përdoren prej Tij, për t’iu shkatërruar shpirtrat njerëzve e për t’i çuar ata në Ferr. “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar” (Gjoni 10:10). Djalli e realizon këtë shkatërrim, me anë gënjeshtrash e të vërtetash gjysmake. “Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës” (Gjoni 8:44). Djalli shet veç gënjeshtra. “Profetët profetizojnë në mënyrë të rreme, priftërinjtë qeverisin duke u mbështetur në forcën e autoritetit të vet dhe popullit tim i pëlqen që gjendja është e tillë. Por çfarë do të bëni kur të vijë fundi?” (Jeremia 5:31).
Njerëz të tillë thonë se vetëm ata e dinë rrugën e shpëtimit. “A besoni ju të gjuani shpirtërat e popullit tim dhe të shpëtoni jetën tuaj?” (Ezekieli 13:18). Iu premtojnë liri shpirtërore atyre, që iua vënë veshin. “Sepse duke mbajtur ligjërata jashtë mase të fryra dhe të kota bëjnë për vete, me anë të pasioneve të mishit dhe të paturpësisë, ata që me të vërtetë kishin shpëtuar nga ata që jetojnë në gabim; ndërsa u premtojnë atyre liri, ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse një bëhet skllav i atij që e mundi” (2 Pjetrit 2:18-19). Po të mos paguhen mirë, mashtrues të tillë nuk do të bënin atë punë që bëjnë. “Krerët e tij gjykojnë për një dhuratë, priftërinjtë e tij japin mësim për një pagesë, profetët e tij kryejnë shortari për para; megjithatë mbështeten tek Zoti dhe thonë: “A nuk është vallë Zoti midis nesh? Nuk do të na bjerë në krye asnjë fatkeqësi” (Mikea 3:11).
Duan ta dobësojnë kishën
Mashtrues të tillë duan ta dobësojnë kishën e Krishtit, duke deklaruar se kisha nuk ka se ç’t’iu ofrojë më njerëzve dhe, si pasojë, duhet shmangur. Feja e rreme, magjitë dhe shtirja e fallit janë të gjitha një sulm dhe një ofezë, që drejtohet kundër të drejtëve. “Në fakt e keni brengosur zemrën e të drejtit me gënjeshtra” (Ezekieli 13:22). Mashtruesit, duke i brengosur të drejtët, i bëjnë për vete të ligët dhe mëkatarët. “Dhe keni fortësuar duart e të pabesit, që të mos shmanget nga rruga e tij e keqe për të mbetur në jetë” (Ezekieli 13:22)… “Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora” (Jeremia 23:14). 
Përfundim
Këta gjahtarë e çojnë prenë e tyre drejt Ferrit të përjetshëm. Ata, që iu zënë besë këtyre rrenave, kënaqen kur dëgjojnë se ka një rrugë tjetër, më të lehtë, që të çon drejt jetës, një rrugë, e cila është në kundërshtim me atë, që ka urdhëruar Perëndia. Por, në fund, kanë për ta kuptuar se ç’gabim të madh kanë bërë dhe kanë për të vuajtur pasojat e atij gabimi. “Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes” (Fjalët e Urta 14:12 dhe 16:25).
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip:
http://fjalaegjalle.2truth.com/
 

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com